“Mjekët nuk e besonin shtatzëninë e Invës, e quajtën një mrekulli”“Ne duhet të zbulojmë cilët jemi. Kur të zbulojmë cilët jemi, atëherë kemi arritur njohjen e vetvetes.

Duke kombinuar kapacitetet tona, mund të arrijmë një inteligjencë të përkryer. Njerëzimi sot, në mënyrë kolektive, jeton mbi konceptet që i ka dhënë dikush tjetër. Pra, ne jemi të kushtëzuar nga konceptet që të tjerët na kanë vënë. Koncepti është të shkojmë në shkollë, të martohemi dhe të jetojmë brenda disa mureve.

Këto mure në mendjen tonë janë mure që nuk na lejojnë të shkojmë në të panjohurën. Për të thyer këtë mur, na duhet një energji e jashtëzakonshme për të parë ç’ka përtej…Dhe këtë energji ta jep meditimi”. Kështu e fillon bisedën me ne Ethem Ramadani, bashkëshorti i sopranos së njohur, Inva Mula. Çfarë e bëri atë një nga shqiptarët më të pasur, si arriti të martohet me Invën, një grua që e kishte admiruar nga larg për talentin e saj? Si ndihen tani që po vjen në jetë vajza e tyre? Lexoni intervistën e tij.
Ju keni arritur të shihni përtej dhe çfarë keni gjetur?
Njeriu duhet të ketë kërkesa dhe mos të ndalet kurrë në zbulimin e ‘kush jemi’. Kur njeh veten dhe zbulon kush je, atëherë ke mundësi të dish cilët janë të tjerët. Pa e njohur veten, nuk mund të njohësh të tjerët. Konkretisht, unë isha biznesmen dhe ambiciet e mia ishin për të pasur një shtëpi të madhe, mjete financiare, pra për të qenë i pasur materialisht. Kur i arrita këto, e pashë se po më mungonte paqja me veten, nuk isha i kënaqur. Isha mbyllur në ato konceptet e së shkuarës, isha i pavetëdijshëm dhe nuk mund t’i gëzoja milionat që kisha fituar. Nuk më siguroi instrumenti para kënaqësinë apo sigurinë time. Duke qenë i pakënaqur me veten e me dëshirën për të gjetur sekretin e për të ditur se kush jam, fillova të lexoj një autor të quajtur Dipak Çopra, i cili në librin e tij thoshte se për të pasur shëndet, sukses apo lumturi, duhet të meditojmë. Ai thoshte se të gjitha jam i gatshëm t’i lë, përveç familjes sime dhe meditimit. Duke ditur se ky është një emër shumë i njohur në fushën e mjekësisë dhe në atë të shpirtit dhe trupit, fillova të mendoj se si të organizoj jetën time për të medituar. I them sekretares sime që të ftojë Çoprën të vinte dhe të na mësonte meditimin në punë. Ai ishte shumë i ngarkuar dhe na dërgon një nxënësin e tij, z. Rave, i cili më parë kish qenë i punësuar si inxhinier në IBM, por pasi takohet me Çoprën, e lë këtë punë për t’u bërë mësues i meditimit. Z. Rave erdhi në zyrat tona në Slloveni, në vitin 1997, ku të githë të punësuarit kishin ftuar edhe familjet e tyre. Aty filluam të meditojmë të gjithë rreth tri ditë, gjatë të cilave z. Rave na shpjegoi meditimin. Unë e dëshirova këtë për të gjithë, pasi misioni i njeriut në jetë nuk është të bësh vetëm për vete, por të bësh edhe për të tjerët. Pas kësaj kam medituar përreth 3 muaj. Pastaj shkova vetë aty ku Çopra ligjëronte, në Indi. Aty bënim rreth 10 orë në ditë meditim dhe tërë ditën duke dëgjuar Çoprën. Ishim rreth 450 veta, unë isha me gjithë ish-gruan time. Për 10 ditë rashë në gjendje meditative. Çopra më tregoi edhe 7 çakrat, që gjenden në trupin tonë – këto janë kanalet energjetike në trupin tonë dhe, nëse i hapim të gjitha këto, trupi ynë nuk sëmuret, pasi ne hapim veten drejt hapësirës dhe dijes së madhe.
Ju arritët në fund të këtij 10-ditëshi ta zbërtheni atë. Po njerëzit të cilët nuk e dinë se çfarë është meditimi, si mund të hyjnë në botën e tij? A është meditimi për të gjithë?
Zoti na ka dhënë trupin, mendjen dhe shpirtin. Këta tre komponentë, të ndërthurur me vetëdijen, e cila është burim ‘ndërgjegjeje’. Këtë na e ka dhënë dikush, Zoti apo universi. Njeriu ka këta komponentë – vetëdija është burim i shpirtit, i trupit dhe i mendjes. Shkollat na zhvillojnë mendjen, por nuk aktivizojnë zemrën e as shpirtin. Pra ato nuk na mësojnë të kontaktojmë fushën, ligjin, vetëdijen, apo edhe vetë Zotin. Pra, ne punojmë me mendje duke arritur ato që kemi arritur, që ekzistojnë sot në botë, por jemi të stresuar dhe të sëmurë. Madje, e kemi pranuar sëmundjen apo të qenët sëmurë si një gjendje normale. Por gjendja normale e njeriut është të jesh i shëndoshë. Njerëzit të cilët kanë vetëdije të lartë, nuk sëmuren, ata janë tërë jetën të dashuruar me të tjerët, reflektojnë dashuri dhe kontribuojnë për të tjerët. Sistemi nervor i njeriut që në moshën 3-vjeçare ka mundësi të meditojë. Meditimi është teknologjia e mendjes për të qetësuar mendjen. Të gjitha problemet që kemi në jetë, rrjedhin nga mendja jo e qetë. Mendja e qetë është burim i kreativitetit, i dashurisë, i harmonisë dhe i shkencës. Mendja ka mundësi infinite. Vetë universi është infinit dhe është në ekspansion të përhershëm. Zoti e ka krijuar qenien njerëzore pa kufij, pasi shpirti dhe mendja e tij është e pakufishme. Nëse në trup jemi të limituar, shpirti është fushë pa kufij.
Ju në çfarë shkalle të vetëdijes gjendeni tani?
Unë edhe ti në këtë moment jemi në shkallën e vetëdijes në gjendje të zgjuar. Kur jam në meditim, jam në shkallën e Zotit, por shumë shpesh arrij në shkallën unike, kur arrij të kontaktoj të gjitha ligjet e natyrës. Kjo ndodh kur mendja e njeriut e humb kohën, pra kur jeton mendja pa kohë, trupi nuk plaket. Atëherë lindin idetë e mëdha, ke vizion të madh dhe të gjitha arritjet e njerëzve janë arritur në momentet kur truri ka qenë i qetë. Kur truri ka qenë i qetë, i ka kontaktuar ato pjesë të mendjes së zgjuar. Mund të kesh menduar se dikush po të thërret në telefon dhe ai person të telefonon. Ky është sinkronizim. Rrjedh nga 2 fjalë sinkron – organizim dhe kronos – koha. Pra, në një kohë të caktuar ka sinkronizim nga universi. Nëse je në gjendje meditative, me pak arrin shumë. Ne u kërkuam bashkë në gjendje meditimi dhe ja sot u takuam. Nuk jemi takuar rastësisht (qesh).
Nga kjo intervistë shumë lexues do arrijnë të zbulojnë se sa e rëndësishme është vetëdija dhe shumë prej tyre do të donin të zbulonin rrugët që të çojnë në zbulimin e vetëdijes…
Në librin tim kam shkruar, bashkë me një mikun tim kardiolog shumë të famshëm, dhe kam shpjeguar se si mund të arrihet shëndeti me anë të meditimit dhe të jemi të pasur nga ana materiale. Unë i kam arritur të dyja tek vetja dhe kam shëruar edhe njerëz të tjerë me zemër të sëmurë, kur mjekët nuk i jepnin më shumë se 2 javë “kohë”. Njerëzit që meditojnë shërojnë veten dhe të tjerët. Gjithçka në univers është inteligjencë. Nëse rri me njerëz që meditojnë, pra që janë të qetë, atëhere lirohet një hapësirë pozitiviteti. Nëse rri me njerëz të stresuar, njëkohësisht ti merr hormone negative në hapësirë. Këto janë fusha magnetike. Vetëm të jesh në prezencën e dikujt, arrin të ndiesh energjinë e tyre, pasi ajo nuk mund të ndalet.
A keni frikë nga plakja, po nga vdekja?
A frigohet hapësira? Jo. Pra, kur bëhesh shpirt, nuk ke frikë nga asgjë, ne frikësohemi nga mendimet që i krijojmë vetes. Kur i fshijmë konceptet dhe pranojmë që nuk jemi tjetër veçse vetëdije, atëhere nuk frikësohesh. Ne jemi inteligjencë, energji dhe, kur e ke këtë vetëdije të lartë, atëhere kurrë nuk ke frikë, prandaj duhet të meditojmë, pasi kur meditojmë bëhemi shpirtra. Unë meditoj mesatarisht 3 deri në 4 orë në ditë. Kështu edhe nuk plakesh. Në një revistë kishin shkruar se Inva ka marrë një burrë të vjetër. Por mosha, çfarë është? Është ajo që je, dhe mosha ime është shumë e re. Kjo ka ardhur me anë të ndaljes së kohës me meditim. Asnjë njeri sot në botë nuk vdes nga vitet e tepërta, vdesin nga sëmundjet dhe nga aksidentet. Këto janë burimi i vdekjes, dhe jo vitet. Prandaj ne kur e ndërrojmë konceptin e moshës dhe pranojmë se nuk vdesim nga vitet, atëhere jeta jonë zgjatet, frika e vdekjes zhduket.
Tek Inva çfarë ju ka tërhequr, çfarë ju çoi tek ajo? Ka qenë energjia, meditimi apo aftësia?
Në nivelin fizik ka qenë rastësia, pasi ka qenë rastësi që jemi takuar. Por, sipas meje, ajo është orkestruar nga simfonia më e madhe e universit, për shkak të synimit që ne kemi dhe për shkak të asaj që jemi. Çdo gjë që ne arrijmë, është si pasojë e shkallës sonë të vetëdijes. Nëse jetojmë në shkallën më të lartë të vetëdijes, ne kemi shëndet perfekt. Prandaj si Inva, si fëmijët e mi, si çdo gjë që unë kam sot, janë burim i sinkronizimit të orkestrës universale. Gjërat më të mëdha unë i kam arritur në fazë meditative. Ne jemi takuar, sepse kemi vibruar në univers dhe këto vibrime janë orkestruar.
Pak ditë më parë kemi mësuar për ardhjen në jetë të vajzës suaj. Mos ishte edhe kjo një nga mrekullitë e meditimit?
Absolutisht po. Inva ka kohë që mediton dhe ka arritur të zbulojë këtë mrekulli duke qenë pranë meje. Njeriu mediton me një qëllim dhe një nga qëllimet tona ishte të kishim një fëmijë. Bëmë disa vizita në mjekë të ndryshëm dhe na thanë që është shumë e vështirë për një grua që ka 16 vite që nuk lind, të mbetet përsëri shtatzënë. Unë përsëri besova te forca e universit dhe vendosëm që të mos bëhemi pesimistë dhe akoma më pak t’u dorëzoheshim metodave të reja të shtatzënive, sepse donim që gjithçka të vinte ashtu si Zoti e ka vendosur që të lindë një fëmijë, dhe ia arritëm. Kjo është mrekullia e meditimit, aq sa edhe mjekëve u dukej e pabesueshme.
A ishte në preferencat tuaja të kishit vajzë, po të kemi parasysh që fëmijët e tjerë i keni vajza?
Jo, për mua ishte njësoj, një fëmijë është dhuratë e Zotit, nuk ka rëndësi gjinia. Inva kishte dëshirë të ishte vajzë, një dëshirë e kahershme e saj, meqë e ka një djalë. Pra, në këtë rast, Invës iu plotësua dëshira krejtësisht.
Meqë po flasim për mrekulli, pak javë më parë Inva humbi nënën, një njeri të shtrenjtë, pra edhe koha kur kjo vajzë vjen në jetë duket sikur kërkon që të mos lërë një vend bosh…
Logjika juaj është e saktë, gjërat ndodhin ashtu si i duam ne dhe kur i duam ne. Mjafton që të kemi idetë e qarta se çfarë kërkojmë në jetë.

1 Koment

  1. Fantastik.i vertet.ideal i persosur jo vetem bashkohor por dhe me shume.jam shume i gatshem te arij te meditoj por nuk di si te arrij ta bej meditimin.ju lutem me jepni ndihmen tuaj per ta realizuar ket objeksion.Faleminderit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here