Fatos KryeziuMendoni se jeni i lindur për aktor? Fatos Kryeziu: Ndoshta s’ka kuptim të them po. Unë kam vendosur të merrem me aktrim, dhe e kam parë që nuk kam gabuar.

Aktrimin e kam dashur që nga shkolla e mesme, dhe ëndrra më është realizuar. Prandaj jam shumë i lumtur me angazhimet e mia në këtë profesion.

Cilin rol tuajin do ta veçonit? Fatos Kryeziu: Është ‘gjynah’ t’i veçoj rolet, sepse të gjitha janë të mira dhe dalin prej shpirtit. Sinqerisht nuk më bën zemra ta veçoj ndonjërin nga rolet e luajtura, sepse secilin kur e marrë përsipër ta luaj, mundohem që ai rol të dalë sa më mirë.

Përafërsisht, sa role keni realizuar deri më tani? Fatos Kryeziu: Përpos serialit “Kafeneja Jonë”, kam realizuar 2-3 shfaqje në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, një shfaqje në Teatrin “Oda”, dy shfaqje në Teatrin e Prizrenit, dhe kështu me radhë.

Nëse nuk do të merreshe me aktrim, ku do ta gjenit veten? Fatos Kryeziu: Nuk e di, kisha punuar diçka sa për të jetuar, ndoshta isha bërë gazetar.

Përpos aktrimit me çka merreni? Fatos Kryeziu: Pas aktrimit unë merrem me muzikë. Muzikën e dua shumë, ndihem mirë kur e dëgjoj, dhe po ashtu edhe kur këndoj. Muzika është pjesë shumë e bukur e artit, dhe pa muzikë s’mund të rri askund. Në veturë dëgjoj muzikë, në shtëpi, në telefon, e kudo që ndodhem. Siç e dini unë kam realizuar një këngë me videoklip, dhe mendoj që të vazhdoj përsëri me këngë të reja.

Çfarë mendoni për rolin tuaj të “kryemadhit”?

Fatos Kryeziu: Kushdo që e shikon serialin “Kafeneja jonë”, më njohin me këtë emër. Është një rol që mendoj se e kam realizuar mirë dhe kjo është sezona e gjashtë e këtij seriali, dhe prapë vazhdojnë të më duan me këtë rol. Sipas meje ky është një sukses i madh, dhe kishte me qenë edhe një sukses më i madh poqëse vazhdoj ta “mbaj” rolin me këtë ritëm. Shpresoj se edhe rolet tjera në të cilat do të jem i angazhuar në të ardhmen, të jenë po aq të suksesshme sa edhe “kryemadhi”. Ishalla njerëzit do të më duan edhe në rolet e tjera sa e duan “kryemadhin”.

Në jetën reale, a keni diçka të përbashkët me këtë rol?

Fatos Kryeziu : Realisht në përditshmëri nuk kam asgjë të përbashkët me “kryemadhin”. Në jetën reale unë jam shumë më i qetë se në rol.

Si ndiheni kur njerëzit ju identifikojnë si “koka” e jo si Fatosi?

Fatos Kryeziu : Kjo është shumë normale, sepse njerëzit janë mësuar të na shohin në televizion, dhe për ta unë jam ai që paraqitem edhe në rol. Nuk më pengon aspak nëse më identifikojnë me atë emër, sepse tani ajo është pjesë e imja.

Çka jeni duke punuar këto ditë dhe a keni ndonjë plan?

Fatos Kryeziu: Jam i angazhuar në serialin që tash ka hyrë në sezonin e gjashtë të serialit “Kafeneja jonë”, dhe po vazhdojmë të xhirojmë episodat më të reja. Gjithashtu kam qenë pjesëmarrës në një film në Belgjikë, ku kam luajtur edhe me disa aktorë te tjerë shqiptar si: Blerim Destani, Çun Lajqi, Afrim Kasapolli, Kushtrim Sheremeti, Safete Rugova, dhe Jehon Gorani. Filmi titullohet “Dosja K”, regjisor është John Verhejen, dhe asistent regjie është Gazmend Zhugolli.

Mendoj që është një film i realizuar mirë, dhe do të keni rastin që pas janarit të mund të shikohet edhe në Kosovë. Kemi punuar me një ekip shumë të madh, aty kam parë se si bëhet një film i mirë, dhe për mua do të mbetet një ndër përvojat më të bukura të jetës sime. Përpos angazhimeve të mia si aktor, kujdesem edhe për vajzën time 10 muajshe, Ninën. Çdo mëngjes më duhet ta dërgoj në kopsht, sepse gruaja ime në atë kohë është në punë. Ndërsa për planet, në dhjetor do të jem në Belgjikë sepse atëherë do të jepet edhe premiera e filmit “Dosja K”. Gjithashtu më vonë do të jem i angazhuar edhe në teatër. /Bota Sot/

2 KOMENTET

  1. shum mir fatos veq vazdooooo per mu je ma i miri qe lunnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnnn

  2. fatos je maimir ne kafenen ton po nese ka munci me tregu ka e ki orizhinen shkruj nga zvicrra nga cili vend i kosoves vjen nese ka munci po me gjithat je maimir te uroj te mira ne jet kryeziu afrim zvicerr

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here