Këtë javë kanë qarkulluar kudo fotot e kancelares Angela Merkel, e cila dukej tifozja më e çmendur e Gjermanisë, pavarësisht kostumit që mbante veshur dhe postit të saj të rëndësishëm.

Megjithatë nuk është vetëm kancelarja gjermane, nga femrat e politikës, televizionit apo modës, që i kanë sytë të drejtuara nga fusha e blertë ku luan skuadra e preferuar e tyre në këtë Kampionat Europian të futbollit.

Vajzat e njohura të ekraneve tona, të cilat i shohim shpesh në emisione të ndryshme e të suksesshme, vijnë duke na treguar se për kë bëjnë tifo në këtë Europian. Secila prej tyre ka nga një skuadër të ndryshme, e nëse iu është krijuar bindja që në Shqipëri ka shumë tifozë të Italisë, sidomos femra, ndër personazhet tona vetëm njëra ka qëlluar të jetë me këtë skuadër.

Të tjerat i zbuloni më poshtë. Amarda Toska: Prezantuesja e “Dancing with the stars”, Ami na ka zbuluar se është një tifoze e zjarrtë e kombëtares spanjolle”. “Jam me Spanjën, edhe pse nuk jam shumë e dhënë pas lojtarëve”, – ka thënë ajo e pyetur nëse ka një lojtar të preferuar.

“Më tërheq Spanja si vend dhe loja e tyre. Kam rreth 5 vjet që jam me spanjollët”, – ka treguar Amarda, një nga prezantueset më simpatike. Albana Osmani: Prezantuesja simpatike e një sërë emisionesh në “Top-Channel” është tifoze e Kroatëve. “Jam me Kroacinë, sepse janë ballkanas. Unë në rastin konkret, duke qenë shumë jashtë futbollit në përgjithësi, pëlqimin e kam të stilit të Eurovizionit, ngaqë i kemi komshi”, – thotë Albana, ndërsa tregon se nuk është “e çmendur” pas ndonjë futbollisti në veçanti.

Marina Vjollca: Bukuroshja Marina Vjollca është tifoze me Gjermaninë. Kjo është skuadra e preferuar e prezantueses simpatike të emisionit që i dedikohet futbollit “Procesi sportiv” në Top-Channel. Nëse Gjermania do të ketë ndeshje ku do të humbasë, me siguri që Marina do ta ketë të vështirë të thotë fjalë të mira për skuadrën kundërshtare me atë të zemrës së saj. Aq më tepër në një studio ku komentohet gjithçka rreth lojës dhe gabimeve që bëhen në fushë.

Arbana Osmani: Sapo ka mbaruar “Big Brother” dhe Arbana, të parën gjë që ka menduar ka qenë të bëjë disa ditë pushim. Megjithatë, edhe pse larg Tiranës, kjo nuk do të thotë se personazhet tanë qëndrojnë larg të parit të ndeshjeve. Arbana, edhe pse vetë nuk është ndonjë tifoze e zjarrtë, ka treguar se mbështet partnerin e saj. “Unë nuk jam fare e apasionuar pas futbollit, por meqenëse i dashuri im është me Gjermaninë, edhe unë bëj tifo për këtë skuadër”, – ka thënë me nota humori Arbana.

Xhemi Shehu: Xhemi duket se është një nga tifozet më të qëndrueshme të vajzave tona të ekranit. Qysh e vogël ajo tregon se ka qenë tifoze e Anglisë, kjo pasi siç thotë ajo, “në shtëpi jam rritur me frymën e anglezëve”. Jam me anglezët prej vitesh, edhe pse i konsideroj pa fat në futboll, por shpresoj që t’ia dalin këtë herë ngaqë ka ndryshuar edhe trajneri”.Nëse nuk e fiton Anglia, le ta fitojë kush të dojë përveç Gjermanisë, ka thënë Xhemi, edhe pse ka shtuar duke qeshur se me këtë të fundit kushedi sa tifozë të Gjermanisë do të ketë kundër.

Stela Kotri: Prezantuesja e emisionit të mëngjesit në “Vizion +”, Stela Kotri edhe pse nuk bën tifo për ndonjë skuadër në veçanti, ajo në këtë Europian duket se është tifoze me portierin e Spanjës, Kasijas. “Nuk shoh shumë futboll, ndërsa lojtari i preferuar është portieri i Spanjës, pasi e mbaj mend qysh e vogël”, – ka thënë Stela për “Mapomania”.

Lori Haxhiu: Një nga prezantueset më të reja që iu zgjon çdo ditë me emisionin e saj “Agon” në “AS”, Lori Haxhiu është një tifoze e çmendur e italianëve. Është skuadra e saj e zemrës, të cilën nuk do ta braktiste dot. S’ka se si të ndodhë ndryshe, pasi ajo jo vetëm që ndjek çdo ndeshje të Italisë, por është e informuar edhe për çdo lojtar dhe karrierën e tij në veçanti. E meqë jemi tek lojtarët, i preferuari i saj është portieri Gianluigi Buffon, kapiteni i Italisë, i cili është vlerësuar para pak kohësh si portieri më i mirë në 25 vitet e fundit./mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here