Evi Reci tanimë nuk është një zë i ri për shqiptarët, edhe pse këngët e saj në treg ende numërohen me gishtat e dorës. Të qenit e “njohur” për të i dedikohet vetëm talentit dhe menaxhimit të mirë.

Ajo spikati që me këngën “I ngjan asaj”, e kënduar së bashku me Florin, për të vijuar më pas me hitin “Dhe jemi të dy”, ndërkohë që po punon për një tjetër këngë, sërish me Mumajesin.

Këngëtarja e ëmbël, që ka lindur në Durrës, është rritur në Greqi dhe që aktualisht studion për Gazetari në Firence, thotë se është munduar shumë, që t’i mbajë sa më të forta lidhjet me Shqipërinë, sigurisht përmes këngës.

Ka ditur të bëjë për vete një numër të madh fansash (të grupmoshave të ndryshme) dhe kjo kryesisht dedikuar vokalit të saj, pasi nëpër video, sikurse edhe nëpër festivale ku ka marrë pjesë, është shfaqur e veshur në mënyrë të përmbajtur, larg ekstravagancave që na janë mësuar sytë nëpër televizione. Duke marrë shkas nga ky fakt, e kemi pyetur Evin, nëse në gardërobën e saj bëjnë pjesë edhe minifundet.

Nuk e di si mund të jetë krijuar kjo ide, por tek gardëroba ime ekzistojnë minifundet, por jo veshjet ekstravagante! Preferoj stilin klasik dhe modern, por që i përshtatet moshës sime”, – thotë studentja që paralelisht ka nisur edhe punë në Itali.

Po punon si gazetare në një gazetë këto kohë dhe ka intervistuar shumë artistë të rinj, të cilët janë e ardhmja e muzikës. Cilët do të ishin emrat, që ajo do të kishte dëshirë t’i intervistonte, për t’i pyetur më nga afër për pasionin e tyre e pse jo edhe për jetën private?!

Natyrisht nuk mund të mungojë në listën e saj e madhja Anna Oxa (për më tepër që është shqiptare), apo Roberto Vecchioni, fituesi e Sanremo 2011. Çfarë mund të na thotë më tepër 21-vjeçarja nga jeta private?! “Ende asgjë”, – është përgjigja e saj, “Vijoj të jem single”.

Evi, “Dhe jemi të dy”, pati një numër rekord klikimesh. Po punon për ndonjë hit të ri rekordesh tani?

Aktualisht jemi në bisedime e sipër me Florin për këngën e re, që po planifikojmë të hedhim në treg nga muajt e verës, këngë që do të shoqërohet edhe me videoklip. Natyrisht, gjithmonë me mendimin që edhe kënga e re të pritet akoma më mirë!

Si ka mundësi që ti nuk jeton këtu, por Shqipërisë nuk i mungon?

Ama më mungon mua Shqipëria! (hahaha) Jam munduar t’i mbaj sa më shumë lidhjet me Shqipërinë dhe kam zgjedhur t’i mbaj nëpërmjet muzikës. Pra duke lënë diçka, në rastin tim këngën.

2010-a ishte viti i sukseseve për ty, madje u konsiderove krah pak emrave të tjerë, si një nga prurjet kryesore muzikore mes emrave të rinj? Cilat emra të tjerë të vijnë në mendje?

Duke qenë se janë shumë këngëtarët e rinj me mjaft punë të mira, duke pasur frikën se mos harroj dikë, si edhe për të evituar hatër mbetjet, më mirë të mos përmend emra. Por që këngëtarë të rinj dhe mjaft të talentuar ekzistojnë në realitetin shqiptar dhe që bëjnë punë mjaft cilësore, kjo është e vërtetë!

Që në klipin e parë ti godite në shenjë duke bashkëpunuar me Flori Mumajesin. Ishte e lehtë t’i mbushje mendjen, ndërkohë që ai është bashkëpunëtori yt më i ngushtë tanimë?

Nuk ka qenë punë ‘’mbushje mendje’’. Ka qenë dëshirë dhe ide e përbashkët. Nëse unë ose ai s’do donte ta bënte, asgjë s’do ishte realizuar, pasi me “presion” nuk bëhet gjë! Është e vërtetë, që Flori është bashkëpunëtori im më i ngushtë dhe më i sinqertë. Sugjerimet e tij dhe ndihma e tij janë të vlefshme për mua!

Veç Florit, me cilin këngëtar do kishte dëshirë të bëje një duet tjetër?

Shqipëria ka emra shumë të mëdhenj, me të cilët unë do doja shumë të bashkëpunoja. Do veçoja Ardit Gjebrean, Inva Mulën e shumë e shumë të tjerë!

Ti ke ushtruar pak modelim, këndon, ndërkohë që paralelisht studion dhe ushtron gazetarinë. Te cila nga këto të treja e gjen më shumë veten?

Nga momenti që i kam bërë të gjitha këto, më pëlqen t’i bëj ende, pasi edhe kam mundësi t’ia dal mbanë! Një njeri nuk ka vetëm një prirje. Por as që vihet në diskutim, që duke kënduar unë arrij të kaloj çdo ngarkesë psikologjike, ndihem plot kur e bëj, muzika është ajo që më shëron dhe që më bën të ndihem mirë!

Eliza Hoxha dhe Vesa Luma kanë studiuar gjithashtu për gazetari, por duket se muzika ka qenë parësore për to. Po për ty nga anon peshorja?

Është shumë interesant fakti, sesa shumë i tërheq muzika njerëzit, duke i bërë ata për vete. Unë mund ta kuptoj zgjedhjen e tyre, sepse muzika është e bukur, është magji. Por siç e shihni dhe siç thashë edhe më parë, një njeri nuk bën vetëm një gjë. Vajzat këndojnë dhe shkruajnë në të njëjtën kohë. Them se edhe unë do hyj në këtë kategori një ditë, duke bërë në të njëjtën kohë dy gjëra që më pëlqejnë, pa lënë pas dore asnjërën prej tyre!

Një ditë, kur ti ndoshta do të bëhesh një gazetare e njohur profesioniste, cilët do ishin personazhet që do ëndërroje të intervistoje?

Po punoj si gazetare në një gazetë këto kohë dhe kam intervistuar shumë artistë të rinj, të cilët janë e ardhmja! Nëse bëhet fjalë për këngëtarë të famshëm, e kam thënë që Anna Oxa është ajo që më intrigon për ta intervistuar, si dhe Roberto Vecchioni, fituesi e Sanremo 2011. Ndërsa nga fushat e tjera nuk e di ende… Janë shumë nga politika, gazetarë të huaj që unë ëndërroj të intervistoj. The, se çdo gjë vjen hap pas hapi.

Duke qenë se jeton në Itali, a është Sanremo (ku ka marrë pjesë edhe Elsa Lila), një nga synimet e tua?

Me sa di unë, dikush duhet të jetë italian, që të marrë pjesë te Sanremo! Por nëse s’do të ishte kjo lloj “pengese”, normalisht që Sanremo do të ishte një hap shumë i madh për mua dhe karrierën time.

Ka qenë e vështirë për ty, të krijosh një personalitet tëndin, larg ekzagjerimeve që shohim nëpër klipe? A je tunduar të jesh pak më tepër sexy?

Nuk ka të bëjë tundimi në këtë mes. Ka të bëjë karakteri i dikujt dhe ajo se çfarë ti kërkon të pasqyrosh përmes punës tënde. Sexy për mua është e bukura dhe jo provokuesja, që tejkalon limitet. Për ndryshimet e look-ut po, jam pro, por gjithmonë nëse di ta mbështesësh.

Si ka mundësi që minifundet dhe veshjet ekstravagante nuk bëjnë pjesë në gardërobën e një 21-vjeçareje?

Nuk e di si mund të jetë krijuar kjo ide. Tek gardëroba ime ekzistojnë minifundet, por jo veshjet ekstravagante! Preferoj stilin klasik dhe modern, por që i përshtatet moshës sime.

Nëse do bënim një listë me 5 emra, a do na rendisje preferencat e tua në muzikë, brenda trojeve shqiptare?

S’dua të rendis, se nuk më takon mua ta bëj këtë gjë. Thjesht do i lejoj vetes të përmend emra: Flori Mumajesi, Ardit Gjebrea, Aurela Gace, Hana Cakuli dhe e madhja Inva Mula!

A ka ndryshuar ndonjë gjë nga jeta private, apo Evi vijon të jetë single?

E di, jam shumë pak interesante në këtë përgjigje, por…..ende.

Më të mirët: Flori, Arditi, Aurela, Hana dhe Inva

E kemi pyetur Evi Recin, që nëse do t’i duhej të përpilonte një listë me 5 emra, cilat do të ishin preferencat e saj në muzikë, kuptohet brenda trojeve shqiptare. Ja si na e ka bërë listën Evi, e cila në fakt theksoi, se nuk i takon asaj ta bëjë këtë renditje.

Thjesht do t’i lejoj vetes të përmend emra”, tha ajo, ndërsa në listën e saj janë: Flori Mumajesi, Ardit Gjebrea, Aurela Gace, Hana Cakuli dhe e madhja Inva Mula. Nuk na habit emri i Florit, i cili është edhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Evit, por na bën përshtypje emri i lakuar i Inva Mulës, e cila bën pjesë në gjininë operistike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here