Filmi i regjisorit Artan Minarolli “Kronikë provinciale”, me skenar të Ylljet Aliçkajt, ka fituar çmimin e skenarit më të mirë në Festivalin e Filmit të Evropës Juglindore, në Paris, i zhvilluar në datat 12-17 prill.

Filmi, i shfaqur premierë në vitin 2009, trajton dukuri të jetës së përditshme, duke vënë përballë njëra-tjetrës tipare të ndryshme të karaktereve njerëzore, ku në role kryesore interpetojnë: Ndriçim Xhepa, Tedi Papavrami, Arta Dobroshi, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi, etj.

“Kronikë provianciale” sjell historinë e një piktori, interpretuar nga Tedi Papavrami, i cili, pasi kthehet në vendin e tij dashurohet me një vajzë, që interpretohet nga Arta Dobroshi. Në ndarjen e çmimeve në kinema “L’Entropot”, në Paris, kinematografia shqiptare u vlerësua edhe me çmimin e filmit me metrazh te shkurtër më të mirë, që e mori filmi “Dita e parë e shkollës” nga Dionis Papadhimitri.

Ndërkohë, edhe kinematografia kosovare u vlerësua me çmimin special të festivalit për filmin “Gomarët e kufirit” me regji të Jeton Ahmetajt dhe skenar të Jeton Nezirajt. Filmi, konkurrent në disa festivale ndërkombëtare, konkretizon rrëfimin e vitit 1968, në një zonë kufitare mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ku një burim uji është vendi ku takohen njerëzit andej e këtej kufirit nën hijen e tytave të dy ushtrive armike. Nën drejtimin e Presidentit të këtij festivali, regjisorit francez Iv Buase, juria e festivalit shpërndau disa çmime si Filmi më i mirë “Piran Pirano” i sllovenit Goran Vojnovic, regjisori më i mirë boshnjaku Adis Bakrac për filmin “I braktisuri”, filmi i animuar më i mirë “E zeza, e bardha dhe ngjyra” e rumunit Sergio Palesi dhe dokumentari më i mirë “Duke dëgjuar Stambollin” i turkut Vejsel Cihan Nizar.

Sipas njoftimit për shtyp, çmimi i aktorit më të mirë ka qënë mes aktorit shqiptar Mirush Kabashi dhe aktorit slloven Mustafa Nadarevic, ku në minutat e fundit çmimi u vendos për Nadarevic. Në Festivalin e Filmit të Europës Juglindore morën pjesë Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.

Paraprakisht një këshill artistik i festivalit përzgjodhi për konkurrim 12 filma me metrazh të gjatë dhe 24 filma me metrazh të shkurtër e të mesëm, ndërkohë që juria e festivalit përbëhej nga personalitete të njohura të kinematografisë e medias.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here