Filmi që ndjek fatin e një shqiptari, në rrëfimin për historinë e dëbimit të emigrantëve nga Gjermania, do të ketë një udhëtim nëpër Zvicër. Shteti helvetik do të jetë nikoqir i filmit “Der Albaner” (Shqiptari) me regji të Johannes Naber, vitin e ardhshëm.

Shtatë qytete të Zvicrës do ta shfaqin në ekranin e madh atë që është cilësuar si film që shpërfaq një udhëtim në anën e errët të ëndrrës evropiane, e ku rolet i portretizojnë aktorët Nik Xhelilaj, Xhejlane Terbunja, Çun Lajçi, Luan Jaha, Ivan Shvedoff, Amos Zavaria, Stipe Ercheg.

Qyteti i parë në të cilin do të shfaqet filmi është Wil, që ekranin e madh do ta ndezë më 26 janar. Katër ditë më parë aty do të ketë një parapremierë, bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp e lëshuar nga “Artpixfilm”, kompania që ka të drejtat për distribuimin e këtij filmi.

“Në parapremierën e filmit në Wil do të jenë prezent edhe aktori i njohur Luan Jaha, si dhe ambasadori i Kosovës, Naim Malaj, me zëvendësen Artana Bardhi. Kjo parapremierë do të cilësohet si një manifestim kulturor në Zvicër”, thuhet më tej në komunikatë.

Vetë regjisori Naber i kishte thënë “Kohës Ditore” vitin e kaluar se ideja ka qenë konkretizimi i një rrëfimi për emigrantët ilegalë.

“Kemi hulumtuar për këtë dhe asnjë histori nuk e ka përshkruar më mirë gjendjen e rëndë të emigracionit sesa ajo e një shqiptari”, kishte thënë Naber në shtator të vitit të kaluar kur filmi i tij në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” mori çmimin special të jurisë, “Hyjnesha e artë”. Nik Xhelilaj ishte shpallur aktori më i mirë, duke rrëmbyer çmimin e akorduar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, që mban emrin “Bekim Fehmiu”, për nder të aktorit të madh shqiptar.

Historia e “Shqiptarit” është shpërfaqje e përballjes me urrejtjen dhe dëbimin. Aty ku askujt nuk i bën për asgjë dhe dëbimi me para mbizotëron. I njëjti film qe prezantuar në Festivalin e Filmit në Moskë, ku është shpërblyer me çmimin “Silver Geroge”, ndërsa aktori Xhelilaj është shpërblyer me çmimin për aktorin më të mirë të këtij festivali.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here