Gjashtë filma që janë bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit janë shfaqur para një komisioni të njërit prej festivaleve më prestigjioze të filmit në Evropë, Berlinale.

“Agnus Dei” i Agim Sopit, “Kodi i jetës” i Ekrem Kryeziut, “Heroi” i Luan Kryeziut, janë tre filmat e gjatë që u janë prezantuar selektorëve të festivalit në Tiranë, ani pse realizimi i tyre ende nuk ka marrë fund. Në takimin vjetor të paraselektimit të filmave nga Evropa Juglindore për festivalin e njohur janë prezantuar edhe tre filma të shkurtër.

Në këtë listë hyjnë “Kaseta e dasmës” i Ariel Shaban, “Kolonat” i Ujkan Hysajt dhe “Shkurta” i Arzana Krajës.

Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se filmat mund t’u prezantohen selektorëve edhe kur janë në fazën postproduksionit.

“Në këtë fazë që janë filmat mund të gjykohen nga juria e paraselektimit”, ka thënë Berisha nëpërmjet telefonit nga Tirana.

Ai ka thënë se juria është ende në proces dhe vendimi do të bëhet publik shumë shpejt.

“Shpresoj. Kisha pasur shumë dëshirë që së paku njëri prej tyre të shkonte”, ka thënë Berisha./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here