Plot 26 këngë do të konkurrojnë për çmimin e parë të festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar e sigurisht duke synuar Festivalin Europian. Pasi dëgjoi të gjitha këngët e paraqitura pranë redaksisë së festivalit, mësohet se komisioni i selektimit të ketë zgjedhur mes tyre vetëm 26, të cilat do të interpretohen “live” në sallën e Pallatit të Kongreseve, përgjatë tri netëve. Tashmë është vendosur, edicioni i 51-të i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet përgjatë datave 20, 21 dhe 22 dhjetor. Edhe këtë vit drejtor artistik i Festivalit do të jetë kompozitori dhe orkestruesi Shpëtim Saraçi, nën drejtimin e të cilit, një vit më parë, festivali shënoi një ngritje të ndjeshme cilësore, sidomos në aspektin e interpretimit live. Ende nuk bëhet i njohur stafi, por ndërkohë mësohet se skema do të jetë tërësisht e re. Flitet për “frymë të re” në realizimin e regjisë.  Sa i përket drejtimit të Festivalit, që është gjithnjë një mollë sherri dhe diskutimet për të cilin mbulojnë atë real, ka zëra që të çojnë tek Enkel Demi, me përvojë tashmë në fushën e prezantimit, por ende asgjë nuk është vendosur. Sipas preventivave, deri tani mendohet që ky edicion do të kushtojë rreth 34, 1 milion lekë të rinj.
Konkurrentët
Në listën e 26 këngëtarëve dhe grupeve të përzgjedhura vihet re një numër i madh të rinjsh, ndërkohë që ata më “aktivët” ne skenën e këngës këtë dhjetëvjetëshin e fundit përfaqësohen nga Bojken Lako, Dr. Flori, Merland Kademi, Anjeza Shahini, e para që shkeli në skenën e Eurosongut në vitin 2004 dhe që vjen sërish me një bashkëpunim me kompozitorin Edmond Zhulali, për të vazhduar me Rosela Gjylbegun, Vesa Lumën, Kejsi Tolën, Flaka Krelanin etj., thuajse të gjithë (veç dy të parëve) “produkt” i talent show-t “Ethet e së premtes mbrëma”. Brezi më i “vjetër” përfaqësohet nga Selami Kolonja, që vjen si një kantautor dhe nuk mund të mungojë në këtë edicion, gjithmonë këmbëngulës, Kozma Dushi, me një këngë të Vladimir Kotanit. Sa u përket kompozitorëve, edhe këtu mbizotërojnë kryesisht të rinjtë me përjashtime të vogla, si Vladimir Kotani, Edmond Zhulali, Sokol Marsi, Endri Sina, Genti Lako, Vedat Ademi, Alban Male apo Florent Boshnjaku, shumë i suksesshëm një vit më parë me këngën “Suus”, kënduar nga Rona Nishliu, fituese e edicionit të 50-të të festivalit në RTSH dhe e pozicionuar e pesta në renditjen përfundimtare në Eurosong. Vihen re mungesat e kompozitorëve si Pirro Çako, Adrian Hila, Ardit Gjebrea etj.
Organizimi
Përveçse është ngjarja më e rëndësishme muzikore në vend, edicioni i këtij viti përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit, çka do të thotë se festivalit të sivjetshëm nuk do t’i mungojë atmosfera festive. Ky vit përkon me 40-vjetorin e Festivalit të 11-të, i cili do të shënonte një kthesë në muzikën shqiptare. Festivali që solli tendenca e ritme, duke e afruar muzikën shqiptare me atë europiane dhe që njëkohësisht për shkak të dënimit të tij e ndërpreu këtë rrjedhë natyrale të zhvillimit të muzikës në Shqipëri. Ndaj nuk do të mungojë as retrospektiva, këngë, kujtime… organizatorët janë duke punuar në këto dy linja. Skema e organizimit do të jetë e thjeshtë. Festivali do të zhvillohet në tri net. Në dy netët e para do të këndohen nga 13 këngë, prej të cilave vetëm 8, pra 16 gjithsej, do të shkojnë në natën finale, kur do të shpallen edhe çmimet. Nuk do të ketë vetëm një çmim të parë, por edhe vlerësime për muzikën, tekstin, orkestracionin etj. Juria do të jetë e përbërë nga 7 personalitete të muzikës shqiptarë e të huaj.

ALMA MILE

Burimi. Panorama.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here