Eva Longoria dallohet që larg. E qeshura e saj e gëzueshme është e pangatërrueshme. Në Londër, në një suitë të mrekullueshme në “Savoy Hotel”, nuk është e vështirë të takosh Eva Longoria-n, të famshmen Gabrielle Solis, në “Desperate Housewives”.
Eva Longoria dallohet që larg. E qeshura e saj e gëzueshme është e pangatërrueshme. Në Londër, në një suitë të mrekullueshme në “Savoy Hotel”, nuk është e vështirë të takosh Eva Longoria-n, të famshmen Gabrielle Solis, në “Desperate Housewives”.

Aktorja ndodhet aty për të folur për aventurën e saj të fundit, “Follow your passion”, fushata publicitare botërore e “Sheba”-s ushqimi për mace. Ylli me origjinë meksikane, 37 vjeçe, është zgjedhur imazhi i saj. Seksi, e afrueshme, shakatare.

“Ishte shumë trishtueshme të largoheshe nga miqtë me të cilët ke ndarë 8 vite të jetës tënde, por edhe shumë stimuluese. Për çdo portë që mbyllet, hapet një tjetër dhe e panjohura është gjithmonë e mbushur me adrenalinë”, tregon për fundin e serialit kult që marrosi miliona teleshikues në mbarë botën. Me dy martesa të dashura pas shpine, me aktorin Tyler Christopher dhe basketbollistin Tony Parker dhe një histori e mbyllur para pak kohësh, me Eduardo Cruz, por që i ka dhënë shumë forcë dhe energji të reja.

Është e vërtetë që në jetën tuaj, macet kanë më shumë rëndësi se meshkujt?

Sigurisht që janë më të lehta për t’i bindur. Jam rritur mes maceve dhe i adhuroj. Në shtëpi kisha 19 të tilla. Unë dhe motrat e mia, nëse shihnim ndonjë të braktisur rrugëve, nuk prisnim, por e merrnim menjëherë në shtëpi. Ja përse të isha pjesë e kësaj fushate ishte një kënaqësi e madhe.

Nga pasioni te dashuria. “Ready for love” është emisioni i NBC-së ku ju jeni producente. Për çfarë bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për mënyrën se si në këto kohë njerëzit e gjejnë dashurinë, përmes internetit, rrjeteve sociale, agjencive dhe se si të gjithë ne i jemi përshtatur.

Sipas jush, përse për të gjetur shpirtin binjak njerëzit u besojnë rrjeteve sociale?

Sepse jetojmë në një shoqëri globale dhe partneri ynë ideal mund të gjendet në Rusi, ose në Los Anxhelos, në Romë e kështu me radhë. Pastaj koha në dispozicion është gjithmonë e më e limituar. Nëse është e vërtetë se 85 për qind e çifteve formohen në punë, është po aq e vërtetë, se nëse dikush nuk punon, nuk mund të ketë shumë mundësi.

Çfarë ju tërheq te një mashkull?

Ajo që më pëlqen te njerëzit në përgjithësi është sensi i humorit. Më pëlqen të qesh dhe adhuroj ata që më bëjnë të qesh sidomos kur jam e mërzitur. Më pëlqejnë ata meshkuj që kujdesen për njerëzit që kanë pranë.

Ajo që urreni tek universi mashkullor?

Të qenit i paedukatë. Këtë nuk mund ta duroj.

 

Veprimi më romantik që keni bërë deri më tani?

Nuk kam bërë vetëm një, por shumë. Për më tepër surpriza. Nga udhëtimet te biletat, të fshehura nëpër shtëpi, makinë apo valixhe.

Po juve çfarë ju kanë bërë?

Romanticizmi është në gjërat e vogla të jetës së përditshme. Për mua martesa duhet të jetë plot me veprime të thjeshta, por të mrekullueshme.

Ju thoni shpesh nëpër intervista se nuk ndjeni keqardhje për të kaluarën? E vërtetë është kjo?

Edhe pse e kaluara dhe adoleshenca jonë përbëhet nga shumë episode jo të këndshme, nuk e shoh nevojën për të qëndruar e lidhur pas tyre. Përkundrazi. Mendoj se njerëzit e rinj me të cilët takohesh, miq, familjarë, të dashur, kanë të drejtën t’ia nisin nga zero. Pa mbajtur pesha të së kaluarës mbi shpinë.

Si keni arritur t’i eliminoni frikërat dhe pasiguritë?

Falë grave me të cilat jam rritur. Nëna ime, tri motrat dhe nëntë tezet. Gra të forta e të pavarura që më mësuan se si duhet ta përballoj jetën. Shumë vajza të reja duan t’u ngjajnë divave. Kur isha fëmijë, kjo nuk ndodhte. Modelet e mia ishin nëna ime, gjyshja, motrat, tezet: ato më mësuan se çfarë duhet të vlerësoj në jetë dhe çfarë jo.

Ju jeni vlerësuar për angazhimin ndaj komunitetit latino-amerikan. Çfarë kënaqësie ju jep kjo?

Filantropia është pasioni im më i madh. Prej pak kohësh kam krijuar “Eva Longoria Foundation”, që promovon edukimin e femrave dhe futjen e grave latino-amerikane në botën e punës. Në Amerikë e mbi të gjitha në komunitetin hispanik, mendoj se është e rëndësishme që gratë të marrin pushtetin.

Ju jeni edhe një nga mbështetëset më të mëdha të Barack Obama-s.
Suporti i tij është motivi për të cilin vendosa të mbështes publikisht fushatën për rizgjedhjen e tij. Obama ka bërë shumë për komunitetin tonë: edukim, shëndetësi, punësim.

Keni qenë ndonjëherë viktimë e episodeve të racizmit?

Fatmirësisht jo. Jam rritur në Teksas, në një ambient të mbrojtur. Ndoshta sepse në kolegj 85% e studentëve ishin me origjinë hispanike. Pastaj u transferova në Los Anxhelos, një qytet shumë i madh, ku askush nuk do t’ia dijë për etninë tënde.

“Eva’s Kitchen: Cooking with Love for Family and Friends”, libri juaj me receta, është një homazh për kuzhinën e nënës suaj?

Në njëfarë mënyre. Kuzhina është një nga pasionet e mia. Po ashtu të shkruaj receta bazuar në traditën tonë familjare. Aty kam marrë frymëzimin për librin. Mund t’ju them se specialiteti im është supë me tortilla.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here