Njëri prej pianistëve dhe kompozitorëve më të shquar turq është paraqitur të enjten në gjykatë në Stamboll për t’u mbrojtur nga akuzat për fyerje të myslimanëve dhe të islamit me anë të disa komenteve që ka bërë në rrjetin social Twitter.

Fazil Say, i cili ka luajtur në Filarmoninë e New Yorkut, në orkestrën simfonike të Berlinit dhe të tjera, akuzohet se në prill ka postuar disa komente me një thirrje për lutje në Twitter, e cila zgjati vetëm 22 sekonda.

“Pse me kaq nxitim? A po ju pret e dashura apo ndonjë raki në tryezë?”, kishte shkruar Say në komentin e tij. Rakia është një pije tradicionale alkoolike, konsumimi i së cilës është i ndaluar me fenë islame. Pikërisht për këtë arsye, shumica e islamikëve e konsiderojnë këtë vlerësim të tij si të papranueshëm.

Prokuroria në qershor e kishte akuzuar Sayin për nxitje të dhunës dhe armiqësisë publike, si dhe për fyerje “të vlerave fetare”. Ai tani përballet me një dënim maksimal prej 18 muajsh burgim, edhe pse akuza ndaj tij ka shumë gjasa të mos ketë bazë.

Say, i cili ka shërbyer si një ambasador kulture i Bashkimit Evropian, i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërkuar që të shfajësohet, ka raportuar agjencia turke e lajmeve Anadolu. Gjykimi ishte shtyrë deri më 18 shkurt ndërsa muzikantit i është ndaluar e drejta për të mos u shfaqur në seancat dëgjimore, për shkak të obligimeve koncertale.

Prokuroria ka shkaktuar zemërim në mesin e intelektualëve në Turqi dhe ka shtuar shqetësimet rreth lirisë së të shprehurit në vend. Me qindra ithtarë, mbështetës dhe aktivistë të të drejtave njerëzore janë paraqitur në gjykatën në Stamboll në shenjë solidariteti me Sayin, duke bartur pankarte në të cilat shkruante: “Fazil Say nuk është vetëm” dhe “Liri artit, liri botës”.

Say (42) është një kritik i ashpër i qeverisë me rrënjë islamike të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, një mysliman i devotshëm që i mbështet vlerat konservatore dhe i alarmon turqit shekullar, të cilët druajnë se qeveria planifikon ta bëjë fenë pjesë të jetesë së tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here