Ervin Skela tregon se marrëdhënia me futbollin është një simbiozë e bukur me të cilën është rritur që në fëmijëri.

Nga ana tjetër kujtimet me Vlorën, vendlindjen e tij, e mbajnë atë shumë të lidhur shpirtërisht edhe pse ndodhet kilometra larg. Cili është Ervin Skela jashtë fushës së futbollit. Sa e rëndësishme është familja për të, sa shpenzon apo ëndrrat që pret t’i realizojë së shpejti. Gjithçka që vjen e rrëfyer nga vetë ai.

Skela numëron 60 ndeshje ndërkombëtare me Shqipërinë (12 gola) dhe 168 ndeshje në Bundesligën (21 gola). Ka luajtur në Gjermani midis ekipeve të tjera për Energie Kotbus, Kaiserslautern dhe Eintracht Frankfurt. Prej një viti luan në skuadrën e TuS Koblenz.

Ruan natyrën e tij të thjeshtë dhe komunikuese edhe pas kaq vitesh me një karrierë të shkëlqyer sportive që i kanë dhënë atij kënaqësi personale, famë, para por edhe detyrën e kapitenit të skuadrës sonë kombëtare. Kur luante i vogël me top në plazhin e Vlorës nuk e kishte menduar që do të bëhej futbollist i famshëm pavarësisht se ëndrra e tij për këtë sport nisi qysh atëherë.

Me maturi dhe vullnet të hekurt, me orë të gjata stërvitje dhe lodhjeje Ervini e nisi jo me qëllimin për t’u bërë i famshëm por sepse ashtu është karakteri i tij, të punojë me seriozitet dhe këmbëngulje. Cilësi që edhe sikur mos të kishte nisur rrugën e futbollit do t’i kishin dhënë sukses e kënaqësinë  e çdo profesioni tjetër.

Topat e parë i gjuajti në fushën e blertë të Vlorës dhe pak vite do të kalonin që Ervini në moshën 18 vjeçare të largohej drejt Gjermanisë, ku luan edhe sot pas 14 vitesh. Në fillim me ekipin e Berlinit, ndërron disa e sot luan me skuadrën e Koblenz. Kapiteni kuq e zi mban një lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë e veçanërisht me Vlorën, qytetin e tij të lindjes ku jetojnë edhe prindërit e tij. Vjen shpesh për pushime por përfiton edhe nga ndeshjet e kombëtares për të kaluar disa orë më shumë me ta e me miqtë e tij të kohërave të “vjetra”

Është i martuar me Marjolën, shoqen e tij të klasës së shkollës së mesme. U dashuruan që në bankat e gjimnazit, një lidhje e fortë e pasionante që do të ishte përgjithmonë. Dhjetë vjet martesë e jeta e tyre vazhdon të rrjedhë e qetë dhe e bukur, e me lindjen e djalit Chris pas shumë vitesh që jetonin bashkë gjërat morën një vlerë tjetër.

Tashmë Chris është dy vjeç dhe bashkë me të ëmën shkojnë pothuaj në të gjitha ndeshjet e futbollit ku luan Ervini. E ndjekin dhe përjetojnë emocionet e tij, dëshmi e një harmonie të bukur. Më shumë. E një ndërthurjeje të pazgjidhshme të një familjeje me një shpirt të bukur.

Çdo të thotë të jesh kapiteni i kombëtares shqiptare?

Të luash për kombëtaren është një ëndërr, e cila lind që kur hedh hapat e parë në futboll dhe kjo ëndërr rritet bashkë me ty…Të jesh kapiten do të thotë të kalosh përtej ëndrrës, të ndihesh krenar për atë që përfaqëson.

Është më shumë vlerësim apo përgjegjësi?

Të dyja shkojnë paralel. Të ndihesh i vlerësuar bën që të vishesh automatikisht me përgjegjësi. Ndoshta dhe diçka më shumë sepse kërkon që këtë besim t’ua shpërblesh më së miri atyre që ti përfaqëson.

Si mund të arrihet që kombëtarja të ketë më shumë sukses?

Që të arrish majën e piramidës duhet një bazament i fortë. Dhe ne si fillim këtë duhet të bëjmë. Po kjo kërkon një punë të madhe dhe kohë natyrisht. Besoj se ne disa hapa i kemi hedhur duke bërë të mundur që brezat që do vijnë ta kenë dhe më të lehtë se brezat tanë. Duke qenë një vend i vogël mundësitë për një kualifikim, qoftë europian, qoftë botëror të jenë të vogla. Kështu që secili nga ne duhet të vlerësojë në maksimum të qenit në ekipin kombëtar, të punojmë të gjithë së bashku për të marrë maksimumin e mundësive tona.

U bënë shumë vjet që luani në Gjermani me ekipe të ndryshme. Sa i lidhur jeni e si ndiheni aty?

Është e vërtetë që ndodhem prej shumë vitesh këtu dhe normal që ndihem mirë. Unë këtu u rrita dhe Gjermania është bërë si vendlindja ime e dytë.

Thonë që jeni natyrë e qetë. Sa është e vërtetë kjo?

Ah! Kjo pyetje më vë disi në siklet. Mendoj që të tjerët mund të më vlerësojnë më mirë se unë veten time. Përderisa thonë jam i qetë, përse jo?!…

Në ekipin tuaj, në mos gaboj ka edhe shqiptarë të tjerë. Çfarë raportesh keni me ta?

Po e vërtetë. Janë Kapllani, vëllezërit Kuqi dhe Skeraj. Raportet i kam shumë të mira me të gjithë, por do të veçoja Kapllanin, pasi e kam dhe shok dhome në ekipin kombëtar.

Keni një marrëdhënie të gjatë me Marjolën, bashkëshorten tuaj. Sa vite qëndruat larg dhe kur erdhi të jetojë me ty?

Jemi njohur që në gjimnaz bashkë. Kemi qenë në një bankë. Tingëllon paksa si në telenovela, por koha tregoi se është një lidhje e sinqertë dhe e pastër. Na u desh të rrinim njëfarë kohe, afro katër vjet, larg njëri tjetrit, pasi unë erdha në Gjermani dhe Marjola duhet të mbaronte studimet në Shqipëri. Pas përfundimit të universitetit erdhi këtu dhe që prej 10 vitesh jetojmë bashkë.

Pse pritët pas kaq vitesh të bënit një fëmijë?

Vitet e humbura pa njëri tjetrin i kompensuam në këtë mënyrë.

Sa kohë i kushton familjes duke ditur që sporti merr shumë kohë?

Çdo sekondë dhe minutë që e kam të lirë jam pranë familjes sime që është dhe gjëja më e shtrenjtë për mua.

Si e menaxhon kohën midis sportit dhe familjes?

Koha jashtë sportit i kushtohet plotësisht familjes se aty gjej dhe qetësinë, e cila është dhe e nevojshme në anën sportive.

Të ndjekin ndonjëherë në ndeshje?

Pothuajse në çdo ndeshje. Si Marjola dhe djali Chris janë të pranishëm në tribunë. Vogëlushi im është bërë dhe tifozi im numër një.

Po Marjola ankohet për kohën tënde?

Në asnjë mënyrë që jo. Përkundrazi, më ka mbështetur plotësisht në karrierën time sportive. Dhe për këtë gjë e falënderoj veçanërisht.

Si përpiqesh ta ndihmosh?

Ah! Ah! Ah!…duke i dhënë shumë dashuri.Çfarë është gjëja më shembullore që ti bën si familjar?Të loz me djalin tim. (qesh)

Keni një rezidence definitive?

Akoma jo, por në një të ardhme të afërt patjetër. Diku në Frankfurt ose në Këln.

Cila është lidhja që ke me Shqipërinë?

Kam familjen time aty, nënën, babain, vëllanë, të afërmit si dhe shumë nga miqtë e mi. Të gjithë i dua shumë dhe duke ardhur shpesh aty ma zvogëlon disi mallin për ta. Kanë bërë shumë për mua dhe i falënderoj nga zemra për gjithçka.

Po lidhja me Vlorën?

Vlora është qyteti ku unë u linda dhe u rrita. Aty nisa për herë të parë të përdor topin dhe të ushqeja ëndrrën për t’u bërë futbollist. Kam kujtime shumë të bukura. Ato që lidhen me fëmijërinë, me shkollën me dashurinë e parë, etj. Pastaj me detin. E ndiej shumë mungesën e tij dhe të klimës së butë. Këtu është vend i ftohtë kurse në Vlorë ishim mësuar të shkonin në plazh edhe në tetor, sidomos ne sportistët që edhe një pjesë të mirë të stërvitjes e bënim në breg të detit. Pastaj gjithë njerëzit e mi të dashur që përmenda më lart jetojnë në Vlorë. Kjo është pjesa tjetër e bukur. Se kur shkoj atje edhe çmallem me ta por edhe kaloj pushime. Nuk mund të gërshetoheshin më mirë.

Je kurioz për Flamurtarin? E ndjek nga larg?

Natyrisht që po se dhe hapat e para në karrierën time sportive aty i kam hedhur. Më vjen keq që momentalisht nuk është në nivel të mirë, pasi Flamurtari meriton më shumë. Se çfarë nuk shkon nuk mund të jap një koment se ndodhem dhe larg situatës.

Çfarë të pëlqen në Shqipëri?

Siç e thashë padyshim deti. Ne kemi një nga bregdetet më të bukurit në botë e sa herë që vij ndiej kënaqësinë që provon kur shkon në një vend për herë të parë. Nuk do ta ndërroja lehtë. Të duket sikur nuk ngopesh me ditët që kalohen aty. Miqve të mi këtu në Gjermani u tregoj shumë foto nga plazhet tona e përpiqem t’i bëj pak publicitet e të gjithë çuditen nga pamjet që shohin. Pastaj ushqimi është shumë i mirë e ka një shije të veçantë si mishi ashtu dhe peshku. Janë produkte të freskëta që rrallë ndodh jashtë t’i ndeshësh. Dhe kur i gjen duhet t’i paguash shtrenjtë. Frutat e detit në veçanti më pëlqejnë shumë dhe kur vij aty i konsumoj shumë. Në Shqipëri këto vitet e fundit gatuhet edhe më mirë se në shumë vende të Europës.

Edhe klima më mungon. Më mungojnë ditët e gjata dhe me diell. Por edhe i ftohti aty nuk është i madh. Kur bëj stërvitje shpesh në temperatura minus apo dhe në mjegull kujtoj shpesh sa me fat është vendi ynë për klimën që ka e kjo duhet shfrytëzuar më shumë.

Dhe çfarë nuk të pëlqen?

Infrastruktura është një problem më vete. Është shumë e vështirë të qarkullosh në Shqipëri në ato kushte që janë rrugët. Po të kesh edhe një makinë të mirë akoma edhe më keq. Tek ne distancat janë të shkurtra dhe mund të lëvizej lehtë nëse do të kishte rrugë të drejta e të reja, por vendet bëhen shumë herë më të largëta sesa janë në të vërtetë. Nuk më pëlqen edhe komunikimi që kanë njerëzit me njëri tjetrin. Nuk ndesh shumë edukatë dhe kulturë qytetare

Je i dhënë pas lukut?

Shumë. Më pëlqen të vishem bukur dhe sipas modës. Vazhdoj ta bëj më të njëjtin përkushtim ashtu si fillimet e mia në Gjermani edhe pse atëherë nuk kisha një gjendje kaq të mirë ekonomike sa sot. Por si duket edhe me kalimin e të tridhjetave njeriu bëhet më i vëmendshëm ndaj paraqitjes së jashtme. Instinktivisht se kërkon të mbash të njëjtën formë edhe pse vitet kalojnë.

Shpenzon shumë për veshje?

Duke qenë i dhënë pas lukut normal që do të duhet dhe të shpenzosh. Por gjithmonë pa ekzagjeruar. Përpiqem të blej gjëra që janë jo vetëm të bukura por edhe të nevojshme dhe të përdorshme.

Çfarë aksesori të pëlqen më tepër?

Orët i kam shumë pasion dhe jam një koleksionist i tyre.Njerëzit për hobi bëjnë sport. Po një sportist si ty çfarë mund të ketë për hobi?Sërish sport. Dhe ky është golfi.

Çfarë do të kishe dëshirë të bëje, por që nuk ke kohë ta realizosh?

Pushime, pushime dhe vetëm pushime. Të udhëtoj nëpër botë është një nga dëshirat e mia.

Në një të ardhme kur të lësh futbollin me çfarë mendon të merresh?

Jeta ime është e lidhur fort me sportin, kështu që dhe pas mbylljes së karrierës lidhet me të. Nuk do të doja t’i shkëpusja këto lidhje. Dëshiroj të bëhem trajner dhe do vazhdoj shkollën në një të ardhme për këtë profesion. Nuk është e lehte. Por po nuk guxove në jetë nuk arrin atë që dëshiron.

E ke menduar të kthehesh në Shqipëri?

Nuk e mendoj momentalisht një kthim në Shqipëri se si unë dhe familja ime jemi integruar shumë mirë këtu. Por nuk i dihet asnjëherë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here