Filmi shqiptar “Bota” shfaqet në kinematë italianeFilmi “Bota” nga data 25 qershor do të jetë edhe në kinematë italiane. Për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Romë, nga data 25 qershor mund të ndjekin projeksionin e filmit “Bota”, tashmë me shumë pjesëmarrje dhe çmime ndërkombëtare, me skenar dhe regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit.

Në film interpretojnë aktorët Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Erand Sojli, Guljelm Radoja dhe Alban Ujkaj.

“Bota” është një kafene. Personazhi Juli, e cila mban kafenenë, kujdeset për gjyshen e sëmurë dhe ka shumë probleme financiare, ëndërron të largohet nga ky vend. Mikja e saj Nora, është e përfshirë me pronarin e kafenesë, Benin, i cili është i martuar. Kur pranë kafenesë fillojnë ndërtimet, duket se gjërat do të ndryshojnë për këto personazhe. Historia ndodhë në një rajon të harruar ku gjatë regjimit diktatorial, armiqtë e regjimit u internuan me familjet e tyre.

Ky film ka marrë pjesë dhe në disa festivale filmi që janë zhvilluar jashtë. Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Çeki, “Karlovy Vary”, ai u shpall fitues në programin “East of the West”.

Filmi me produksion kosovar, shqiptar dhe italian, nga regjisorët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, mori çmimin “Fedeora”. /KultPlus.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here