Flaka, të pashë të performoje gjatë spektaklit të Adi Krastës “A. show” dhe të komplimentoj vërtet për atë performancë.

Në atë shfaqje ti ishe e vetmja këngëtare e ftuar, madje Adi e shprehu hapur simpatinë për ty, duke të veçuar nga të gjitha këngëtaret e tjera. Çfarë ndjesish përjeton të dish që je e preferuara e Krastës?

-Të vlerësohesh nga një showman, siç është Adi Krasta, është absolutisht një ndjesi e papërshkrueshme, sepse mbi të gjitha është njeri, njeriu më i thjeshtë dhe modest që kam njohur ndonjëherë. Me bagazh, reputacion të shkëlqyer, famë të papërsëritshme, i dashur nga të gjithë pa përjashtim, i mençur deri në maksimum… si të mos jesh e privilegjuar të jesh e preferuara e një legjende të gjallë si Adi Krasta? Është e pamundur! Ja çfarë ndjesie më jep kjo gjë, që nganjëherë më duket jo reale!

Po Krasta a është i preferuari yt?

-E kam pasur idhull që fëmijë, akoma ngelet idhulli im.

Ta lëmë Adin dhe të flasim pak për Flakën. Cilat janë disa nga angazhimet e tua të momentit?

-Angazhimet e mia të momentit janë të njëjta si gjithmonë: muzika dhe universiteti. Në qershor përfundoj studimet për Ekonomik – Marketing, ndërsa koncertet dhe mbrëmjet muzikore vazhdojnë si përherë!

Të shohim shpesh në netët “live” apo festivale të ndryshme, por më pak të shfaqesh me videoklipe. Përse kjo zgjedhje?

-Momentalisht kjo është zgjedhja ime dhe mënyra se si kam vendosur të prezantohem te publiku! Mendoj që festivalet dhe koncertet “live” të bëjnë të shprehësh emocionet dhe origjinalitetin në skenë. Prandaj gjithmonë e kam vlerësuar këtë mënyrë të prezantimit.

Ndërkohë që bashkëpunimi yt më i fundit është ai me Mc. Kreshën. Jam kurioze të di, çfarë i ka lidhur në bashkëpunim një rrokere si ty me një rrepist si Kresha?

-Mendoj që edhe nëse nuk ka gjë të përbashkët mes dy këngëtarëve, mund ta krijojnë atë gjënë e përbashkët me një këngë që i karakterizon të dy. E menduam në këtë mënyrë. Përveç të tjerash, Mc Kreshën e çmoj shumë si artist dhe veçanërisht si njeri shumë të thjeshtë dhe modest, tipare që janë shumë të rëndësishme për një artist.

Ti ke një stil shumë të veçantë, një look mjaft interesant, por të shohim gjithnjë të veshur me të zeza. Jam kurioze të di, do kishte shanse të të shikonim ndonjëherë të veshur me “color block” p.sh., me gjithë ngjyrat e ylberit?

-Faleminderit shumë për vlerësimin! Patjetër, pse jo, sidomos në verë jam e gjitha me ngjyra. Bëni diçka dhe ejani më shikoni në verë që ta shuani edhe kuriozitetin tuaj se si dukem unë e veshur me ngjyra (qesh).

Nuk mendon se e zeza është pak ngjyrë depresive dhe se njeriu ka nevojë për ngjyra në jetë?

-Kam aq shumë ngjyra në shpirt, saqë më duken të mjaftueshme sa mos t’i paraqes ato edhe në veshje. Nuk mund të them që e zeza është depresive, pasi ajo është ngjyrë që u ka shkon të gjithëve dhe nuk jam e vetmja që e përdor për t’u dukur e rëndë.

E nëse do ta krahasoje me një ngjyrë jetën tënde, cila do të ishte ajo?

-Do e karakterizoja me një ylber!

Flaka, ti je një personazh që ke dalë nga një program talentesh si “Ethet e së premtes”. I ke ndjekur ndopak formate të tillë të ngjashëm që po realizohen tani si “X Factor” apo “The Voice”? Cili është mendimi yt për to?

-Jam shumë e kënaqur që Shqipëria e Kosova ka kaq shumë talente, pjesa më e madhe e të cilëve po të mos ishte për këto programe nuk do të mund të evidentoheshin dot, sepse kushtet jo të mira ekonomike janë një arsye e fortë. Unë personalisht i jam shumë mirënjohëse “Etheve…” që më zbuluan e po ashtu jam e kënaqur që programe të tilla po vazhdojnë dhe po zbulojnë talente pa fund! Jam e mahnitur nga disa zëra dhe u uroj të gjithëve suksese!

Mendon vërtet se kjo Shqipëri\Kosovë kaq e vogël ka vërtet kaq shumë talente?

-Fatmirësisht nuk ka vend për aludime, pasi këto talente po i shohim dhe po na mahnitin!

Ndihesh ndopak e “frikësuar” nga ky brez i ri talentesh dhe këngëtarësh që po prodhohet?

-Mendoj që secili nga artistët, në këtë rast këngëtarët, ka veçantinë e vet! Secili do krijojë personalitetin e tij/saj në muzikë, e nuk mendoj që do ta kisha quajtur frikë. Përkundrazi, talentet e reja vetëm sa e forcojnë tregun e muzikës dhe në të njëjtën kohë e edukojnë dhe e mësojnë popullin me një stil të ri muzikor. Do të kisha filluar të kisha frikë vetëm atëerë kur publiku do më kishte harruar dhe do kishte filluar të mos më pëlqejë më!

Nëse (larg qoftë) një ditë nuk do të kishe më zërin, çfarë do të bëje?

-Do kisha filluar edhe unë të merrem me zbulimin e talenteve të reja.

Çfarë do të presë publiku shqiptar nga Flaka këtë vit?

-Muzikë, ama muzikë të mirë!

Paloma quiz

1. Një e përbashkët e të gjithë burrave shqiptar është:

A: janë tradhtarë;

B. janë llafazanë;

C. janë përtacë;

D. nuk janë xhentilë;

E. asnjëra nga këto.

2. Hobi yt është:

A. palestra;

B. kërcimi;

C. leximi;

D. kopshtaria.

3. Aksesorët pa të cilët nuk bën dot janë:

A. takat e larta;

B. vathët;

C. shajet;

D. extensions.

4. Në setin e bukurisë tënde nuk mungon kurrë:

A. make up-i për fytyrën;

B. rimeli;

C. buzëkuqi;

D. lapsi i zi për sytë.

5. Je e varur nga:

A. interneti;

B. cigarja;

C. celulari;

D. ëmbëlsirat.

6. Muzika që nuk do këndoje kurrë:

A. operistike;

B. regaton;

C. mouse;

D. tallava (kurrë).

7. Cilit prej këtyre meshkujve të famshëm nuk do t’i thoshe dot jo po të të ftonte të kaloje një natë me të?

A. Johnny Depp (Është idhulli im. Nuk do t’i thosha kurrë jo, sidomos tani që po ndahet nga gruaja);

B. Christiano Ronaldo;

C. 50 Cent;

D. Barack Obama.

8. Nuk do të shkruaje kurrë këngë për:

A. ish-të dashurit e tu;

B. një shoqe me të cilën je zënë;

C. një fans të çmendur;

D. një kolege që nuk e duron dot;

E. asnjë nga këto (Fatmirësisht me kolegët jam mirë, me shoqet pa diskutim edhe më mirë, të dashur s’kam, kurse për fans të çmendur nuk e di akoma a kam apo jo! Nëse do kisha pasur, do veproja në të kundërtën e pikës C, do e kisha shkruar një këngë për të)./Paloma/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here