Fatet e ish lojtarëve më të spikatur të Big Brother ndër vite. Ditët e famës, publicitetit, lajmeve në media dhe harresës së shumicës prej tyre. Lavdia, meritë e një formule spektakli dhe aftësia për të kapur rastin.

Ermali dhe Françeska janë ndarë. Pas një vere të mbushur me lajme gazetash e kopertina revistash, çifti i dalë nga edicioni i fundit i Big Brother Albania u dorëzua.

Ndryshe nga pararendës të tyre, që e kanë pasur jetën diçka më të gjatë, ish Mister Albania dhe bukuroshja, që gjithashtu disa vite më parë ka kërkuar një kurorë bukurie në “Miss Shqipëria”, i dhanë fund lidhjes, për të cilën disa parashikonin bashkëjetesë e ndoshta diçka më shumë, e disa të tjerë vinin bast se vazhdonte vetëm për inerci ose për pak publicitet pas përfundimit të spektaklit. Fituan këta të dytët. Lajmi i fundit për dyshen Françeska-Ermal konfirmoi ndarjen, pa folur pastaj për ato që tabloidët shkruanin se shkak ishin tradhëtitë reciprokte të secilit. Nuk funksionoi me pak fjalë, dhe tentativa e fundit e Françeskës për të mbetur ende në vëmendjen e publikut ishin disa foto provokative që u botuan, por edhe u harruan shpejt. Me gjasë, nëse asnjërit prej tyre nuk do t’i ofrohet ndonjë mundësi për të punuar në ndonjë ekran, ose nëse ndonjë lidhje e re nuk do të shfaqet në horizont, edhe këta protagonistë të Big Brother Albania 5, do të kujtohen deri kur edicioni i radhës të nisë transmetimin dhe personazhe të tjerë të fillojnë të përfliten. Sepse tek e fundit kështu ka ndodhur edhe me të tjerë përpara tyre. Big Brother është lloji i reality show-t që nga të rinj krejt të panjohur, i shndërron në personazhe publikë lojtarët e vet. Ca më të famshëm e ca më pak, ca prej karakteristikave individuale e ca prej lidhjeve dashurore të lindura brenda shtëpisë së Vëllait të madh. Madje me kalimin e viteve duket sikur në Big Brother formula që funksionon më shumë është pikërisht kjo e çifteve, paçka se deri tani nuk ka ndodhur që ndonjë të dalë fitues pse ka prekur publikun nga ndjenjat e shfaqura brenda mureve të shtëpisë. Sidoqoftë e vërteta mbetet se kur bëhet fjalë për çifte, të njohur e të dashuruar aty, personazhet mbahen mend më gjatë se të tjerët. Fjala vjen, edhe pse ka kaluar kohë, historia e famshme e Adelajdës nga Kavaja, që kërkonte të ndryshonte jetën me pjesëmarrjen në Big Brother, me Bjordin e ardhur nga Italia, pikërisht për të kërkuar famë, ende edhe sot ngjall interes. Mbse sepse ata ishin ndër shumë të paktët çifte që nisën bashkëjetesën me të dalë nga spektakli dhe pritshmëritë ishin që prej tyre të dëgjohej edhe shpallja e ndonjë date martese. Adelajda Xhamani bëri fansët e vet me historinë e saj, atë të një mësueseje fshati që theu tabu, siç edhe Bjordi Mezini, me fytyrën prej vogëlushi dhe shqipen e çalë me theks italian, ngjallte simpati. Qëndruan bashkë edhe shumë muaj të tjetër pas përfundimit të spektaklit duke shijuar edhe për shumë kohë lavdinë që Big Brother iu fali. Por si përfundim, me aq sa thuhet, edhe në rastin e tyre fundi “dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë” nuk është i shkruar. Pas një filmi të realizuar në Itali, ku interpretonte një rol protagonist, Bjordi Mezini e ka lënë edhe Adelajdën, edhe Shqipërinë. Ka realizuar ëndrrën e madhe që e shprehte kudo, të punonte në televizion, mundësisht me filmin. Aktualisht mban postin e një asistent regjisori dhe siç thonë thashethemet nuk ka ndër mend të kthehet më. Vlen edhe për Adelën realizimi i ëndrrës. Megjithëse e ndarë nga Bjordi, nuk i është kthyer më as Kavajës dhe as mësuesisë në fshat. Është vendosur në Tiranë, punon si gazetare dhe megjithëse vetëm, misioni në Big Brother edhe për të mund të quhet i përmbushur.

Por çka ndodhur ndërkaq me personazhe të tjerë të Vëllait të Madh që në kohën e tyre ishin protagonistët e ditës? Ku bëhen ish-fituesit dhe të tjerët që u përfolën për historitë pikante personale, për dashuritë brenda ose jashtë shtëpisë, për prirjet seksuale apo aftësinë ose jo për t’iu përshtatur shtëpisë? Ndër më shumë se 100 personazhe që kanë parakaluar para publikut shqiptarë jo të gjithë kanë qenë me fat. Ka ndër ta që mbase nuk është se i shohim çdo ditë nëpër gazeta, por të paktën e kanë fituar një vend të mirë pune dhe të tjerë që ikën dhe u harruan bashkë me puntatën e fundit të spektaklit ku morën pjesë.

Për ta nisur nga këta të dytët: historitë e dashurisë janë shënuar bashkë me edicionin e parë të Big Brother Albania. Shumëkush mund të kujtohet, qoftë edhe shkarazi për Polin, i cili u dashurua pas Inës. Kjo ishte ndër të parat lidhje brenda shtëpisë e si e tillë, u komentua, përgojua, u lidhën baste dhe u prit me interes se ç’do të ndodhte më pas. Pesë vjet më vonë, as Poli dhe as Ina nuk përbëjnë më lajm. Janë ndarë dhe aktualisht të dy jetojnë në Tiranë. Pasi tentoi të bëhej pjesë e botës së spektaklit, Poli ka pranuar si fatin e tij, punën një një agjenci publicitare, ndërsa Ina pas përfundimit të shkollës thuhet se punon në një agjensi sigurimesh. Kanë ndërtuar një jetë duke e lënë në të shkuarën lavdinë e momentit që shijuan në Big Brother. Vlen kjo edhe për një tjetër çift, shumë më të komentuar se Ina dhe Poli. Për natyrën moskokëçarëse, të thënit të gjërave troç, për look-n ekstravagant dhe sidomos për skenat provokative që shoqëruan lidhjen e tyre brenda shtëpisë së Big Brother ka qenë edhe Najada, shkurt Noçja, bashkë me të dashurin edhe shumë kohë pas finales, Olsi Mingomataj. Me gjithë natyrën e shkujdesur të Najadës, më shumë se ajo, pas spektaklit u përfol Olsi. Qejfli i jetës së natës dhe femrave ai dukej më pak i qëndrueshëm dhe i dhënë pas kësaj lidhje ndërkohë që çifti u përfol shumë herë si i ndarë e shumë herë si i bashkuar. Kur shpallën zyrtarisht ndarjen Najada u distancua disi nga vëmendja e publikut duke lënë në qendër të vëmendjes Olsin. Një nga biznesmenet e njohura në Tiranë, Shefikat Ngjela, i ofroi punë dhe kjo ia shtoi dozat e publicitetit djalit të ardhur nga Anglia. Thuhej se menaxhimin e një bari dinte ta bënte mirë dhe falë kësaj Olsi i fitoi edhe disa muaj vëmendje deri kur u shfaq në horizont dashuria e tij e re, aktorja bukuroshe Olta Gixhari. Asokohe ish-lojtari i Big Brother e kishte lënë lokalin e Ngjelës dhe administronte klubin e vet. Historia me Oltën i rikthehu famën e dikurshme, e cila për inerci zgjati edhe disa kohë pas ndarjes, mbase prej interesit për të mësuar se cila do të ishte vajza e radhës me të cilën do të shoqërohej. Por lajmet e fundit që janë dëgjuar prej tij kanë qenë vetëm pushimet në Tajlandë dhe, siç thuhet, vendimi për ta lënë Shqipërinë për t’u transferuar në Holandë.

Për të mbetur tek i njëjti edicion i Big Brother: prej kohësh nuk vijnë lajme edhe prej Ilda Gegës. Eksperienca e saj në këtë reality zgjati shumë pak, por sherri me pjata brenda shtëpisë dhe fytyra e bukur e Ildës mjaftuan që vajza nga Tropoja të kthehej në kryepersonazh. Pasi shijoi famën që Vëllai i Madh i dhuroi sa hap e mbyll sytë, Ilda u kthye andej nga kishte ardhur, në Boston, SHBA. Atje ka familjen dhe pas eksperiencës shqiptare u kthye për të vazhduar shkollën. Aktualisht punon me kohë të pjesshme në një bankë dhe thur plane për një të ardhme amerikane.

Pas personazhesh të tillë edicioni i dytë i Big Brother, në vitin 2009, e pati të garantuar suksesin që në fillim. Fituesi ishte sërish një djalë, Qetsor Ferunaj, fama e të cilit zgjati shumë më tepër sesa e të parit, Arbër Çepani. Ai i mbijetoi lojës me tipin e djalit serioz, të dhënë pas familjes, i zoti në kuzhinë dhe i aftë në përballjen e debateve dhe bisedave. Qetsorit i shërbeu Big Brotheri-i edhe shumë kohë pas daljes nga shtëpia, në fillim për nisur mbarë biznesin e ngritur në bregdet e më pas për të besuar se ia thoshte edhe për politikë. Pranoi ofertën e Partisë Demokristiane në zgjedhjet e 2009-ës për të qenë një nga 12 kandidatët e saj në zonën e Vlorës. Por nuk i shkoi aq mbarë sa në Big Brother, çka megjithatë nuk ia lëkundi besimin se ishte i zoti të fitonte edhe lojra të tjera të ngjashme reality. Vitin e kaluar e ftuan në Kosovë në një format të ngjashëm, ofertë që Qetsori e pranoi pasi shprehu publikisht bindjen se mund të ishte fituesi i mundshëm. Por edhe kësaj here, ashtu si edhe në politikë, nuk i shkoi siç pretendonte. Si përfundim është kthyer në vendlindje dhe i gëzohet familjes dhe biznesit.

Me lavdi u kthye në vendlindje, në Lazarat, edhe Republika Kasmahu, pretendente për çmimin e madh 70 mijë eurosh në Big Brother 2. Bikja ia ndjeu lezetin shpejt lojës së saj: me t’u kthyer, fshati e shpalli “Qytetare Nderi” dhe paskëtaj, vajza e sertë dhe serioze e këtij edicioni u bë gjithashtu pjesë e politikës duke kandiduar për kryetare komune në Lazarat, nën flamurin e Partisë Socialiste. Por meqë nuk ia doli të fitonte iu rikthye ëndrrës së vjetër, asaj të studimit në shkollën e policisë. Me aq sa është shkruar e thënë për të, Bikja është transferuar në Tiranë, ndjek Akademinë e Rendit dhe më në fund po punon si inspektore policie. Politika la në baltë atë vit edhe një tjetër konkurent, fort të pëlqyer të Big Brother: Dritan Shehaj. Djali shtatlartë nga Gjirokastra u diskutua si fitues i mundshëm, prej profilit prej djali të mirë dhe serioz, i shkolluar dhe me kulturë. Por mbase pse ishte më i mirë se çduhej, Dritani doli nga loja shpejt dhe pa humbur kohë u bë pjesë dhe kandidat në zgjedhje i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe ai ishte rasti i shfrytëzimit nga politika meqë hyri dhe doli nga skena e saj shumë shpejt. Aktualisht, jeton në Tiranë, është martuar me Evën dhe është babai i një djali.

Lirita nga Prishtina, vajza e qeshur e shtëpisë mbahet mend për humorin dhe batutat. Ajo është kthyer në Prishtinë, vazhdon lidhjen me Atdhetarin dhe punon si gazetare. Ndërsa kosovarja tjetër që iu afrua finales, Mimoza Krasniqi, pasi jetoi dy vjet në Prishtinë është vendosur në Tiranë bashkë me familjen. Pavlin Polia nga Veriu i Shqipërisë, ai që tërhoqi vëmendjen e publikut për historinë e divorcit dhe pamundësinë për të parë fëmijët, ka ngritur një familje të re. Jeton në Theth dhe punon si guidë turistike në këtë zonë. Më me fat sa i takon vazhdimësisë ka qëlluar Arjon Muça, gjithashtu lojtar në Big Brother 2. Fati e ndihmoi edhe sepse ishte bir i një stilisteje me emër në Tiranë, Jona Muça, dhe pas disa punësh si model iu realizua ëndrra për të qenë pjesë e televizionit: është pjesë e stafit të Ardit Gjebreas në “E diela Shqiptare”.

Një nga konkurentët më të pëlqyer të edicionit të tretë të Big Brother, i diskutuar edhe si fitues i mundshëm, ka qenë edhe Hakiu nga Kosova. U prezantua si njeri i shkolluar dhe i qetë, i talentuar në të shkruar. Pas mbarimit të lojës Kikja u kthye në Prishtinë, është pjesë e mediave të Kosovës dhe aktualisht punon në radio “Blue Sky” dhe RTK. Ndërsa Domenika Çaushaj, e cila u bë pjesë e lojës bashkë me të ëmën, Valentinën, qëndroi në faqet e shtypit edhe pas daljes nga gara falë historisë së dashurisë me Seldi Qalliun. Lidhja e tyre përfundoi me ndarje dhe shumë thashetheme, sidomos pas fillimit të bashkëpunimit, bashkë me fjalët që e shoqëroi, të Seldit me Sinan Hoxhën. Domenika zbuloi “marrëdhënien” e dy këngëtarëve dhe në fund vendosi të largohej dhe të vendosej përfundimisht në Romë.

Me ndarje përfundoi edhe një tjetër histori dashurie e nisur në “Big Brother 3″, ajo e Bertinës me Erjonin. Një çift simpatik që dukej se do të ishte më me fat se të tjerët, por që nuk rezultoi i tillë. Lidhja e tyre zgjati dy vjet dhe çifti vendosi edhe të bashkëjetonte. Por me sa duket të jetuarit në një shtëpi nxorri edhe probleme, “mospërputhje karakteri”, siç e kanë thënë vetë ata, që i shtyu t’i jepnin fund me aq. Bertina punon si menaxhere në një agjenci sigurimesh dhe pas përfundimit të lidhjes duket sikur është harruar disi, ndërsa Erioni ndjek rrugën e televizionit. Pas disa sezonesh në Albanian Screen me emisionin e mëngjesit, ai është transferuar në Vizion Plus me të njëjtin format që duket se i shkon më tepër.

Shumë më tepër me fat se një tjetër banor i shtëpisë së Vëllait të Madh të vitit 2010. Klodian Çela u bë i njohur për homoseksualitetin e tij. Një formulë e menduar mirë e autorëve të Big Brother, e cila sigurisht që shkaktoi zhurmë dhe polarizoi publikun. Klodi ishte i pari shqiptar që rrëfeu publikisht prirjet e tij seksuale. Për të u shkruan artikuj, u zhvilluan forume e madje pati edhe revolta në qytetin e tij të origjinës, në Lezhë. Por buja e Klodit filloi dhe mbaroi me aq. Pasi punoi për disa muaj në “Top Albania Radio” foli i zhgënjyer për jetën pas Big Brother dhe në fund vendosi të kthehej në Itali, aty ku kishte jetuar për shumë vite. Aktualisht punon si menaxher klubesh në një zonë turistike të Breshias. Sidoqoftë Klodi me siguri do të mbahet mend shumë më gjatë sesa fituesi i këtij edicioni, Jetmiri, i cili pas fitores u zhduk plotësisht nga jeta publike.

Gjë që nuk mund të thuhet për Nedën e edicionit të katërt të Big Brother. Ajo nuk u shpall fituese, siç priste, por nga shtëpia e Vëllait të Madh doli me një histori dashurie e cila deri tani është më jetëgjata ndër gjithë të tjerat. Ajo dhe Ogreni vazhdojnë të jenë bashkë, herë pas herë shfaqen të dy në faqet e shtypit, ndërkohë që Neda shkruan dhe boton libra duke përmbushur kështu pasionin që e pat shprehur edhe gjatë kohës kur ishte në lojë. Ka paralajmëruar një libër mbi jetën brenda shtëpisë së Vëllait të Madh. Lajmi i fundit i dalë prej saj është përfshirja në politikë: është zëdhënëse e Aleancës Kuq e Zi dhe aspiron t’i hyjë seriozisht jetës politike. Ogreni punon si menaxher dhe çifti premton të ketë të reja sa i takon bashkëjetesës e ndoshta edhe martesë. Një fund shumë më i lumtur krahasuar me një tjetër çift të edicionit të vitit 2011. Mirjeta dhe Mirjeli ishin entuziastë për lidhjen e tyre kur dolën nga shtëpia e Big Brother. Por kundër doli nëna e djaloshit biond me kaçurrela dhe për një farë kohe nuk u dëgjua asgjë për ta. Si përfundim çifti u nda dhe pak muaj më vonë erdhi lajmi tjetër që Mirjeta nuk kishte humbur kohë duke vajtuar dashurinë e shkuar. Ajo u dashurua me një djalë nga Kosova, Burim Fejzuallahun, me të cilin u martuan pak javë më parë. Ata janë transferuar në Londër ku do të jetojnë tani e tutje. Në dasmë ishte i ftuar edhe Mirjeli, por ish-lojtari nuk ishte i pranishëm. Ashtu si Klodiana Stojku, shoqja e ngushtë e Mirjetës brenda shtëpisë, e cila nuk e arriti festën e mikeshës së vet sepse prej muajsh nuk jeton në Shqipëri. Vajza nga Tirana është vendosur gjithashtu në Londër, për studime.

Ndërsa Ergys Bamçi është rikthyer në Shkodër pas lojës në Big Brother Albania 4. Historia e tij preku publikun dhe mori shumë vota. Vështirësitë e jetës së Ergysit dhe varfëria në të cilën jetonte u bë temë diskutimi për një kohë të gjatë, aq sa djali nga Shkodra u diskutua shpesh edhe si fitues i mundshëm i këtij edicioni. Por Ergysi arriti deri në çastet finale të spektaklit pa e prekur fitoren. Pas daljes nga loja, bashkë me të tjerë banorë formuan një grup dhe udhëtuan nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, një sukses që zgjati shumë pak në kohë. Kështu Ergysi u kthye në qytetin e lindjes ku punon si producent spektaklesh në teatrin “Migjeni”.

Vendin e tij dhe paraardhësve të edicioneve të mëparshme e kanë zënë, Françeska, Ermali, Genta e të tjerë protagonistë që u dalluan në edicionin e fundit të Vëllait të Madh. Ata janë personazhet e ditës që përbëjnë lajm me gjithçka bëjnë dhe kudo shkojnë. Në fund të vitit pritet të fillojë edicioni i gjashtë dhe autorët e këtij programi kanë paralajmëruar të tjerë personazhe interesantë, qoftë nga historitë personale, qoftë si karaktere. Çka do të thotë se pas një viti ndoshta historia e Ermalit dhe Françeskës do të jetë harruar, sado e bujshme të duket tani, dhe në fronin e famës “alla reality” do të jetë ulur tjetër kush.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here