Pas Anbeta Toromanit, Kledi Kadiut, Elsa Lilës etj një tjetër një tjetër shqiptare shndërrohet në markë suksesi në Itali. Evi Reçi së fundmi ka realizuar kolonën zanore të një filmi Italian, kurse këngët e saj janë shndërruar në hite në radio-televizionet muzikore italiane.

Së fundmi thuajse jeni zhdukur fare nga Tirana, ju shohim vetëm nëpërmjet klipeve. Sa e rëndësishme është për një këngëtar që të jetë i pranishëm për publikun në mos fizikisht nëpërmjet klipeve?

Për një këngëtar janë të rëndësishme të dyja. Ndihmojnë në ndërtimin e një imazhi publik si njëra dhe tjetra. Justifikoj “zhdukjen” time si një zgjedhje personale për tu fokusuar më shumë në studimet e mia universitare por edhe punës së re në radio.
Si ia bënin të mbani gjallë një karrierë artistike në Shqipëri duke qenë se jetoni në Itali?
Spostimet janë gjithmonë të vështira. Për një kohë të gjatë vitin e kaluar udhëtoja një javë po e një javë jo. Ndaj me publikimin e dy videove të reja “Whatever dream” e “Zhdukem Ngadalë”, i dhashë kohë vetes për realizimin e qëllime të tjera.

Përse nuk keni hequr dorë së bashkëpunuar me Flor Mumajesin?
Flori, ka aftësi bashkëpunimi të jashtëzakonshme. Arrin të kuptoj e të krijojë produktin që të dy në fund pëlqejmë e shijojmë.
Sa rëndësi ka pasur emri i tij në krijimin e emrit tuaj?
Patjetër është një kartë e fortë. Hyrja në tregun shqiptar të muzikës që ka krijuar sistemin e tij tashmë, me bashkëpunimin me njërin prej më të suksesshëmve më ka ndihmuar mjaft për të arritur të nxjerr gjithë përgatitjet e mija artistike në fushën e muzikës.
Një nga këngët tuaja është përzgjedhur si kolonë zanore e një filmi italian. Mund të na tregoni diçka më gjatë për këtë projekt dhe si u përzgjodh kënga juaj?
Vëllezërit Marchi, regjisorët e filmit u intervistuan prej meje në serinë e kronikës time ne gazetën “UniCittà” (MusicArte) ku u krijua edhe kontakti i parë. Pasi hetuan mbi punët e mia artistike më propozuan bashkëpunimin me ta. Maestro Francesco Traversi, kompozitori gjeti përshtatshmëri vokale me melodinë e këngës dhe më pas u realizua edhe klipi. Në 18 maj ishte premiera e filmit në Montepulciano të Italisë ku gjatë hapjes, unë pata nderin të këndojë këngën live. Ishte një emocion shumë i madh pasi puna e tre viteve gjatë të cilave u xhirua filmi, përpara gjithë publikut mu besua mua.
Sa i rëndësishëm është për ju tregu muzikor italian dhe sa keni investuar për tu lançuar atje?
Jam e kënaqur pasi kënga “Whatever Dream” është lançuar si këngë tendencë në Radiotevizionin Italian Rai. Ajo që është interesante është interesimi që kanë treguar përfaqësues të bashkisë së Firences si dhe blogjeve të tjera muzikore për këngën e fundit ‘Zhdukem Ngadalë’, e cila është xhiruar po në Firence.
Së fundmi shumë këngëtare shqiptare po mundohen të shfrytëzojnë imazhin për të bërë karrierë, me ju ka ndodhur e kundërta. Ju duket se i ruheni medias e veçanërisht medias rozë, përse?
Sistemi jo vetëm shqiptar por edhe internacional është i ndërtuar i tillë. Publiku kërkon gjithmonë të dijë për jetën tënde personale dhe kjo është natyrale. Ajo që personalisht mendoj është që informacioni mbi jetën private në të vërtetë nuk përbën asnjë interes të vërtetë artistik.

Çfarë ndodh nëse një këngëtar ekspozohet tepër në media?
Çdo lloj arti ka nevojë të ketë periudhat e veta të frymëmarrjes. Janë periudhat e pjekjes ose kërkimeve të tendencave të reja. Por nuk jam kundër bombardimit mediatik pasi mendoj se nëse ndjen dhe meriton vëmendje je në atë cikël ku zbrazesh artistikisht dhe se sistemi nuk do të lëshoj kurrë dhe gjatë periudhës së përgatitjes.
Ju si jeni në jetën e vërtetë?
Shumë me tolerante nga jeta artistike.
Si keni arritur të krijoni një balancë mes jetës profesionale dhe asaj personale?
Jeta ime personale kalohet me njerëz me të cilët pa dashje rrah një mendim, ide apo realizimin e diçkaje profesionale. Kështu të dyja jetët e mia; personale dhe profesionale arrijnë të balancohen natyrshëm. Vështirësia qëndron vetëm në faktin e rezervimit të jetës private pasi herë-herë të duket sikur kujdesesh për ‘’dy emra’’ të ndryshëm.
Do ta kishit ndryshuar jetën tuaj me atë të një personi të thjeshtë që bën një jetë larg vëmendjes së publikut?
Egoja e një artisti është pikërisht vëmendja e publikut.
Është e vërtetë që shpesh personazhet publikë bëjnë një jetë të dyfishtë; ndryshe janë në sytë e publikut e ndryshe janë në jetën e vërtetë?
Po është shumë natyrale pasi art-bërja është pasqyrim artificial i jetës e jo pasqyrim real i saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here