Rrëfimi i vitit 1968 që zhvillohet në një zonë kufitare mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë i “përthekuar” në shirit filmik nga regjisori Jeton Ahmetaj, është i vetmi film artistik i metrazhit të gjatë nga Kosova që do të garojë për çmimet e Festivalit të Filmit Shqiptar.

“Gomarët e kufirit” është një nga pesëmbëdhjetë filmat artistikë që do të vihen në garën e festivalit, që sivjet mëton të tubojë yje të kinematografisë.

Aktori i njohur italian Remo Girone tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Shqiptar, derisa organizatorët i kanë dërguar ftesë edhe aktorit hollivudian Robert de Niro dhe atij italian Rauv Bova.

Edicioni i trembëdhjetë nis rrugëtimin më tre nëntor dhe do të përmbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve më datën nëntë. Festivali i Filmit Shqiptar, i cili këtë vit i dedikohet 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – do të hapet me filmin “Nëntori i dytë”.

Ndërkohë, veç “Gomarit të kufirit”, në kategorinë për filmin më të mirë artistik janë edhe katërmbëdhjetë filma të tjerë të realizuar nga viti 2007, duke përfshirë edhe “Ne dhe Lenini” me regji të Saimir Kumbaros, “Muaji i mjaltit” i Goran Paskaljeviqit, “Lindje-Perëndim-Lindje” i Gjergj Xhuvanit, e të tjerë. Ndërkohë, në kategorinë e filmave të shkurtër është përfshirë edhe filmi “Përtej rrugës” i regjisorit kosovar Yll Çitaku.

Regjisori Jeton Ahmetaj është shprehur i kënaqur me faktin që filmi i tij do të shfaqet në këtë festival.

“Sigurisht që kjo më bën nder, meqë është edhe 100-vjetori i Pavarësisë dhe kjo datë e bën festivalin më madhështor. Por ndërkohë jam krenarë që edhe filmi im është pjesë e garës”, ka thënë Ahmetaj.

Ai thotë se një çmim nga Festivali i Filmit Shqiptar do të ishte i mirëseardhur, por nuk ka rëndësi primare.

“Secili regjisor shpreson që filmi i tij të shpërblehet, por realisht nuk është primare. Është festivali i nëntë në të cilin konkurron filmi dhe deri më tani ka marrë gjashtë çmime. Nuk do të ishte keq t’i bënte shtatë”, ka thënë ai.

Mediet shqiptare kanë raportuar se aktori Remo Girone, i njohur për publikun shqiptar me rolin e Tano Karidit, në filmin “Oktapodi”, ka konfirmuar vizitën e parë në Tiranë.

Drejtori i Qendrës Kinematografike Shqiptare, Artan Minarolli, ka qenë ai që ka konfirmuar lajmin. Muajin e kaluar ishte raportuar se në një takim me presidentin shqiptar Bujar Nishani, aktori Robert de Niro kishte shprehur dëshirën për të vizituar Shqipërinë.

Ndryshe, filmi “Gomarët e kufirit” është i pari që është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, që kishte ndarë 220 mijë euro për realizimin e këtij filmi nga buxheti i vitit 2008. Tema e filmit është për një mësues idealist, i cili përjeton dhunën e sistemit të ish-Jugosllavisë dhe ëndrra e tij është që të kalojë kufirin dhe të dalë në Shqipëri. Skenarin për këtë film e ka shkruar skenaristi Jeton Neziraj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here