Greta Koçi, këngëtarja e suksesshme e skenave tona sapo ka lançuar këngën e saj më të re “Çdo hap është peng”, një këngë që është pritur mjaft mirë qysh në versionin e saj audio, pa klip.

Këtë vit ky është klipi i parë që Greta lançon dhe sigurisht që edhe vëmendja e fansave ka qenë maksimale.

Greta na rrëfen projektet dhe të rejat e saj jo vetëm në muzikë, por edhe ato në politikë.

Ky vit ka qenë shumë impenjativ për Gretën, e cila pohon se shpesh ka lënë shumë koncerte për të përmbushur objektivat e saj në FRPDSH.

 

Greta, gjithashtu na tregon se është një vajzë ambicioze dhe se veten e sheh në një të ardhme në pozicione vendimmarrëse. Këto si dhe disa “copëza” të panjohura nga jeta e saj, Greta Koçi i rrëfen në këtë intervistë për suplementin “Mapomania”.

Greta, sapo ke lançuar këngën më të re, “Çdo hap është peng”. Përse një baladë në fillim të verës?

Më ka pëlqyer kjo këngë që në momentin e parë që e kam dëgjuar. Jam tepër e kënaqur që ka pasur një sukses të madh dhe të menjëhershëm që në momentin kur u lançua si audio. Mendoj se të gjithë kanë dëshirë të dëgjojnë një baladë të bukur edhe në ditët e nxehta të verës.

Në fakt, kohët e fundit duket se jeni dashuruar më së shumti me baladat. A janë baladat më të suksesshme në tregun tonë muzikor?

Unë përherë kam qenë më e dhënë pas baladave. Nuk mund të them që janë baladat më të suksesshmet në tregun tonë muzikor, pasi çdo rrymë muzikore ka specifikën e saj.

Klipi është i pari për këtë vit, në mos gaboj. A do të ketë klipe të reja këtë verë?

Po, jeni të saktë! Në fakt angazhimet e mia janë të shumta dhe nuk mund të premtoj, por do të lançoj së shpejti një single të ri në bashkëpunim me një reper të huaj. Për këtë premtoj që do të jetë një realizim mjaft i mirë dhe i suksesshëm.

Kënga flet për një histori dashurie. Cili është pengu i vajzës në fabul?

Po, kënga flet për një histori dashurie, e cila ka përfunduar. Është një tekst, i cili ka dhimbje për një dashuri të humbur. S’di ç’të them më, pasi gjithsecili mund ta kuptojë dhe ta ndjejë në mënyrën e tij.

Greta, a beson në një dashuri të madhe në jetë?

Patjetër që besoj. Në fund të fundit dashuria që njerëzit i falin njëri-tjetrit na bën të jetojmë, të jemi të lumtur, të kemi motiv për të jetuar jetën. Mendoj se dashuria shëron njerëzit, të dyja palët; edhe ata që e japin, edhe ata që e marrin. Love makes the world go around (qesh).

Gjithmonë hezitoni të thoni nëse keni një person në krah. A mund të zbuloni për lexuesin tonë nëse aktualisht jeni e dashuruar apo jo?

Jo, nuk jam e dashuruar.

A ju ka penguar puna në FRPD në muzikë?

Të them të drejtën, angazhimi im në FRPDSH më ka marrë tepër kohë për sa i përket mundësisë për të prodhuar muzikë. Po mundohem t’i ekuilibroj më së miri, si angazhimin politik edhe atë artistik.

A ju ka penguar puna në FRPD në muzikë?

Po. Tashmë kam lënë mjaft koncerte, por besoj se kjo ka ndodhur pasi janë fazat e realizimit të disa projekteve të mia politike.

E shihni veten një ditë në pozicione vendimmarrëse në politikë?

Çdo njeri duhet të ketë ambicie (qesh). Sigurisht që e shoh. Nëse nuk ke synime, projekte, është e kotë që të marrësh sipërmarrje.

Greta, si i shihni raportet e të rinjve me politikën, meqenëse jeni në Forumin Rinor të PD-së?

Çdo i ri kur angazhohet në një forcë politike, siç është Forumi Rinor i Partisë Demokratike, pikë së pari ka përqafuar programin e kësaj force politike, e mbështet dhe e zhvillon më tej atë. Të rinjtë tanë informohen vazhdimisht mbi situatën politike të vendit. Të rinjtë tanë janë pjesë e rëndësishme në vendimmarrje.

Mendoni se politika mund të ndryshojë gjithçka?

Fjala politikë si term sot është shumë e gjerë dhe kap mjaft sfera, siç është politika shtetërore, familjare, e një komuniteti, politika ekonomike, fiskale etj. Për mendimin tim, politika është një faktor i rëndësishëm në zhvillimin shoqëror.

Greta, sa e vështirë është të menaxhosh vetveten në art?

Është mjaft e vështirë për të menaxhuar vetveten. Një artist për të krijuar një imazh publik, një nivel artistik, duhet medoemos të menaxhohet nga specialistë të fushës. Personalisht asnjëherë nuk më është dashur të vetëmenaxhohem.

A janë të pasur këngëtarët shqiptarë?

Mendoj se në përgjithësi nuk janë të pasur, pasi tregu ynë muzikor është tepër i vogël.

Ti Greta, a e quan veten një vajzë të pasur?

Jo, s’mund ta them këtë. Po mund të them se jetoj mjaft mirë.

Frikë përtej tingujve…

Përse bëhesh nostalgjike?

Nostalgjike bëhem shpesh nga koha, moti. Në ditët me shi pasi dëgjon balada të bukura bëhesh nostalgjik.

Momenti më i lumtur i jetës tënde?

Kam pasur shumë momente të lumtura, të veçanta, të cilat nuk harrohen….por po them se më i lumturi është momenti kur linda (qesh).

Më i vështiri?

Para më pak se një muaji, kur humba gjyshen time, njeriun më të dashur për mua. Ai ka qenë më i vështiri.

Ke frikë nga plakja?

Absolutisht jo edhe plakja është mëse e natyrshme, që do të më ndodhë. Edhe ajo periudhë duhet shijuar, pasi çdo moshë ka kënaqësitë e veta. Kështu është jeta.

Çfarë të frikëson në jetë?

Kam frikë nga ato që s’janë në dorën time dhe jashtë vullnetit tim. Besoj në Zot dhe kjo më bën të besoj se gjithçka do të shkojë mirë.

Muzika e preferuar?

Pop,Balada,R&B…

Garderoba, fashion apo “casual”?

Fashion dhe Casual.

Idealiste apo realiste?

Jam realiste.

Ëndrra në sirtar?

Të realizoj me përpikëri objektivat, synimet që i kam vënë vetes.

Ushqimi që urren?

Nuk mund të them se urrej ndonjë lloj ushqimi. Thjesht nuk i konsumoj shpesh ato receta që nuk shijojnë.

Njeriu më i rëndësishëm?

Familja.

Tipi i mashkullit që nuk duroni dot?

S’ka rëndësi meshkuj apo femra. Njerëzit që nuk janë të njerëzishëm më pengojnë dhe njerëzit që janë falsë.

Sakrifica më e madhe që keni bërë?

Kam sakrifikuar shumë nga mosha ime për të pasur një karrierë ashtu siç duhej, megjithatë nuk pendohem për këtë sakrificë.

A je xheloze?

Jam ambicioze ….

Vesi më i keq cili është?

S’mund të them…Kam vese si çdo njeri, por sinqerisht nuk po mund të veçoj ndonjë gjë tek vetja./mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here