Nga 12 deri më 21 maj, Shqipëria prezanton filmat e tri viteve të fundit në Pavijonin e Vendeve të Evropës Juglindore. Gjashtë regjisorëve dhe producentëve shqiptarë iu jepet një dorë për të prezantuar filmat e tyre

Për 9 ditë, 12 deri më 21 maj, Shqipëria, bashkë me vende të tjera të Evropës Juglindore, prezanton në Tregun e Filmit (Marche du Film), të Festivalit të Kanës (12 -23 maj) prodhimet filmike të këtyre tri viteve të fundit.

Është hera e parë që rrjeti i kinemave të Evropës Juglindore prezantohet në një pavijon të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë.

Në këtë pavijon, me logon South-East European Pavilion, ekspozojnë prodhimet e tyre më të fundit, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja, Qiproja dhe Shqipëria. Specialistja e marrëdhënieve me jashtë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Majlinda Tafa, tregon se të gjitha informacionet për filmat i janë dërguar koordinatores Andjela Andriç, specialiste e marrëdhënieve me jashtë në Qendrën Vizuale të Filmit në Beograd.

Kjo qendër ka marrë përsipër koordinimin e pjesëmarrjes së përbashkët të gjithë vendeve të rajonit në Festivalin e Kanës. Tafa na bën me dije që në garë do të jetë edhe një film shqiptar, “Refren për Kosovën” (Requiem for Kosova), me regji dhe skenar të Dhimitër Ismailaj, që shfaqet në seksionin Short Film Corner. Është realizim i vitit 2010, bashkëprodhim i shtëpive filmike nga Kosova: “Dyrrachium Production” dhe “Akt Production”.

Festivali i Kanës është ngjarja më me rëndësi për kineastët, sidomos të vendeve të vogla, për krijimin e kontakteve dhe prezantimi e punës së tyre. Më 12 maj, në Kanë, shkojnë 6 regjisorë dhe producentë shqiptarë Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj. Njëri grup do të qëndrojë nga data 11 deri më 16 maj, dhe tjetri 16 deri më 21 maj.

Brenda 200 m2, në hapësirën që Shqipëria ka në dispozicion, do të ekspozohen afishe, katalogë, broshura, manualë, DVD dhe trailer-a të filmave të tri viteve të fundit. Prezantohen filmat: “Kronikë provinciale” me regji të Artan Minarollit, “Ne dhe Lenini” i Saimir Kumbaros, “Mao Ce Dun” i Besnik Bishës, “Sekretet” i Spartak Pecanit, “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i Pirro Milkanit, “Honey Moon” i Goran Paskaljeviçit.

Më të privilegjuarit duket se janë filmat “Gjallë” i Minarollit, “Koha e Kometës” i Fatmir Koçi dhe “Lindje-Perëndim-Lindje” i Gjergj Xhuvanit që veç trailerave, afishet e filmave do të veshin muret e brendshme të pavijonit, pra janë më në qendër të syrit të vizitorit.

“Në banakun e kinemasë shqiptare”, thotë Tafa, “do të jenë edhe trailerat e filmave në post-produksion, një ndihmë që i jepet regjisorëve të tyre. Ata kanë përpara distribuimin e filmit, një nga problemet më të mëdha të industrisë shqiptare të filmit. Në këtë vitrinë janë trailerat e filmave: “Vallja e Flamujve” me regji të Edmond Budinës, “Out of Touch” me regji të Andi Delianës, “Shqiptari” i Johannes Naber, “I huaji” i Pluton Vasit, “Farmakon” me regji të Joni Shanajt.”

Shpenzimet për pavijonin, ku përfshihen qiraja, dekorimi, përgatitja e broshurave në shqip dhe anglisht, afisheve dhe manualeve shpjegues, arrijnë vlerën 19.000 euro. Me dekorimin e ambientit është marrë firma amerikane “New Dee”.

Vizitorëve do t’u shpërndahem materiale për filmat e gjatë, të shkurtër, të animuar tri vitet e fundit dhe ata që janë në proces, si dhe kontaktet e regjisorëve dhe producentëve të tyre.

Do t’u serviren të dhëna të tjera mbi shtëpitë filmike shqiptare, institucionet që financojnë filmat, si dhe për prodhimet e huaja që vijnë në kinematë shqiptare. Një raport i saktë mbi reagimet e publikut shqiptar ndaj prodhimeve të huaja vjen nga IDA (International Distribution Albania).

Koordinatorja Majlinda Tafa shpjegon se brenda buxhetit që i është dedikuar pjesëmarrjes në Festivalin e Kanës, është planifikuar edhe përgatitja e një broshure të veçantë për filmat e tri viteve të fundit shqiptarë, më vete prezantimit të përbashkët me shtetet e tjera.

Tafa thekson se Qendra Kombëtare e Kinematografisë jep një dorë në organizmin e mirë të këtij përfaqësimi në këtë festival prestigjioz dhe u krijon një mundësi producentëve shqiptarë për të krijuar kontakte. Në fund të fundit bën një nga detyrat që i njeh Ligji “Për Kinematografinë”. Gjithçka tjetër ngelet në dorën e tyre.

Kana në edicionin e 63-të

Është i 63-ti edicion ky që mbahet në Kanë nga 12 deri më 23 maj 2010. Emra të njohur të kinemasë evropiane dhe botërore në konkurrim, të tjerë që vlerësojnë filmat dhe trofe. Festivali hapet me filmin jashtë konkurrimit “Robin Hood” të regjisorit anglez Ridley Scott.

Në garë janë “Tournée” i Mathieu Amalric, “Des hommes et des Dieux” i Xavier Beauvois, “Hors la loi” i Rachid Bouchareb, “Biutiful” i Alejandro González Iñárritu, “Un homme qui crie” i Mahamat-Saleh Haroun, “Housemaid” i Im Sang-soo, “Copie conforme” i Abbas Kiarostami, “Outrage” i Takeshi Kitano, “Poetry” i Lee Chang-Dong, “Another year” i Mike Leigh, “Fair Game” i Doug Liman, “You. My Joy” i Sergei Loznitsa, “La nostra vita” i Daniele Luchetti, “Utomlyonnye Solntsem 2” i Nikita Mikhalkov, “La princesse de Montpensier” i Bertrand Tavernier, “Loong Boonmee Raleuk Chaat” i Apichatpong Weerasethakul.

Në ditët e festivalit, shfaqen jashtë konkurrimit filmat e regjisorëve amerikanë Woody Allen dhe Oliver Stone. Allen me “You ëill meet a tall dark stranger”, kurse Stone me “Ëall Street: Money Never Sleeps”, të dy realizime të vitit 2010. Po kush është juria e këtij viti?

Për filmin e gjatë, juria ka për president regjisorin amerikan Tim Burton, aktoret Kate Beckinsale dhe Giovanna Mezzogiorno, drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kinemave Alberto Barbera, skenaristin Emmanuel Carrére, aktorin nga Porto Riko Benicio del Toro, regjisorin spanjoll Victor Erice, regjisorin indian Shekhar Kapur dhe kompozitorin francez Alexandre Desplat.

Kurse juria e filmit të shkurtër ka për president regjisorin kanadez Atom Egoyan dhe anëtarë: aktoren franceze Emmanuelle Devos, aktoren ruse Dinara Drukarova, regjisorin brazilian Carlos Diegues dhe regjisorin spanjoll Marc Recha. /Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here