Filmi i ri Infinitely Polar BearNë filmin e saj të ri Infinitely Polar Bear, kineastja Maya Forbes ofron një pasqyrë realiste të luftës me depresionin, varfërinë dhe paragjykimet gjinore.

Korrespondentja Penelope Poulou bisedoi me kineasten mbi botëkuptimin e saj që mori formë në vitet 1970 dhe se si debati social i atyre viteve e ndihmoi atë të bëhet një shkrimtare, producente dhe regjisore e suksesshme.

Mark Ruffalo jep një interpretim të fuqishëm si Cameron Stuart, një aristokrat i rënë nga vakti me probleme serioze mendore.

Vajza e tij e vogël ka filluar ta thërrasë ari polar, pasi ka dëgjuar që njerëzit përdorin termin bi-polar për të atin.

Fakti që ai e merr me humor gjendjen e vështirë financiare të familjes i jep filmit nota komike. Kineastja Maya Forbes e bazon filmin në historinë e familjes së saj:

“Im atë vuante nga depresioni. Nëna ishte afrikano-amerikane, ndërsa babai ishte nga një familje e pasur amerikane, por ne vetë nuk kishim para. Nëna e kishte ëndërr të na dërgonte në shkolla të mira private”.

Ashtu si Maggie, personazhi kryesor në film, edhe e ëma e kineastes u largua, duke i lënë fëmijët nën kujdesin e të atit. Ajo gjeti punë në Nju Jork dhe i shihte fëmijët në fundjavë. Aktorja Zoe Soldana luan në rolin e Maggiet:

“Unë dhe motra kishim shumë turp nga mënyra si shkuan punët në familje. Kishim turp për babain, për faktin që apartamenti ishte katastrofë, kishim turp nga sëmundja e babait. Një ditë babai na tha: nuk keni pse fshiheni, mund t’u thoni hapur njerëzve se unë jam me depresion”.

Kineastja thotë se megjithëse kanë kaluar 40 vjet, sëmundjet mendore mbeten një problem për shoqërinë. Ajo thotë se shumë njerëz e kanë pritur mirë filmin, pasi shohin pika të përbashkëta me personazhet.

“Njerëzit vijnë më tregojnë për jetën e tyre. Pjesa më e madhe e tyre kanë një njeri të dashur të prekur nga problemet mendore, një prind, një fëmijë apo një motër ose vëlla”.

Filmi trajton edhe problemet e diskriminimit racor e gjinor. Nëna e saj, një grua e arsimuar afrikano-amerikane, nuk gjen dot punë me rrogë të mirë në Boston pasi është grua me ngjyrë.

“Nëna u fut në sektorin e financës në një kohë kur nuk kishte shumë gra afrikano-amerikane në këtë industri. Në fakt nuk kemi bërë shumë përparim në këtë drejtim. Njerëzve u pëlqen të mendojnë se problemet janë zgjidhur pasi kemi një president afrikano-amerikan, por nuk mendoj ashtu. Siç e kemi parë nga ngjarjet në mbarë vendin, nuk e kemi arritur ende”.

Ajo thotë se në Hollivud ka provuar edhe diskriminimin gjinor.

“Nuk e kuptoj përse nuk ka më shumë gra në rolin e regjisores. Grave nuk u ofrohet mundësia për të drejtuar një film me buxhet të madh”.

Ajo thotë se nuk e pati të lehtë të gjente balancën mes realizimit të filmit dhe përmbushjes së detyrimeve si nënë. Por Maya Forbes thotë se përvojat e fëmijërisë e kanë bërë të fortë dhe të pavarur. Filmi i saj nuk bazohet tek formulat tipike hollivudiane të vështirësive që kapërcehen me triumf, por është një vështrim intim dhe realist mbi një familje të pazakontë dhe mënyrës se si i zgjidh ajo vështirësitë e jetës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here