Njëri nga rep këngëtarët më të njohur në skenën shqiptare vjen në një rrëfim për gazetën ”Panorama”, duke treguar për projektet e tij të fundit, klipin ”N’Prishtinë”, largimin e Ledrit nga labeli Babastars, kur do të martohet e sa fëmijë do të ketë. Geti flet gjithashtu edhe për grupet rivale, si dhe rritjen e popullaritetit. Duke qenë se intervistat e tij janë të rralla, le të shijojmë duke lexuar në vazhdim atë çfarë ka thënë ai.

Sa i kënaqur je me arritjet e klipit të fundit?
Me klipin e fundit n’Prishtinë jam shumë i kënaqur dhe si këngë dhe si klip; e ka arritur atë që është pritur.
Pse pikërisht kënga ”N’Prishtinë”?
Prishtina është vendi që jetoj dhe punoj që nga fillimi, është vendi im, inspirimi im dhe gjithçka që më rrethon, por kjo nuk do të thotë asnjëherë që nuk i dua vendet e tjera, e dua gjithë shqiptarinë me shqiptarët kudo që janë, pa dallime.
Çfarë po i mungon skenës shqiptare për momentin?
Respekti në përgjithësi, tani mendohet luftë në të gjitha mënyrat, vetëm për lekë dhe kur humbet respekti, humbet edhe kualiteti gradualisht. Lekët i duam të gjithë, por lekët nuk na duan të gjithëve…
Kohëve të fundit janë shumë aktuale blerjet e klikimeve në youtube, keni kanalin tuaj personal, sa klikime keni arritur deri më tani?
Hmm, të them të drejtën, unë jam i informuar pothuajse për çdo detaj, por vetë nuk di shumë si funksionon kjo shitblerja ose, ku ta di unë, unë kam disa këngë më të vjetra në një tjetër kanal, ndërsa kanali ynë tani ka një vit e ca e nuk e di saktë sa klikime janë momentalisht, por besoj se janë shumë.
Je i kënaqur me projektet që  ke realizuar deri më tani dhe me cilin projekt do ishe mburrur si artist?
Si një artist me gjashtë albume të realizuara dhe shumë bashkëpunime të tjera, nuk mburrem me një projekt, por do isha mburrur me të gjitha projektet e mia me një karrierë prej 17 vitesh dhe gjithmonë i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët kudo që janë nëpër botë. Që nuk i kam zhgënjyer dhe kurrë nuk më kanë zhgënjyer.
Shumica e reperëve bashkëpunojnë me këngëtarë të zhanreve të ndryshme, me kë do kishte realizuar një duet Geti?
Kam një mënyrë të punës që e praktikoj që nga fillimet e mia. Bashkëpunimet e mia nuk kanë rëndësi në zhanër, bukuri ose gjini. Ne punojmë, ndërkohë nëse në një këngë e shohim se duhet të jetë një vokal tjetër, sepse e kërkon kënga, atëherë mendoj se kush mund ta bëjë atë më së miri dhe vjen deri te bashkëpunimi ose dueti.
Shpesh ia keni ndryshuar emrin grupit, shpesh ka pasur lëvizje, pse?
Jam njeri i vjetër në skenë, por i ri në shpirt dhe muzika është një art që duhet të jesh në hap me kohën. Unë preferoj që njerëzve t’ua servir atë që unë mendoj dhe e përjetoj në atë moment kur e bëj në hap me kohën, në stil, emër dhe gjithçka që më rrethon, jo atë që dikush tjetër e bën diku dhe ti e merr të gatshme në mënyra të ndryshme qysh bëjnë tani disa nga ”artistët” tanë.
Ju ka prishur punë largimi i Ledrit nga labeli?
Nuk është se ne i prishim punë njëri-tjetrit, në përgjithësi në vendime të tilla secili prej nesh ka pasur dhe vazhdon të ketë vendin e vet. Unë kam qenë ai që e kam përkrahur që në fillimet e tij. Ledri ka qenë njëri prej artistëve më të talentuar jo vetëm në Babastars, por në gjithë skenën e hip-hopit dhe kjo zgjedhje është e drejtë e tij dhe e secilit në çdo aspekt.
Po shijen e publikut mendon se e përmbush muzika e momentit?
Në përgjithësi në ditët e sotme ka më shumë zgjedhje dhe besoj që e përmbush shijen e publikut më shumë se në të kaluarën.
I keni zgjidhur mosmarrëveshjet me grupet rivale, çfarë mendon se duan të arrijnë të tjerët përmes jush?
(Qesh) Probleme nuk do thosha që kemi pasur, puna ime është muzika e jo problemet apo mosmarrëveshjet dhe këtë pothuajse e kemi rutinë. Ka plot njerëz qysh kohë më parë në fillimet e sukseseve të mia, që u munduan të përfitojnë nga disrespekti, duke u adresuar tek unë personalisht apo Babastars ose Babarecords në atë kohë. Mendoj se janë vetëm dy mënyra të të bërit famë, njëra me talent me hapa të duhur e njerëz të duhur ashtu siç kam arritur unë në karrierën time, kurse secila mënyrë tjetër e ”suksesit” është afatshkurtër. Mirëpo secilit i dëshiroj vetëm suksese të mëtejshme.
Kur do e planifikoni martesën?
Besoj se do të informoheni atëherë kur të jetë koha…
Fëmija është dhurata më e shtrenjtë që mund t’i bëhet një njeriu, keni menduar të bëheni baba së shpejti?
I dua fëmijët dhe shpresoj të m’i falë Zoti edhe mua, por që plan nuk e kam, kur të jetë kismet themi ne këndej.
Ku do të jeni të pranishëm për natën e Vitit të Ri?
Për momentin kemi tri zgjedhje dhe vende të ndryshme për tri netët e Vitit të Ri dhe po mundohemi t’i koordinojmë, sepse do jemi dhe jashtë vendit. Por sipas informatave që kam për momentin, natën e parë do të jemi në Durrës.

BLERAND REXHEPI

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here