Greta Koçi ka paraqitur kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke akuzuar punonjësin e një banke, i cili, sipas saj, i bën presione të vazhdueshme në telefon.

Sipas padisë së bërë nga këngëtarja, i akuzuari e ka kryer veprën penale të kanosjes pasi ajo është kërcënuar për t’i dhënë një shumë parash autorit të ngjarjes. Në padinë e saj, Greta Koçi identifikon me emër personin që sipas saj prej kohësh e “terrorizon” me anë të thirrjeve telefonike, madje edhe nëpërmjet personave të ndryshëm, që i bëjnë presion asaj dhe familjes.

Burime nga Policia thanë se personi që këngëtarja përmend në kallëzimin e saj quhet Thoma Kumaraku, një ish-ushtarak, aktualisht punonjës i një banke të nivelit të dytë në Tiranë.

Ai rezulton të ketë një problem të hershëm borxhi me babanë e këngëtares, shtetasin Fatmir Koçi. Personi i kallëzuar nga këngëtarja, shtetasi Thoma Kumaraku, është thirrur për t’u marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe ka sqaruar pozicionin e tij në këtë histori gati 6-vjeçare. Nga ana tjetër, në kallëzimin e saj Greta Koçi shprehet se “personi me emrin Thoma Kumaraku na ka terrorizuar dhe na ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme.

Më ka ardhur edhe te puna dhe më ka bërë presion”. Në denoncimin e saj, Greta Koçi tregon se Kumaraku ka përdorur edhe persona të tjerë për ta kërcënuar, duke vepruar në bashkëpunim me ta. “Më ka futur edhe njerëz të tjerë, të cilët më kanë thënë se nëse nuk i jep paratë Thoma Kumarakut, do t’i kem punët keq.

Na ka terrorizuar si familje dhe po më dëmton imazhin dhe biznesin ku unë kam investuar nga 5 mijë euro në muaj për klipe, tekste dhe këngë”, shprehet në kallëzim këngëtarja Greta Koçi. Pas këtij kallëzimi, oficerët e seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë kanë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës dhe ndërkohë kanë ftuar për të marrë në pyetje personin që denoncon këngëtarja, Thoma Kumarakun.

Ana tjetër e kësaj ngjarjeje është pikërisht i akuzuari nga këngëtarja. Pas kallëzimit për gjobëvënie të bërë nga këngëtarja Greta Koçi, ka nisur procedim penal me akuzat “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe “kanosje”. Në vazhdim të hetimeve është thirrur për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës shtetasi Thoma Kumaraku, i kallëzuar nga këngëtarja.

Në deklarimet e tij, Kumaraku pranon që ka kryer telefonata me familjen e Fatmir Koçit, babait të këngëtares, por thekson se komunikimi ka qenë pa bërë kërcënime dhe presione, siç pretendon këngëtarja. Kumaraku thekson se ka telefonuar për t’i kujtuar datën e këstit të parave që kishin rënë dakord të shlyenin çdo muaj me një tarifë të caktuar.

Sipas tij, bëhet fjalë për një shumë në total prej 18 650 dollarësh, për të cilën disa vite më parë ai ka pasur një çështje civile të hapur në gjykatë me babanë e këngëtares. Kumaraku deklaron gjithashtu se është njohur me Fatmir Koçin në vitin 2005, kur kërkonte të blinte një lokal pranë Gjykatës së Tiranës, objekt për të cilin Koçi pretendonte se ishte në pronësi të tij.

Për këtë arsye ai i ka kërkuar shumën prej 26 mijë dollarësh, parapagesë për lokalin, shumë të cilën Kumaraku e ka paguar, madje ka firmosur edhe një kontratë. Pas disa muajsh, kur ka marrë vesh që lokali nuk ishte në pronësi të Koçit dhe ka kuptuar që është mashtruar, ka kërkuar të kontaktojë me “shitësin”, por e ka pasur të pamundur ta gjente atë. Më pas ka bërë një kallëzim në prokurori, në vitin 2008, ku e akuzonte Fatmir Koçin për mashtrim.

Pas këtij kallëzimi, ai pretendon se është takuar me pjesëtarët e familjes Koçi, madje vetë Greta Koçi i ka garantuar atij se do t’ia kthente paratë, duke i dhënë fillimisht 4 mijë dollarë. Ndërsa për pjesën tjetër kanë rënë dakord që t’ia kthenin me këste çdo muaj. “Për disa muaj më paguan, por më pas, si zakonisht, vazhduan të mashtronin. Derisa arritën në shumën 18 650 dollarë që më detyrohen për të kthyer, për të cilën unë kam dokumente dhe vendimin e gjykatës”, shprehet Thoma Kumaraku.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja e kallëzimit që Greta Koçi ka bërë në polici. “Për të shmangur pagesën që më detyrohen, ata vendosin të më sulmojnë. Por unë, në fakt, Greta Koçin as e kam telefonuar dhe as e kam kërcënuar ashtu siç më akuzon ajo. I dëmtuari në këtë histori jam unë”, u shpreh Kumaraku.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here