Sapo keni realizuar një këngë të re. Mund të na tregoni se për çfarë kënge bëhet fjalë?

Flaka Krelani: Kënga titullohet “Pa titull”. Nuk jam unë autorja e tekstit, është një mik imi, i cili e ka realizuar tekstin, quhet Art Lokaj.

Ka qenë një inspirim i tij për një tekst të tillë, kështu që sa i përket kuptimit të këtij teksti bëhet fjalë për një lidhje dashurie të zhgënjyer. Kam bashkëpunuar edhe me kompozitorin e mirënjohur Ilir Tolaj. E falënderoj jashtëzakonisht shumë për realizimin e një kënge të tillë.

“Kosova Sot”: I keni bërë klip kësaj kënge?

Flaka Krelani: Klipi i kësaj kënge është dashur që tanimë të jetë e publikuar, mirëpo xhirimet janë shtyrë për shkak të motit të ftohtë, sepse ka shumë skena që janë planifikuar të xhirohen jashtë.

Këngëtare e kërkuar

“Kosova Sot”: Jeni duke punuar në ndonjë album të ri?

Flaka Krelani: Kam menduar shumë herë rreth një albumi, mirëpo, duke marrë parasysh se sa shumë respektohen albumet këtu te ne, kam vendosur që të mos e realizoj ende.

“Kosova Sot”: Shpesh ju shohim në “Oxygen” e në disa programe në Shqipëri. Jeni ndër këngëtaret më të kërkuara që bëni muzikë ‘live”. Çka ju bën kaq të kërkuar?

Flaka Krelani: Falënderoj të gjithë ata që besojnë në muzikën dhe punën time precize! Ndoshta stili i muzikës dhe mënyra e interpretimit tim më bëjnë më të kërkuar.

“Kosova Sot”: Jeni ndër këngëtaret e pakta të brezit të ri që e kultivoni muzikën rok, ndërkaq të tjerët ikin nga ky zhanër. Sa në të vërtetë është i rëndë zhanri rok?

Flaka Krelani: Zhanri rok nuk mund të them që është i vështirë për ata të cilët dinë ta kultivojnë, sepse të jep shansin që të jesh artist origjinal dhe t’i prezantosh publikut me të vërtetë atë çfarë ndjen dhe përjeton.

“Kosova Sot”: Shpesh lexojmë, por edhe dëgjojmë se muzika rok është në krizë. Në fakt, a ka krizë në këtë zhanër muzikor?

Flaka Krelani: Muzika rok asnjëherë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë në krizë. E gjitha varet se sa disa prej këngëtarëve janë të gatshëm ta kultivojnë këtë muzikë. Unë e di që frikësohen nga ky zhanër, sepse nuk sjell përfitime siç sjellin zhanret e tjera të muzikës, prandaj roku po bën të duket sikurse është në krizë. Normalisht që duket e tillë kur s’ka iniciativë që ta parandalojnë këtë gjë.

“Kosova Sot”: Përpos rokut, cilin zhanër tjetër e këndoni më me dëshirë?

Flaka Krelani: Për të gjithë ata që nuk e dinë, mua më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikës. Më me dëshirë do të kisha kënduar ndoshta soul, ose blues, pse jo edhe RNB, mirëpo të gjitha këto vijnë pas rokut, kuptohet, sepse nuk e ndërroj me asgjë tjetër.

Pjesëmarrja në festivale

“Kosova Sot”: Sa e rëndësishme është për ju pjesëmarrja në një festival?

Flaka Krelani: Është e rëndësishme deri aty ku kënga me të vërtetë pëlqehet nga publiku dhe bëhet hit, mirëpo edhe deri aty kur me të vërtetë shpërblehesh me një çmim, të shpërblehet i gjithë mundi dhe realizimi i punës tënde.

“Kosova Sot”: Së shpejti nis festivali “Top Fest”, do të merrni pjesë në këtë festival sivjet?

Flaka Krelani: Jam duke e punuar një këngë për “Top Fest”.

“Kosova Sot”: Kur jemi të festivalet, mund të na jepni një mendim për këngën e Aurela Gaçes, e cila do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2011”?

Flaka Krelani: Mund të them që kënga e Aurela Gaçes me të vërtetë ishte një këngë e spikatur dhe shumë e kapshme për publikun. Duke marrë parasysh autorin e këngës, Shpëtim Saraçin, dhe këngëtaren Aurela Gaçe, si ka mundësi që kënga të mos jetë e bukur? Iu uroj shumë suksese në “Eurosong” dhe shpresoj që të kthehen me ndonjë çmim.

“Kosova Sot”: Jeni këngëtare që keni një vokal të jashtëzakonshëm. Keni sprovuar veten në muzikë jashtë vendeve shqiptare?

Flaka Krelani: Së pari ju falënderoj për një mendim të këtillë. Sa i përket sprovave të mia muzikore jashtë vendeve shqiptare, kam pasur shumë të tilla, si në Itali, në Londër etj. Mirëpo, këto kanë qenë performanca të planifikuara vetëm për një herë, sepse është shumë vështirë të depërtosh në tregun e jashtëm.

“Kosova Sot”: Çka mund të presim nga ju në të ardhmen e afërt?

Flaka Krelani: Besoj dhe shpresoj shumë që të realizohen me sukses të dy këngët që do t’ua bëj edhe klipet. Po ashtu, do të kem edhe një duet tjetër me reperin “Bim Bimma”./kosovasot/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here