Më shumë se katër orë para premierës, Policia e Kosovës ka pastruar nga makinat rrugën që çon për në Kinemanë ABC. Madje kishte dhënë edhe gjoba gjë që nuk ndodhë shpesh.

Aty u shtrua edhe tepihu i kuq. Nëpër të nuk parakaluan yjet e filmit “In the Land of Blood and Honey” e as aktorja me nam Angelina Jolie, regjisore dhe skenariste e filmit.

Në vend të saj protagoniste e ceremonisë solemne për premierën e filmit të Joliet në Kosovë, të mërkurën në mbrëmje, ka qenë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Muaj më parë, e para e vendit, kishte thënë se në një takim në New York, e ka ftuar Jolien të vijë në Kosovë. Kjo s’ka pasur rezultat. E kinemaja e vetme në kryeqytet ka dështuar të sjellë në Prishtinë edhe tre protagonistët e filmit, Zana Marjanoviq, Goran Kostiq dhe Rade Serbexhija. Krejt ata janë parë në ekranin e madh nga më se 200 të ftuar nga kompania për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”. E veshur në një fustan deri nën gju, hijeshuar me lule të bardha e ngjyrë rozë, e para e vendit bashkë me përfaqësues institucionesh, ambasadorë e njerëz të komunitetit artistik, u bënë bashkë për të shikuar rrëfimin për luftën në Bosnjë, sipas skenarit të Joliet. Për këtë të fundit, kur filmi i saj ka mbërritur në Kosovë, mediet botërore raportojnë se është në hall se nuk po i pëlqen unaza e fejesës të cilën Brad Pitt ia bleu hiç më pak se çerek milioni dollarë.

Aktorja me nam katër ditë më parë u shpall qytetare nderi e Sarajevës. Pas nderimit që i është bërë, Jolie ka thënë se në muajin korrik do të vizitojë sërish Sarajevën, për të shprehur falënderimin e saj. Herën e fundit Jolie vizitoi kryeqytetin boshnjak në premierën e filmit “In the Land of Blood and Honey” në shkurt të këtij viti, gati tre muaj para se filmi i saj të mbërrijë në Prishtinë.

Skena e parë e filmit zhvendoset në vitin 1992, kur dy protagonistët shijojnë dashurinë nën tingujt e muzikës në një klub nate. Takimi i dytë në film mes Danielit dhe Ajlas, katër muaj më vonë, ndodh midis tmerrit e dhunës. Bashkë me luftën marrëdhënia midis tyre ndryshon tragjikisht. Daniel, i cili shërben në njësitin ushtarak të babait të tij, gjeneralit Vukojeviq, takohet me Ajlën, të cilën ushtarët serbë e marrin bashkë me shumë gra të tjera myslimane boshnjake. Nën tmerrin e konfliktit, urrejtja shpeshherë zë vendin e dashurisë. Megjithatë, tmerret e luftës i kalojnë së bashku. Deri në fundin tragjik për Ajlën, që vritet nga njeriu për të cilin shpeshherë ndjeu se po i tradhtonte njerëzit e vet. “Perdja” e “In the land…” mbyllet me skenën kur Daniel dorëzohet para forcave të NAT0-s. “Jam kriminel lufte” thotë ai krejt në fund të filmit, i cili ende pa u shfaqur nxiti debat veçmas në Serbi, ku premiera e tij u injorua. “In the land…” në prill të këtij viti ka pasur premierën edhe në Shqipëri.

E ndonëse me vonesë, duke u nisur nga ideja se është një film shumë i përfolur, menaxhmenti i kinemasë së vetme të kryeqytetit ka shpresë që do të shërbejë si “karrem” për të zgjuar vëmendje të shikuesve.

“Është një film që është përfolur shumë. Është shfaqur në vende të rajonit dhe në botë dhe me sa kam informacion do të vazhdojë të shfaqet deri në fund të vitit. Besoj që do të zgjojë interesim”, ka thënë Miradije Vllahiu, menaxhere e kompanisë për distribuimin dhe shfaqjen e filmit “Genci”.

Sipas saj, Kinemaja ABC ka bërë përpjekje të mëdha për ta siguruar filmin.

“Ka pasur angazhim të madh që filmi të vijë në Kosovë dhe është bërë marrëveshje e re me distributorin ‘Blitz Film’. Do të duhej të zgjojë interesim, përderisa e konsiderojmë që është ofertë e mirë për shikuesit”, ka thënë Vllahiu.

Vllahiu po ashtu ka komentuar faktin që asnjëri nga protagonistët e filmit nuk i ka thënë “po” ftesës për premierën në Kosovë.

“Mysafirëve u janë bërë ftesa, dëshira jonë ka qenë që ata të vijnë, por nuk kanë arritur të jenë këtu për arsyeje që ndoshta ata i dinë, planet afatshkurtra janë më të vështira që të realizohen”, ka thënë ajo.

Komuniteti artistik e ka mirëpritur shfaqjen e filmit “In the Land of Blood and Honey” në Kosovë.

Regjisori Gani Mehmetaj ka thënë se është një mënyrë për të treguar se si mund të bëhen filma të mirë nga rrëfimet e luftës.

“Ishte një film i shkëlqyer. I zymtë, i rëndë, i tmerrshëm por film i mirë. Do të ishte mirë që një regjisor i huaj të bëjë një film të ngjashëm edhe për Kosovën, sepse ne deri më tani s’kemi pasur sukses me filma të tillë”, ka thënë Mehmetaj.

Dramaturgu Arian Krasniqi, po ashtu e ka vlerësuar pozitivisht iniciativën e Kinemasë ABC për të sjellë në kryeqytet filmin e Jolies.

“Mendoj se edhe ne kemi kaluar një periudhë të vështirë të luftës dhe përjetime pak të ngjashme. Për këtë arsye filmi te ne mund të përjetohet më emocionalisht sesa në Amerikë apo Kanada”, ka thënë Krasniqi. “Ka ngjallur goxha debate dhe Kinemaja ABC ka bërë mirë që e ka sjellë”, ka shtuar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here