Është shfaqur në skenë në të njëjtën ditë me “Portokallinë” dhe në pesë vjet u bë ndër aktoret më të dashura të saj.

Edhe pse është larguar për në Francë ku po bën një master, Ervina Kotolloshi rrëfen sfidën e vështirë të humorit, sidomos për një aktore femër dhe kryesisht jetën e saj jashtë spektaklit, për të cilën thotë se është krejt e ndryshme nga skena.

Të pakta janë aktoret femra të “Portokallisë”, por Ervina Kotolloshi është ndër të parat dhe ndër më të spikaturat. Role si ai i Ponjës, Adelës, infermieres, gabeles, etj, janë të vështira të harrohen nga publiku.

Pas secilit prej tyre qëndron një punë e jashtëzakonshme e aktores së re. Por nëse të gjithë qeshim dhe zbavitemi me personazhet tipikë të krijuar prej saj, pak e njohim në jetën reale.

Të gjitha sekretet e panjohura të Ervina Kotolloshit, i zbulon vetë ajo në këtë intervistë:

Keni një emër shumë të bukur, ndërkohë që të gjithë ju thërrasin Ponja. Si ndiheni nga kjo gjë?

Të them të drejtën më jep shumë bezdi, ndoshta ndonjëherë edhe kam reaguar keq kur më thërrasin kështu, sepse Ponja është thjesht një nga personazhet që kam bërë dhe nuk më pëlqen aspak të identifikohem me të. Ndonjëherë me të qeshur them “të paktën t’i kisha gjetur personazhit një emër më të bukur”, se Ponja nuk më duket fare i tillë.

Jeni ndër femrat e para që iu afruat stafit të Portokallisë. Si keni arritur të mbijetoni, duke pasur parasysh se humori është një gjini mjaft e vështirë?

Unë nuk shoh asnjë nga aktorët e “Portokallisë” si të mbijetuar, madje më duket term shumë tragjik. Ne jemi një grup të rinjsh që fituam audicionin paraprak në këtë spektakël dhe pastaj fryma e të punuarit në grup dhe dëshira për të sjellë gjëra të reja, na kanë bërë të vazhdojmë të jemi aty.

I mbani mend fillimet si aktore humori, si ishin ato?

Mbaj mend shumë mirë të dridhurat dhe emocionet e audicionit, jo se tani nuk kam emocion kur dal në skenë, madje përgjegjësitë rriten vit pas viti. Bëhet gjithmonë e më e vështirë, pasi duhet të sjellësh gjithmonë diçka të re, nëse nuk e bën më një personazh të ri, duhet patjetër që me personazhin ekzistues të vihesh në rrethana të reja, që ai të ketë mundësi ta shpërfaq veten, ndryshe dhe mos të ripërsërisë vetveten.

Ponja është ndër rolet më të arrira të “Portokallisë”. Përse besoni se njerëzit e duan personazhin që ju realizoni?

Mendoj se njerëzit pëlqejnë atë që e kanë hasur dhe që u kujton diçka nga jeta e përditshme dhe si e tillë dhe mua më është dukur shumë i prekshëm si personazh dhe kam mundur të shkruaj lehtësisht për të, ashtu siç kam mundur edhe me Adelën.

Cili është roli që doni më shumë?

Nuk mund t’i ndaj rolet nga njëri-tjetri, ato janë të gjithë fryt i fantazisë, imagjinatës dhe punës sime, por më pëlqen shumë roli i gabeles, e bëj me qejf.

Si vendosët të bëheshit aktore?

Asnjëherë nuk kam vendosur të bëhem aktore, unë jam diplomuar për regjisurë. Gjatë viteve të regjisë, duke qenë se ne merrnim dhe orë mjeshtrie aktori, profesorët vunë re të dhënat e mia për aktrim.

Jeni penduar ndonjëherë që keni bërë shkollë arti?

Shkolla e artit është një shkollë e vështirë, por më e vështirë është të bësh për të qeshur njerëzit e lodhur nga përditshmëria. Ndonjëherë kur jam vetëm me veten time, më vjen keq që vendosa të ndiqja një shkollë arti, por po të më pyesësh sikur ta filloje nga e para, çfarë do vendosje të bëje, ndoshta sërish zgjedhja ime do të ishte arti.

Kush mendoni se e kanë më shumë sensin e humorit femrat apo meshkujt?

Më të prirur për humor dhe më spontanë janë meshkujt, femrat më duken më të kompleksuara dhe sikur i stërhollojnë shumë gjërat. Flasin faktet, historia e humorit ka treguar që aktorët më të suksesshëm, por edhe më të shumtë në numër, kanë qenë meshkujt, si në Shqipëri ashtu edhe në botë.

Në jetën e përditshme jeni natyrë e humorit apo jeni serioze?

Mua më duket sikur gjithë natyra e humorit që kam shpërfaqet në skenë dhe për në jetë mbetet vetëm ana serioze e Ervinës.

Si e shihni veten pas 10 vitesh në planin personal dhe profesional?

Nuk më pëlqen të shoh gjëra që edhe mund të mos jenë, më pëlqen që planet t’i realizoj hap pas hapi, pa ëndërruar, apo imagjinuar shumë.
Në faqen tuaj të Facebook-ut jeni fanse e Maryl Streep, Charles Bucovski, Xatzigiannis, etj. Çfarë përfaqësojnë këto emra për ju?

Me Bukovskin nuk më lidh asnjë gjë, madje po çuditem që qenkam një fanse e tij, sepse romani “Femrat” jo vetëm që nuk më pëlqen, por është nga të vetmit libra, që e kam lënë diku nga fillimi. Maryl Streep është aktorja ime e preferuar dhe kanë për të kaluar vite, për të dalë një e dytë, se më e mirë nuk mendoj. Xatzigiannis pastaj lidhet fort me nostalgjinë. Unë jam rritur në Sarandë, një vend ku dëgjohet shumë muzikë greke, mua më pëlqejnë shumë tekstet e këngëve greke.

Muzika që pëlqeni?

Nuk kam një lloj muzike të përcaktuar, por do më pëlqente të dija diçka më shumë për muzikën etnike të çdo vendi, atë që e karakterizon.

Cili është statusi juaj civil?

Unë e di që ju doni t’i përgjigjem me shumë hollësi pyetjes për jetën time private, nëse jam e dashuruar etj, etj, por le të themi që kjo gjë dua që të mbetet krejtësisht private.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

Thonë që mashkulli nuk harron kurrë një femër që e ka bërë për të qarë, ndërsa femra atë që e ka bërë për të qeshur. Mua më pëlqejnë meshkujt që kanë një sens të mirë humori, pa kaluar në banalitet, apo vulgaritet, por gjithashtu edhe ato që vlerësoj tek çdo njeri, sinqeritetin dhe mirëkuptimin.

Ç’është dashuria për ju?

Nuk di të të them çfarë është dashuria. Kur të vjen, nuk di si ta përkufizosh dhe kur të ikën po ashtu. Është me fat ai që e ndien atë dhe jo që flet për të.

Cilët janë miqtë më të mirë që keni?

Një herë që i jam përgjigjur kësaj pyetje, kam harruar një nga mikeshat e mia më të mira, marrëdhënia, me të cilën është ndër më afatgjatat dhe më të konsoliduarat, nuk më pëlqen të flas, se kësaj radhe, ndoshta harroj dikë tjetër.

Cila është një ditë normale, si nis dhe si mbaron ajo?

Në këtë moment, nuk kam ndonjë aktivitet të madh gjatë ditës sime, sepse jam në fazën e pushimit dhe të rekuperimit të energjive për sezonin tjetër, zgjohem vonë, pastaj faza përgatitore në punë. Kam filluar palestrën si me përtim, lexoj, shoh filma, kam rralluar të dalat, asnjë gjë e veçantë me pak fjalë.

Si janë për ju ditët e pushimit? Si i kaloni psh fundjavat?

Kur jam në punë, në atë fazën e vrullit, kur ti gjithë javën e ke mendjen, çfarë teksti do bëj këtë javë, a do bëj për të qeshur, çfarë duhet të rregulloj akoma…Në ato javë ka vetëm një mënyrë që unë e kaloj të dielën, në shtëpi, në një çlodhje totale.

Çfarë gjëje ju bën të lumtur?

Në familje ndihem e qetë, më mirëkuptojnë dhe më mbështesin në çdo hap timin. Njeriu që më ndjek në çdo hap timin është motra ime dhe vetëm një gjë më bën të lumtur: prania e saj në udhëtimet e mia, në shfaqjet e mia, kur rikthehet në shtëpi dhe kur ajo ndihet mirë.

Një citim që ju pëlqen t’ia thoni vetes çdo ditë?

Ne jemi ajo që bëjmë./Revista Shqip/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here