Pianisti Genc Tukiçi është një nga emrat më të njohur të muzikës, ku me tingujt e pianos të interpretuar nga ai është mirëpritur me sukses jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe në botë.

Prej vitesh i larguar nga Shqipëria, pianisti shqiptar Genc Tukiçi, në intervistën dhënë gazetën flet për jetën larg skenës shqiptare, arsyet që e çuan larg Shqipërisë dhe cilat janë projektet muzikore në vijim.

Genc Tukiçi është i biri i tenorit të mirënjohur shqiptar Ibrahim Tukiçi. Ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranën, ku u shqua për koncertet e tij të nivelit të lartë në vendin e tij dhe sot gjendet në Paris si pedagog i Konservatorit të Parisit, por dhe si një pianist që po bën një karrierë të shkëlqyer në vendin e kulturës botërore siç është Parisi, dhe në shumë vende të tjera të Europës. Vlerësohet si një pianist i nivelit botëror. Pianisti Genc Tukiçi tashmë është një emër i pandarë i koncertit që zhvillohet çdo vit nën emrin “Tre Tenorët”.

-Jeni një prej artistëve shqiptarë që me talentin tuaj tashmë jeni bërë një emër i njohur edhe në botë. Çfarë mund të na thoni aktualisht mbi jetën tuaj artistike, si po zhvillohet ajo?

Aktiviteti im artistik zhvillohet normalisht. Nga viti në vit më intensiv, duke takuar skena dhe publik të ri, në vende të ndryshme të botës.

-Herë pas here ju keni ardhur dhe në Tiranë ku keni qenë në disa aktivitete muzikore, por hera e fundit që ju keni interpretuar para publikut shqiptar kur ka qenë?

Hera e fundit kur kam interpretuar në Tiranë, ka qenë me rastin e koncertit të organizuar me rastin e 85-vjetorit të lindjes së babait tim, tenorit Ibrahim Tukiçi në nëntor 2011 në TOB, dhe më pas në dhjetor 2011 për koncertin e “Tre Tenorëve” në Pallatin e Kongreseve. Ka qenë një koncert i cili u mirëprit jo pak nga publiku.

-Me interpretimin tuaj në piano ju mirëpriteni në çdo skenë që shkoni, por kur mund t’ju kemi sërish në skenën shqiptare. Kur do të vini me ndonjë koncert apo projekt artistik muzikor?

Mendoj që do të marr pjesë në koncertin e madh që organizohet në nëntor të këtij viti, për 100-vjetorin e Pavarësisë, dhe gjithashtu në nëntor do të vij së bashku me sopranon Inva Mula me një projekt personal, që për momentin po e mbaj sekret, dhe në javën e parë të dhjetorit do të jem në Tiranë sërish për koncertin e “Tre Tenorëve”.

-Në skenat botës ju keni bashkëpunuar dhe me sopranon e njohur shqiptare Inva Mula, e cila gjithashtu ka dhe një karrierë të suksesshme jashtë. Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimet që keni pasur me të, cili ka qenë repertori artistik që ju keni prezantuar para publikut?

Është kënaqësi e vërtetë të punoj me një muzikante dhe këngëtare si Inva. Ajo ka kualitete të rralla artistike, por është dhe një mikeshë shumë e mirë. E kam për nder të mbroj pranë saj nëpër botë, ngjyrat e flamurit tonë kuq e zi, duke interpretuar repertorin më të bukur botëror si dhe atë shqiptar.

-Ju aktualisht gjendeni si pedagog i Konservatorit të Parisit. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj si pedagog, eksperienca në këtë konservator?

Profesionin si pedagog e konsideroj të dyanshëm, edhe jap por edhe marr. Studentët dhe profesorët me të cilët punoj janë të nivelit më të mirë aktual dhe nga të gjitha skajet. Është kënaqësi e veçantë të ndash me ta muzikën, këtë gjuhë që nuk njeh kufinjtë.

-Nëse kthemi pas në vite ju në momentin kur u larguat nga Shqipëria e kishit ndërtuar një jetë artistike në Shqipëri, por cili ishte shkaku që ju vendosët të largoheshit nga Shqipëria?

Po, kisha bërë hapat e para si pianist profesionist dhe isha emëruar pedagogu më i ri i konservatorit, në moshën 22 vjeçare. Gjithmonë kam menduar se muzikanti është si një marinar, që në qoftë se navigon jo në det të hapur, nuk është marinar i vërtetë. Për mua largimi ishte i domosdoshëm ashtu si dhe marinari, por jo pa dhimbje.

-Sot jeni një pianist me një karrierë të shkëlqyer, por sa e vështirë ka qenë kjo për ju, sa keni punuar për të arritur në këtë nivel?

Babai im më ka mësuar që çdo gjë arrihet me punë. Një herë talent dhe 99 herë punë. Aktualisht çdo gjë në jetën time i është dedikuar muzikës. Punoj shumë, lodhem, por e kam për nder dhe shumë kënaqësi të punoj.

-Pjesë të kompozitorëve shqiptarë a janë pjesë e repertorit tuaj në koncerte të ndryshme që ju zhvilloni dhe si priten këto vepra shqiptare?

Bëj shumë kujdes në përzgjedhjen e repertorit, dhe në këtë kontekst, në çdo koncert luaj edhe pjesë nga më të bukurat të repertorit shqiptar, që publiku i pret me të njëjtin entuziazëm ashtu si edhe repertori më i bukur botëror. Ne shqiptarët kemi muzikë të shkëlqyer.

-Edhe vëllai juaj Davidi gjithashtu është një emër i njohur në krijimtarinë muzikore shqiptare, sot është dhe drejtor i Orkestrës Simfonike të RTSH. Si janë të ndërtuara marrëdhëniet me vëllain tuaj, si janë bashkëpunimet në jetën artistike?

Davidi për mua është vëllai i madh, por edhe shoku më i mirë që kam. Partneri më i afërt artistik, si dhe partneri në lojën e futbollit që ne adhurojmë dhe luajmë kur takohemi. Kam pasur fatin të luaj të gjithë repertorin që ai ka kompozuar për piano si Concertin nr.1 dhe nr. 2 për piano dhe orkestër rapsodinë “Tukiçi”, si dhe të jem orkestruesi i këngëve të tija si: “Dy gëzime në një ditë”, “Mirëse vjen ditë e re”, “Sagapo të dua”, etj. Për mua është një figurë artistike e jashtëzakonshme, koha do të flasë më pas.

-Kur keni ndërmend të jeni sërish bashkë në një projekt muzikor?

Së shpejti. Projektet tona të bashkëpunimit me Davidin janë të shumta. Në muzikën serioze dhe mbas shume vitesh edhe për këngën.

-Jeni biri i tenorit të mirënjohur Ibrahim Tukiçi, por cilat kanë qenë këshillat e babait tuaj për krijimtarinë muzikore dhe si ka ndikuar ai në zhvillimin tuaj artistik?

E konsideroj privilegj të jem djali i babait tim. Ai më ka mësuar të punoj shumë, ta dua muzikën, ti përkushtohem muzikës, ti dua njerëzit, ta dua jetën, te jem modest.

-Cili ka qenë deri tani momenti më i veçantë, ai më emocionuesi në jetën tuaj mes tingujve muzikorë?

Janë të shumtë, por do të veçoja recitalin tim një javë mbas vdekjes së babait tim, në Itali (2004), ku publiku italian për nder të babait tim tenor më ovacionoi përgjatë 10 minutash.

-Një artist gjithmonë pyetët për pengjet në jetën artistike, apo ato që ka dëshirë të realizojë më vonë. Po ju a keni pengje në jetën artistike?

Jo, nuk kam asnjë peng. Do të kisha dashur të këndoja, por me babain dhe Davidin para meje, më mirë kam preferuar të këndoj në piano.

-A ju mungon publiku shqiptar në koncertet që zhvilloni?

Natyrisht që më mungon është sikur të merr. Etja për ujë dhe mezi pret ti afrohesh burimit, ashtu dhe unë, me të njëjtën etje vij të luaj për publikun shqiptar, që natyrisht është publiku më i mirë në botë, nuk e egzagjeroj.

-Cilët do të jenë projektet në vijim të këtij viti në fushën e muzikës?

Koncertet më të afërta janë ato të muajit shtator në Francë. Në tetor po në Francë, në Paris, përkrah sopranos shqiptare Oriana Kurteshi, në nëntor në Shqipëri me projektin sekret me Invën dhe në dhjetor në koncertin e “Tre Tenorëve” si dhe një seri koncertesh në Europë dhe Kinë.

-Me këto që thatë deri tani për karrierën, a e keni menduar ndonjëherë kthimin në Shqipëri për të qenë pjesë e pandarë e jetës artistike këtu?

Aktualisht unë banoj në qytetin më të bukur të botës në Paris, dhe e ndjej veten shumë mirë, por në të njëjtën kohë e ndjej që jam plotësisht i integruar në jetën artistike shqiptare. Kudo që luaj Shqipëria është me mua. E kam në mendje dhe në zemër, në çdo afishe shkruhet që jam pianist shqiptar dhe e kam për nder. Sot bota është bërë e vogël, pak rëndësi ka ku jeton, por atë çka bën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here