Filmi artistik i metrazhit të shkurtë “Baby”, është vlerësuar si filmi më i mirë ndërkombëtarë i kësaj kategorie në edicionin e 55-të të Festivalit të Filmit “Corona Cork Film Festival”, që mbahet në Irlandë.

E veçanta e këtij filmi është se rolin kryesor në këtë projekt e bartë aktorja kosovare Arta Dobroshi, e cila, së bashku me filmin është vlerësuar me notat më të larta nga juria ndërkombëtare e këtij edicioni.

Kjo juri, filmin “Baby”, e ka vlerësuar për një strukturë të mirë, për një aktrim mbresëlënës dhe tregim të sofistikuar .

Filmi është punuar në shirit filmik gjatë këtij viti me një kohëzgjatje prej 25 minutave nga një ekip i filmit anglez, me regji të Daniel Mulloy dhe producentes Ohna Falby. Kurse me rolet e tyre në këtë film janë paraqitë: Arta Dobroshi dhe Daniel Kaluuya.

Për një sukses të tillë në këtë edicion që është mbajte prej 7 deri më 14 të këtij muaji e dëshmon edhe faqja zyrtare e këtij festivali, e cila lajm kryesor ka filmin në të cilin luan aktorja kosovare që është ilustruar edhe me një pamje të aktores Dobroshi.

Arta Dobroshi paraqitet në rolin e një vajze, e cila rastësisht shndërrohet në një dëshmitare të një situate të pakëndshme. Si rrjedhojë ajo bëhet personi më i kërkuar nga dikush që ka interes të veçantë.

Një femër e cila jeton me të ëmën, niset për një udhëtim në Londër. Në një përpjekje të dështuar për të ndaluar një plaçkitje, një prej keqbërësve fillon të interesohet më shumë për viktimën. Ai e përcjellë deri në vendin ku jeton dhe kundër aktgjykimit të mirë të të gjithë shikuesve të filmit, ajo e fton atë brenda.

Në këtë kategori të filmave janë ndarë tetë çmime, për të mare çmimin kryesor filmi “Baby”, ndërkohë, në këtë edicion ka qenë në garë përmes një filmi edhe aktori i mirënjohur me famë botërore George Clooney.

Filmi “Baby”, po ashtu është shpallë si filmi më i mirë britanik në Festivalin e Filmit të Edinburgh të këtij viti, shkruan Zëri.

Në anën tjetër, aktorja kosovare Arta Dobroshi e cila tashmë është ngjitë në skenën ndërkombëtare ka thyer kufijtë e lokalitetit përmes filmit “Heshtja e Lornës”, film ky që u pat shpërblyer me çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin më prestigjioz të filmit në Kanë.

Ky edhe ka qenë rasti i parë kur edhe janë hapë rrugët e kinematografisë ndërkombëtare për Arta Dobroshin, e cila, qysh atëherë pat deklaruar se ka pranuar një numër të madh të skenarëve, mirëpo, që nuk pat dhënë detaje se në cilin projekt të radhës do të angazhohet.

Filmi “Heshtja e Lornes”, është realizuar nga vëllezërit Jean Pierre e Luc Dardenne, një prodhim belg, francez dhe italian, tregon për Lornën, një vajzë shqiptare e cila për t’u bërë pronare e një dyqani në Belgjikë, vendos të martohet për letra me Klaudin, një martesë e rregulluar prej mafiozit Fabio i cili si kusht kërkon që pas marrjes së nënshtetësisë, Lorna të martohet me një mafioz rus.

Rusi është gati të shpenzojë një shumë të madhe parash për të rregulluar letrat në mënyrë të shpejtë, po ashtu siç bëri Lorna. Personazhi i Lornës interpretohet në film nga kosovarja Arta Dobroshi, e cila është pritur dhe vlerësuar shumë mirë në këtë festival, si dhe ka qenë pretendente për çmimin e aktores më të mirë.

Përveç Artës në “Heshtjen e Lornës” ka interpretuar dhe aktori tjetër kosovar Alban Ukaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here