Festivali i Gjirokastrës mbledh 1204 artistë shqiptarëFestivali i Gjirokastrës që shënohet çdo të pestin vit në këtë edicion mbledhë 952 artistë nga Shqipëria, 102 nga Kosova, 100 nga shqiptarët e Maqedonisë dhe 50 nga Mali i Zi.

Sipas faqes zyrtare të festivalit, ky edicion përveç numrit më të madh të pjesëmarrësve dallohet nga edicionet e tjera edhe për programin 24 orësh për 7 ditë rresht nga 10 deri më 16 maj, dhe për larminë e instrumenteve.

Në hapjen zyrtare te Festivalit ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se kjo ngjarje kulturore që ndodhë për 7 ditë e 7 netë në Gjirokastër përmban në vete një pasuri shpirtërore të kombit.

“Mirë se vini në Gjirokastrën e Festivalit, të legjendave, të personazheve historikë e mitikë, të skenave natyrale të letrave të shquara shqipe, të artit të gurit dhe të drurit, të mjegullave të krisura nga kalatë e, të diellit, që vezullon shkëmbin, por sidomos të njerëzve me një shpirt të kthyer në monument kulture.

Nuk bëhet fjalë thjesht për një spektakël që do të zgjasë 7 ditë e 7 netë, por për një kështjellë të trashëgimisë jo materiale të cilës Ministria e Kulturës i kushton një rëndësi shumë të madhe jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri shpirtërore e popullit dhe kombit, por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Evropë. Kemi një thesar të jashtëzakonshëm në larminë e folklorit, në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore, pa folur për kostumet që janë vërtet të rralla për nga densiteti dhe historia“, tha ajo.

Qëllimi kryesor i festivalit është mbrojtja, promovimi, dhe popullarizimi i vlerave më të mira muzikore, koreografike e etnografike të krijuara ndër shekuj. Ai manifestohet me lojëra me karakter imitativ, pantomik e humoristik, krijime qe lidhen me festat tradicionale popullore dhe me ato me karakter ritual duke sjellë kështu krijimet me të lashta dhe duke ruajtur pastërtinë burimore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here