Debutimi i xhazit shqiptar në Kanada i përket një emri: Fjoralba Turku, pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të xhazit, që po zhvillohet në Edmonton të Kanadasë.

Mediat vendëse kanë shkruar me superlativa për vokalin e këngëtares shqiptare të xhazit, e cila jeton në Mynih të Gjermanisë.

Nëntë vjeçe ishte Fjoralba Turku kur u largua nga Shqipëria për t’iu bashkuar familjes në Mynih, por afiniteti i saj me muzikën shqiptare është i madh. Si në albumin e parë (Joshua, 2010) ashtu edhe në këtë të dytin, “Serene”, kënga shqiptare zë një vend të madh.

“Unë përpiqem ta shoh muzikën shqiptare me një shikim të ri. Gjej atë që më prek dhe provoj t’i jap diçka të veçantë nga vetja ime”, thotë këngëtarja 28-vjeçare. Kanë kaluar vetëm katër vjet kur ajo hyri për herë të parë në një kurs kënge te kitaristi dhe kompozitori nga Nju Jorku, Geoff Godman.

Pastaj ngjarjet u rrokullisën në favor të saj: Filloi bashkëpunimi me Godmanin, hyri në shkollën e lartë trevjeçare të xhazit në Mynih dhe mes koncerteve të shumta nëpër Europë arriti të nxirrte edhe dy albume solo. I pari, i titulluar ‘Joshua’ (sipas të birit), i solli këngëtares shqiptare “që i jep çdo kënge një ngjyrë të vetën” (KulturSpiegel) shumë lavdërime nga kritika.

“Ky është një emër që patjetër duhet mbajtur mend” – do të shkruante në shkurt 2010 revista “Jazzthing”. Ndërsa zëri i saj është komentuar nga kritikët në Kanada si një zë i zhdërvjellët, muzika e saj një ndërthurje mes xhazit klasik dhe ritmeve të folkut shqiptar, që e bën atë unike në mënyrën e të kënduarit. “Një zë i zhdërvjellët, mahnitës dhe i fuqishëm, një zë që tingëllon herë nordike e çelët, herë e errët, si nga Europa Juglindore”- shkruam “Edmonton Journal”.

“Xhazi është kaq i gjallë”- thotë Fjoralba. Ishte Parisi që e lidhi me xhazin, pasionin e saj të ri. Aty shkoi mbas maturës, pak për të studiuar letërsinë franceze, pak për t’u njohur me kulturën parisiane. I ati, Fagu Turku, është violinist dhe mësues muzike në Mynih; i vëllai Rudens Turku, asokohe i kishte hyrë karrierës ndërkombëtare si violinist solo.

Ajo vetë kishte studiuar violinë në fëmijëri, por nuk shihte ndonjë të ardhme si muzikante. Prandaj edhe do të kalonin disa vite, derisa pasioni i ri për xhazin do të shndërrohej në profesion. Që atëherë jeta e saj ndryshoi radikalisht. Ajo filloi shkollën e xhazit të cilën e përfundoi në qershor 2010.

Paralelisht nxori edhe albumin e parë në shtëpinë diskografike berlineze ‘Traumton’. Në shtyp ajo u promovua si “zbulimi i vitit”. Pikërisht para pak ditësh ajo filloi prezantimin e saj përtej oqeanit me një turne në Kanada, që nis nga Edmonton-i./Mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here