Filmi “Ashensori” i regjisores Burbuqe Berisha do të marrë pjesë në festivalin e filmave të Evropës Juglindore, “SEE Fest” që mbahet në Los Angeles të SHBA-së.

Ai është bërë pjesë e kategorisë së filmave të shkurtër autorial, në programin që do të shpalosë filma të autorëve nga Rumania, Bullgaria, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Greqia, etj.

Berisha, njëherësh drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se çdo vit nga festivali merr thirrjen për aplikim. Më parë, në të njëjtin festival ajo ishte paraqitur me filmat e saj “Kosova 9/11” dhe “Harmonika”. Kësaj here në Los Angelos, Berisha ka dërguar “Ashensorin”.

Atyre u ka pëlqyer filmi dhe e kanë futur në kategorinë e autorëve ngase kanë vlerësuar qasjen autoriale që ka filmi”, ka thënë Berisha, teksa ka e vlerësuar si të rëndësishëm faktin që “SEE Fest” do të flasë shqip edhe këtë vit. Festivali katërditor do të hapet më 28 të këtij muaji.

Gjithsesi edhe për mua, edhe për vendin është e rëndësishme paraqitja në Los Angeles, vendi ku takohen dhe prezantohen të gjitha kinematografitë botërore”, ka thënë Berisha.

Pjesëmarrja në “SEE Fest” asaj i jep shtysë për punën e mëtejme profesionale.
“Ashensori” është një rrëfim fiktiv për shkrimtarin i cili po krijonte romanin e tij të ri.

Ngjarja zhvillohet në një ambient të mbyllur, ku shkrimtari takohet me shumë personazhe të çuditshme e të zhurmshme, që i shkaktojnë shqetësim për krijimin e tij artistik. Lufta në mes shkrimtarit dhe banorëve nis kur shkrimtari i heq siguresat dhe e ndal lëvizjen e ashensorit. Banorët kanë alternativa të tjera për zhurmën e pandalshme të tyre. Më në fund shkrimtari vendos ta mbyllë hyrjen, që të mos lëvizin më.

E gjithë situata bashkë me personazhet që dalin të jenë produkt i imagjinatës së shkrimtarit. Donat Qosja, Xhevdet Jashari, Fatmir Spahiu, Rabije Kryeziu, Kumrije Hoxha, Albulena Kryeziu, janë disa nga aktorët që luajnë në këtë film.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here