Greta Koçi e presin ditë intensiveËshtë në prag të zhvillimit të turit më të gjatë që ka realizuar ndonjëherë. Këngëtaren Greta Koçi e presin ditë intensive, por edhe të bukura në Shtetet e Bashkuara, aty ku do të mbajë edhe turneun më të madh.

Nata e ndërrimit të viteve do e gjejë në New York, aty ku dhe do të kënaqë të gjithë shqiptarët e ndodhur në Amerikë.

Shumë shpejt, Greta premton se do të dalë në treg albumi më i ri i saj, i cili do të jetë i fortë dhe energjik për të gjithë fansat që e presin atë.

Keni përfunduar disa këngë të reja së fundmi. Diçka më shumë rreth tyre dhe autorëve?
Bëhet fjalë për këngë të reja të cilat publiku do t’i dëgjojë nga Greta. Këtë herë kam bashkëpunuar me Genti Lakon, i cili është kompozitori i tre këngëve të reja të mijat. Po kështu, edhe me Gramoz Kozelin. Janë këngë të reja, shumë të forta, ashtu siç unë i kam sjellë çdo herë këngët. Shumë energjike!

Ka ndonjë detaj ndryshe që ke aplikuar këtë radhë?
Këngët kanë motive interesante, të pa eksperimentuara nga unë më parë. Kjo mund të quhet edhe risia kryesore.

Do të shoqërohet ndonjëra prej këngëve me klip?
Nuk mund të deklaroj asgjë në këto momente, pasi ende nuk është vendosur nëse unë do të lançoj një këngë të re me video së shpejti apo jo. Gjithsesi, asnjëherë nuk i dihet.

Kur pritet të dalë albumi i ri dhe çfarë do të përmbajë ai?
Albumi është parashikuar të dalë verën e vitit 2010. Do të përmbajë këngë të reja, ndoshta dy ose tre hitet e fundit të cilat janë lançuar ‘single’ por që mund t’i bashkëngjiten albumit të ri. Gjithashtu, në albumin e radhës do të bëjnë pjesë dhe instrumentalet e këngëve më të mira, në mënyrë që të gjithë fansat të kenë mundësi dhe kënaqësi t’i këndojnë këto këngë për dëshirën e tyre.

Ke menduar për ndonjë tjetër bashkëpunim me ndonjë këngëtar?
Nuk mund të them asgjë tani për tani. E kam thënë gjithmonë që më pëlqejnë shumë bashkëpunimet, sidomos kur ka cilësi në kompozim, në tekst dhe mbi të gjitha, ndërthurje midis dy këngëtarëve, gjë që bën të realizohet bukur një bashkëpunim dhe të pëlqehet nga publiku. Unë kam realizuar shumë
Bashkëpunime, dhe fatmirësisht kanë rezultuar të suksesshme. Uroj që edhe bashkëpunimi i radhës që do të kem, në momentin e duhur, të jetë po aq i suksesshëm.

Sipas informacioneve që kemi, bëhet fjalë për një tur të gjatë, më i gjati që ke zhvilluar ndonjëherë, apo jo? Për cilët vende bëhet fjalë?
Do të jem në ShBA, në një turne të gjatë, në fakt. Është hera e parë që jap koncert në ShBA, por jam e bindur që do të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një tur i cili është kontraktuar 1 vit më parë dhe besoj se do të jetë një tur i cili do të mbetet në mend gjatë, duke qenë se organizimi që do të kenë koncertet që unë do të jap atje është i shkëlqyer dhe ajo çka e bën më të bukur gjithë këtë tur është publiku dhe të gjithë fansat e mi në ShBA.

Do të jetë një koncert i tëri i yti apo edhe me pjesëmarrjen e këngëtarëve të tjerë?
Mund të ketë dhe këngëtarë të tjerë, por përgjithësisht do të këndohet i gjithë repertori im.

Ku do ta gjejë Gretën ndërrimi i viteve?
Mu në mes të New York-ut!(qesh). Do të doja shumë ta kaloja këtë mbrëmje në vendin tim, por që jo të gjitha gjërat mund t’i realizosh ashtu siç i do. Por, me zemër këtej do të jem, kjo është e sigurt./
BLUETOOTH/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here