Kanë kaluar katër vite që kur një film i produksionit kosovar nuk ka qenë pjesë e repertorit të kinemave kosovare.

Siç shkruan “Koha Ditore”, filmat kosovarë ka kohë që mungojnë edhe në përbërje të programit të Televizionit publik të Kosovës.

Nga kinemaja e vetme në Prishtinë, Kinemaja ABC, thuhet se futja e filmave të “Kosovafilmit” sërish në repertorin e kinemasë nuk do të sjellë shikueshmëri.

Ndërkaq nga Radiotelevizioni i Kosovës, mungesën e shfaqjes së filmave të produksionit kosovar në përbërje të programit të RTK-së, e arsyetojnë me faktin se nuk kanë mjete për t’i blerë ata filma. Kineastët nuk shprehin gatishmëri që prodhimet e tyre t’i shfaqin falas në RTK, por të paktën me një çmim simbolik.

Mungesën e interesimit të RTK-së për transmetimin e filmave kosovarë, drejtori i ‘Kosovafilmit’, Gani Mehmetaj, e ka parë si “fenomen” të kahershëm. Sipas tij, ka shtatë apo tetë vite që RTK-ja nuk ka shprehur interesim për t’i pasur filmat e ‘Kosovafilmit’ në program. Por, janë regjisorët e filmave që kanë realizuar në kohën e pasluftës në Kosovë, ata që fajin e shohin edhe tek shikuesit.

Për Gani Mehmetajn, mosinteresimi për shfaqjen e filmave të realizuar nën ombrellën e “Kosovafilmit”, paraqet gjendje të çuditshme. Sipas tij vitet ’80 kanë qenë më të pasura me filma kosovarë sesa vitet e fundit.

“Ka shumë pak interesim për filmat e realizuar nga “Kosovafilmi”, ato nuk po shfaqen fare, nuk ka fare interesim për to, gjë që paraqet një gjendje të çuditshme”, ka thënë Mehmetaj, teksa ka shtuar se ka pasur shumë raste kur vetë “Kosovafilmi” ka qenë iniciator që në kinematë e ndryshme të Kosovës, të shfaqeshin filmat e tyre.

Duke përmendur se edhe “Kukumi”, produksion i “Kosovafilmit”, me regji të Isa Qosjes, i realizuar në vitin 2005 me çmim prej mbi 700 mijë eurosh është shfaqur për herë të fundit para katër viteve, Mehmetaj ka theksuar se e vetmja zgjedhje që këta filma të jenë në dispozicion të shikuesve është të gjendet një gjuhë e përbashkët me televizionet e Kosovës dhe me kinemanë e vetme në Prishtinë.

Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të bëjmë njëfarë prezantimi të tre apo katër filmave më të suksesshëm të “Kosovafilmit”, ka thënë Mehmetaj.Por, menaxherja e kompanisë për distribuimin dhe shfaqjen e filmave “Genci” në kinemanë ABC, Miradije Vllahiu, është shprehur se “rikthimi” i filmave të produksionit kosovar në repertor nuk është atraktiv për shikuesit.

“Ata filma më nuk përsëriten, nuk do të vijë askush t’i shohë, nuk kanë më efekt. Ata filma mund të përsëriten vetëm pas 50 viteve”, ka thënë Vllahiu.Një përgjigje aspak shpresëdhënëse ka dhënë Ilir Shaqiri, redaktor përgjegjës i programit argëtues në Radiotelevizionin e Kosovës.

“Që kur kam hyrë unë në RTK, jemi ballafaquar me probleme financiare. Momentin kur të stabilizohet gjendja financiare, së pari do të mendojmë për kinematografinë”, ka thënë Ilir Shaqiri.Përderisa ka fajësuar RTK-në, si institucion që nuk interesohet fare për shfaqjen e vlerave të artit dhe të kulturës së Kosovës, regjisori Agim Sopi ka përmendur interesimin e televizioneve të tjera botërore për filmin e tij “Anatema”, të realizuar në vitin 2006.

Anatema është shfaqur në dhjetëra televizione botërore duke filluar nga Rusia, SHBA-ja, Japonia, Afrika e Jugut dhe Evropa, por në Televizionin publik të Kosovës nuk është shfaqur asnjëherë edhe pse unë u kam ofruar atë para dy viteve”, ka thënë Agim Sopi.
Regjisori Isa Qosja, problemin e ka parë tek shikuesit, të cilët sipas tij nuk dëshirojnë të shohin filma kosovarë.

Edhe tek ne si në shumë shtete të botës, pëlqehen më shumë filmat komercialë që nuk kanë ndonjë vlerë të madhe artistike, por që mund të kenë dinamikë dhe ritëm. Por, kur bëhet fjalë për filmat e produksionit kosovar e që mund të kenë vlera artistike numri i shikuesve është më i vogël”, ka thënë Qosja. Por përveç filmave të “Kosovafilmit”, edhe për filmat e realizuar së fundi nën mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, nuk parashihet e ardhme më e mirë. Është filmi “Përtej rrugës”, me regji të Yll Çitakut, i realizuar vitin e kaluar ai i cili duket se nuk do të ketë vend në repertorin e kinemasë ABC.

Kinemaja shfaq vetëm filmat që janë në shirit 35 mm, nuk mund t’i shesim biletat tri euro për një film që ka kushtuar pesë mijë euro”, ka thënë Vllahiu duke iu referuar edhe filmit “Përtej rrugës”, i cili nuk është në shirit 35mm. Mirëpo, për Yll Çitakun një gjë e tillë duket se nuk paraqet problem për momentin.
“Nuk e kam planifikuar ende premierën publike. Momentalisht jam duke e dërguar filmin në festivale prandaj për 2 vite nuk besoj se do ta ketë premierën”, ka thënë Çitaku./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here