Greta Koçi është mjaft e angazhuar me punën e saj në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, e megjithatë nuk lë pas dore edhe eventet e rëndësishme muzikore. Këtë herë Greta vjen në “Kënga Magjike” me një baladë tepër të ndjerë, e cila në javën e parë ka thyer çdo rekord shpërndarjesh në rrjetet sociale. “Më sheh nga lart” është pritur mjaft mirë, po ajo që ka surprizuar është fakti se Greta në bashkëpunim me motrën e saj Enin, e cila ka bërë tekstin, ia kanë kushtuar këtë këngë gjyshes së tyre. Për këngën, punën në FRPD por edhe për marrëdhënien e saj të veçantë me gjyshen, Greta flet në këtë intervistë.

Greta, kënga juaj e re është pritur mjaft mirë. Si lindi ideja për një baladë të tillë?

Ju falenderoj. Në fakt, unë përherë kam qenë mjaft e dhënë tek baladat. Kënga “Më sheh nga lart” ka qenë një ide e imja, një dedikim për të gjithë të dashurit tanë të cilët nuk jetojnë më.

I kujt është teksti “Më sheh nga lart”?

Tekstin e ka shkruar Eni, me shumë dashuri. Unë pasi e lexova më pëlqeu shumë dhe më preku po aq shumë sa vendosëm që kjo këngë të vinte për publikun me këtë tekst.

Cili është çmimi që do të dëshiroje për këtë baladë?

Çmimi më i madh për një artist është publiku…

Vini me një dedikim për gjyshen tuaj. Sa e rëndësishme ka qenë ajo për ju?

Shumë. Për fat të keq e humba përpara gjashtë muajsh. Gjyshja më ka rritur dhe përherë ka jetuar me ne. Humbja e saj ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime.

Nuk e di nëse ke dëshirë të ndash një histori të bukur me lexuesin e gazetës sonë…

Ka shumë histori, aq sa nuk di kë të veçoj. Tashmë që ajo nuk është më, përpiqem që të buzëqesh sa herë që e kujtoj. Ajo që unë do të doja të ndaja me lexuesit tuaj është vetëm një falenderim i përzemërt për gjithë mbështetjen që më japin dhe konkretisht në këtë pjesëmarrje timen në “Kënga Magjike”. Kam marrë urime pafund dhe kam parë se kudo në rrjetet sociale kënga “Më sheh nga lart” ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm. Jam shumë e lumtur për këtë.

Cila ishte këshilla më e shpeshtë që të thoshte sa herë dilje nga shtëpia?

“Kujdes të keqen nëna..Të ruajtë Zoti dhe mbarësi”…Kryesisht këto fjalë më thoshte sa herë bëhesha gati të hapja derën e shtëpisë për të dalë jashtë.

Po kur të shihte në skenë, çfarë të thoshte më shpesh?

“Të vdes nëna për mbesën time, yllin tim”…fjalia e përhershme. Besoj që të gjitha gjyshet i duan me shpirt mbesat dhe janë pika e dobët. Nëna gjithmonë më thoshte se fëmijët e fëmijës janë mjalti i mjaltit…

Greta, cilat janë angazhimet e tua të momentit në FRPD?

Angazhimet e mia në Forumin Rinor të Partisë Demokratike vazhdojnë me mjaft vrull dhe seriozitet. Jam e kënaqur, sepse po punoj dhe kam kontakte të përditshme me qindra e mijëra të rinj, pjesë e FRPD. Për mua, ky angazhim politik krah FRPD-së më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Burimi: Jonida Hitoveizi Gazeta Mapo

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here