Fituan rriskun e tyreBashkë me fushatën elektorale në Shqipëri morën fund edhe angazhimet e këngëtarëve që ishin bërë pjesë e partive të ndryshme atje. Dhe po në këtë mënyrë besohet të ketë marrë fund edhe paga që ata morën për kaq muaj sa ishin të pranishëm nëpër qytete të ndryshme me liderët politikë e premtimet e këtyre të fundit për një të ardhme më të mirë. Ishin të shumtë ata këngëtarë që ngritën zërin duke i përkrahur liderët sa të njërës parti e sa të tjetrës. Porsa u lidhën ata me liderët me të cilët udhëtuan për kaq javë dhe sa i zhgënjeu apo edhe i gëzoi rezultati paraprak, ndonëse jo zyrtar i KQZ-së?!

Bëmë vetëm punën tonë

Ishte këngëtarja Genta Ismaili ajo që nuk e mohoi dëshirën për një fitore të Partisë Demokratike në Shqipëri, ashtu siç nuk mohuan këtë dëshirë edhe Vedat Ademi, Elvana Gjata, Soni Malaj, Vesa Luma e shumë të tjerë përmes emisionit ‘Zonë e Lirë’ një javë më parë. Por, ndonëse ende nuk ka diçka zyrtare, duket se përkrahësit këngëtarë të Sali Berishës nuk dolën aq fitues në zgjedhjet e fundit. Kjo sipas rezultateve të para me të cilat partitë pjesëmarrëse u prezantuan.

Vedat Ademi, njëri prej emrave që i ka ndenjur afër kryeministrit Berisha nuk ka ndonjë ndjesi të veçantë, duke u shprehur se ai në këtë fushatë ka bërë vetëm punën e tij. “Nuk kam qenë i përfshirë në këtë pjesë. Unë thjesht kam bërë punën time, kam qenë pjesë e fushatës dhe kaq. Sa i përket votave e të tjerave, sigurisht që nuk më takon mua të flas – është votë e lirë. Populli ka vendosur kështu”, ka thënë këngëtari.

Në anën tjetër ajo që haptas ka deklaruar mbështetjen dhe simpatinë ndaj Berishës është Genta Ismajli, por ajo nuk ka komentuar asgjë mbi këtë temë, pas përfundimit të fushatës. Përmes menaxherit të saj kemi marrë vesh që këngëtarja ndodhet në Shqipëri dhe nuk është e gatshme të flasë në lidhje me këtë.

“Genta ndodhet ende në Shqipëri. Nuk e shoh të arsyeshme të flas për këtë pasi që ajo nuk është këtu”, është shprehur menaxheri i këngëtares Ademi. E për një prononcim është kontaktuar edhe këngëtarja Vesa Luma e cila nuk gjeti kohë të japë asnjë deklaratë në lidhje me humbjen e njeriut të cilin e ka përcjellë me javë të tëra, në fushatën e tij elektorale.

Të majtët gëzojnë fitoren

Por, siç duket rezultati i deritashëm gëzoi Elsa Lilën, Miram Canin, Alban Skenderajn e shumë të tjerë, ku disa prej të cilëve shfaqën simpatinë për ‘Rilindësit’ përmes fotove të postuara nëpër rrjetet sociale, e disa tjerë përmes vetë përkrahjes me këngë. Por ajo që iu gëzua më së shumë fitores së mundshme të liderit socialist duket të jetë nusja e nipit të Enver Hoxhës, Rezarta Shkurta.

Këngëtarja e cila këto javë pret të bëhet nënë, përgjatë gjithë kohës është marrë me përkrahjen e Edi Ramës, nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, ndërsa përveç fotove të montuara në të mirë të Edit, ajo ka shkruar se ‘Edhe pak dhe Shqiponja e Shqipërisë do fluturojë’, duke mos lënë pa përmendur edhe rekordin sipas saj, të mosdaljes në TV të ish-kryeministrit Berisha duke shkruar “Saliu thyen një rekord të ri. Mbi 24 orë pa dalë në TV!”.

Por cilido që të jetë rezultati final i zgjedhjeve, këngëtarët përveç kohës që ndanë përkrah politikanëve, morën rriskun e tyre, për çfarë edhe ishin angazhuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here