“Mother Teresa International Film Festival”, quhet evenimenti i veçantë artistik, i cili ka nisur që nga dita e premte të zhvillohet në Indi.

Kështu, festivali i filmit, që mban emrin e shqiptares humaniste, të njohur në mbarë botën, Nënë Tereza, dedikuar pikërisht asaj, zhvillohet në një kohë që sot, më 4 shtator, bie nata e festës liturgjike të së Lumturuarës shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu.

Kudo në botë, e posaçërisht në Indi dhe në trevat shqiptare, festa liturgjike e saj kremtohet me mirënjohje për këtë dhuratë të jashtëzakonshme siç ishte ajo për mbarë njerëzimin.

Festivali në fjalë, siç bëjnë me dije media indiane, është i pari i këtij lloji në emër të shenjtores së madhe. Ai përfshin 12 filma, duke përfshirë “Bota e pestë”, si një film i animuar për Nënë Terezën, dhe “Në gjurmët e nënës”, i cili është në fakt një vështrim në jetën e Misionareve të Bamirësisë, raporton agjencia Noa.

Si edhe filmat “Me emrin e varfër të Perëndisë” (USA), nga Geraldine Chaplin (vajza e Charlie Chaplin); “Precious Love” (USA) dhe “Zbulesa e Kalkutës” (Francë), një film me tre njerëz të frymëzuar nga Nëna Terezë për të bërë vepra të mëdha.

“Disa shkolla dhe institucione arsimore, u janë bashkuar festimeve të përvjetorit të lindjes së Nënë Terezës, duke u bërë pjesë e tij”, thotë drejtori i festivalit Frank Krishnar.

Hapja zyrtare për publikun është bërë me filmin “Nënë Tereza”, një poemë epike tre orë nga Italia, e cila u kthye më vonë në një seri mini-TV.

“Ne të gjithë e dimë se çfarë Nënë Tereza i ka dhënë shoqërisë, por sfidat me të cilat ajo u përball për ta bërë këtë, është ndoshta një kapitull i fshehur. Këto filma kanë portretizimin në kryevepër të jetës së saj”, tha më tej drejtori i festivalit, Krishnar.

Kryetari i Kuvendit të Indisë, Uday Narayan Chaudhary, i cili ishte i ftuar kryesor me këtë rast, vlerësoi nismën e Festivalit dhe tha se “filma të tillë duhet të shqyrtohen në shumë zona rurale. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e karakterit të brezit të ri dhe ta bëjë ata të kuptojë përgjegjësitë ndaj shoqërisë”.

Sa u përket filmave indianë, mësohet se janë pesë të tillë që do të shfaqen gjatë këtij festivali. Konkretisht, njëri prej tyre do të jetë filmi “Karma e mia” që ishte prodhuar në vitin 2003 me rastin e lumnimit të Nënë Terezës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here