Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Elbasan, që zhvillohet për të dymbëdhjetin vit me radhë, është hapur të mërkurën në mbrëmje me shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, të Teatrit të Dramës Shqipe në Shkup.
Nata e parë e këtij eventi, që këtë vit është emërtuar “Univers Teatër”, ndryshe nga më parë që njihej me emrin “Skampa”, u përshëndet fillimisht nga kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, i cili në cilësinë e Presidentit të këtij Festivali u ka uruar mirëseardhjen trupave pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Ballkanit.
Aktorët shqiptar të Maqedonisë, nën regjinë e Dino Mustafiq, kanë interpretuar mesazhin e ushtrive të vdekura në betejat në Shqipëri, ku herë pas here tragjedia është gërshetuar edhe me humor.
Festivali i teatrit Ndërkombëtar në Elbasan, sipas regjisorit Adonis Filipi, në këto 12 vite ka prurë rreth 131 performanca, me një diversitet të lakmueshëm të kërkimit skenik e teatror, duke ndikuar në pasurimin e formave shprehëse dhe provokimin e tendencave dhe prurjeve bashkëkohore. Përgjatë një jave, në festivalin “Univers Teatër” do të performojnë 10 trupa, shtatë prej të cilave të huaja dhe tre shqiptare.