Performanca e një balerine të veshur si flutur do të paralajmërojë fillimin e një spektakli të veçantë mode. Publiku nuk do të jetë dëshmitar i parakalimit të modeleve në një pistë të zakonshme.

Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shndërrohet në arenë modelesh, të cilat pasqyrojnë temën e sfilatës së përthekuar nën emrin “Butterfly Effect” (Efekti flutur).

Ky është përshkrimi që disejnatorja Flutura Dedinja i jep sfilatës që do të mbahet sonte (e hënë). Për më shumë se tridhjetë minuta, në kuadër të llojit të parë të këtij “fashion show” që realizohet në Kosovë, Dedinja do të prezantojë për publikun kreacionet e saj për stinën e vjeshtës.

Protagonistja e “Butterfly Effect” ka shpjeguar edhe arsyen që e ka nxitur të realizojë spektakël mode.

“Kushtet më kanë nxitur të bëhem kreative. Hapësirat e mëdha kushtojnë shumë më shumë sesa skena e teatrit, e cila është e gatshme. Ka ndriçim dhe nuk kërkon skenografi të shtrenjtë”, ka thënë ajo.

“Batterfly Effect” nuk është një sfilatë e zakonshme, por një spektakël më ndryshe sesa është parë deri më tani.

“Nuk do të jetë një pistë e zakonshme, por gjithë sfilata do të shndërrohet në shfaqje. Për këtë janë angazhuar katër balerina të veshura me kostume fluturash të cilat do të performojnë herë pas here”, ka thënë Dedinja, derisa ka shtuar se edhe vetë skena do të jetë e çakorduar.

Sipas Dedinjës, në sfilatën me titull “Butterfly Effect” do të prezantohen veshje të ndryshme, duke nisur nga ato të përditshmërisë e deri te kostumet që përdoren në skenë.

“Janë gjithsej tridhjetë kreacione që përfshijnë veshje të ndryshme, këmisha, pantallona, bluza e fustane. Por të gjitha i përshtaten stinës së vjeshtës”, ka shpjeguar ajo.

Dedinja ka shtuar se në skenën e Teatrit Kombëtar do të parakalojnë gjithsej tetëmbëdhjetë modele.

“E gjithë shfaqja do të zgjasë maksimum tridhjetë minuta dhe në skenë do të jenë 18 modele, ndër të cilat top modele janë Diellza Kolgeci dhe Dhurata Lipovica”, ka thënë ajo.

Shfaqjen e saj të modës, të cilën një vit e ka prezantuar edhe në Kroaci, Dedinja e përshkruan me pak fjalë.

“Është krejtësisht spontane. Skena lëvizëse aktivizohet herë pas here. Gjithçka është më e lirë dhe më e hapur”, ka thënë ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here