Ata kanë një apartament të zhurmshëm dhe me dyer të hapura. Publiku mund të hyjë brenda dhe ta gjejnë veten pjesë të spektaklit, ku dhe personazhet VIP mund t’i ndiejnë shumë pranë.

Djemtë e grupit “The Shblsh” kanë mbyllur sezonin e parë të spektaklit “Apartamenti 2XL” dhe nuk mundën ta kishin në programin e tyre, politikanin Fatos Nano. Por gjatë emisionit të mëngjesit “Dita ime”, ku aktorët ishin të ftuar kanë marrë një telefonatë surprizë nga Nano, i cili u premtoi se do t’i vizitojë në apartamentin e tyre XXL, në emisionin e parë të sezonit të ri në shtator.

Gjithsesi, djemtë thonë se ai është i paparashikueshëm, ndaj ngelet për t’u parë nëse ai do të jetë vërtet në program. Julian Deda tregon arsyen pse janë fiksuar pikërisht me këtë politikan:

Juli, ju e mbyllët sezonin e parë të “Apartamentit 2Xl”, por Fatos Nano nuk erdhi që nuk erdhi. Pse jeni fiksuar pikërisht me Nanon?

“Apartamenti 2XL” si format ka të ftuar një ose dy personazhe VIP-të për çdo puntatë. Ideja e formatit është që personazhi që vjen duhet të performojë diçka tjetër jashtë profesionit të tij. Përsa i përket Fatos Nanos, ne në fakt vendosëm të dilnim jashtë formulës, pasi kishim dëshirë t’i bënim thirrje çdo të diel një personazhi të rëndësishëm të politikës shqiptare.

Diskutuam disa emra mes të cilëve; Bamir Topin, Sali Berishën, Jozefina Topallin, Edi Ramën, etj, dhe menduam se kujt ia vlente vërtet t’i bësh një thirrje të tillë publike. Por duke parë që këta persona shumë të pranishëm në jetën tonë, i shohim përditë në ekrane të ndryshme, menduam që s’do të ishte ndonjë gjë e re për publikun t’i bënim thirrje ndonjërit prej tyre.

Kështu vendosëm për Fatos Nanon, për shkak të shkëputjes së tij nga jeta publike, dhe tipit të tij sportiv. Menduam se ai do e merrte me sportivitet këtë ftesë dhe në fakt kështu e ka marrë. Po natyrisht që ai s’mund të pranonte ashtu menjëherë dhe i takon të bëjë të vështirin.

Por, para disa ditësh, nëpërmjet një lidhjeje telefonike në studion e emisionit “Dita ime”, ai u premtoi se do të vijë në hapjen e sezonit të ri. Besoni se do e mbajë fjalën?

Po ai na premtoi në transmetimin direkt të emisionit “Dita ime” në “Vizion Plus” dhe ne po përgatitemi që në emisionin e parë të sezonit të ri në shtator ta kemi të ftuar. E nëse ai do ta mbajë fjalën, ose jo, këtë nuk e dimë, pasi dihet që është tip i paparashikueshëm. Por tipat simpatikë janë të paparashikueshëm, kështu që dhe kjo pjesë e pritjes na pëlqen.

Po publiku ende s’e ka të qartë nëse ju e pëlqeni Fatos Nanon si figurë politike apo jo?

Nano është tip shumë sportiv, politikan i zoti, shumë i zgjuar, dhe patjetër konsiderohet personalitet i politikës shqiptare, pavarësisht mendimit që mund të kenë të tjerët. Për ne është vërtet është nder ta kemi në emision.

Si e keni menduar skenarin për Nanon, si do ta prisni, si hero apo si njeri të zakonshëm?

Tani nuk kemi asgjë të kristalizuar në mendje, pasi kemi kohë ta mendojmë bashkë me të. Në përgjithësi me të gjithë personazhet e mendojmë bashkërisht skenarin.

Ftesa juaj ndaj Nanos ka qenë vetëm nëpërmjet emisionit, apo ju ia keni dërguar ftesën personalisht?

Jo, patjetër që ia kemi bërë ftesën personalisht dhe ai ka refuzuar për çështje kohe. Por gjithsesi, ai e meriton të bëjë kështu sikur s’do të vijë. (qesh)

Por në këtë tentativë tuaj për të pasur në emision politikanët, si konsideroheni të suksesshëm apo jo, pasi nuk kemi parë shumë politikanë në emisionin tuaj. Jeni refuzuar shpesh?

Deri tani kemi pasur në emision Erion Veliaj dhe Blendi Klosin. Por nuk mund t’i quanim refuzime, por anashkalime për shkak të punës. Por mund të kenë qenë edhe anashkalime për hir të refuzimit. (qesh)

“Apartamenti 2XL” duket si një program humori shumë rinor. A do të ketë në sezonin tjetër personazhe VIP në moshë të madhe?

Kjo është e vërtetë, është spektakël rinor, që funksionon si një lojë. Por ky nuk është një rregull, patjetër që do të jenë dhe ata të vjetrit. Për shembull, sezonin e ri mund të shihni edhe këngëtarët Irma Libohova apo Aleksandër Gjoka, këngëtarë me karrierë.

Pasi Fatos Nano të vijë, kujt personazhi do t’i bëni thirrje për të qenë në apartamentin tuaj?

Derisa të vijë Fatos Nano do vazhdojmë ta kërkojmë. Nëse ai vjen, më pas do të ulemi dhe do mendojmë për një figurë tjetër, po aq të rëndësishme.

Ndërkohë që i keni dhënë fund për këtë sezon humorit në “Apartamentin 2 Xl”, duket se e ke marrë shumë seriozisht garën e “Dancing with the stars”…

Në fillim garën e “Dancing with the stars” e mora me shumë moskokëçarje, ndërsa tani ndiej emocione të vërteta gare, pasi baleti nuk është profesioni im dhe kërkon shumë punë për ta përvetësuar. Gjithsesi ndihem shumë mirë, dhe jam i lumtur që publiku më voton./PanoramaPlus/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here