Roli i murgeshës Anxhelika, e interpretuar nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në Triptikun e Puçinit, disa muaj më parë në Londër, është nominuar për çmimet prestigjioze “British Awards”, ose ndryshe “Oscar-et britanike”.

Ndërkohë, opera do të dalë në DVD në periudhën shkurt-mars dhe do të jepet në HD në kinematë në mbarë botën, përveç Shqipëri.Përpara tre vjetësh Ermonela Jaho ishte e panjohur për publikun britanik, ndërsa sot ajo është e preferuara e Operas Mbretërore Britanike, me të cilën sopranoja shqiptare ka një kontratë deri në vitin 2015.

Sopranoja shqiptare me banim në New York, pas qëndrimit në Stokholm në dhjetor dhe shfaqjeve në janar në Londër, do të vazhdojë të ngjitet në skena të ndryshme të botës. Axhenda e saj parashikon shfaqje në Filadelfia, Vjenë, Berlin, Verona dhe deri në Liban.

Për të kuptuar se sa i suksesshëm ishte interpretimi i rolit të Anxhelikës në Triptikun e Puçinit në Operan Mbretërore të Londrës “Royal Opera House” në Covent Garden, mjafton të hysh në faqen e internetit të saj.

E veçanta e kësaj opere me tri pjesë është se ajo po filmohet për t’u tregtuar më vonë në DVD dhe për t’u transmetuar nga ‘World Vision’ në kinematë më të mëdha të botës. Mediat britanike kanë shkruar se roli i murgeshës Anxhelika të Ermonela Jahos është tepër i ndjerë. Kjo opera është transmetuar drejtpërdrejt edhe nga gjiganti mediatik BBC. Harmonia e kontrasteve: një krim pasionant, vetëvrasja e një murgeshe, mashtrimi dinak; ishin tri tregimet e Triptikut të Puçinit. Të gjitha të vendosura në vende dhe kohë të ndryshme.

Roli i murgeshës Anxhelika vjen nga shekulli i 17-të, figura qendrore e këtij triptiku që u interpretua nga sopranoja shqiptar,e Ermonela Jaho. Prezantimi i parë i Triptikut të Puçinit është bërë në Operan Metropolitane të Nju-Jorkut më 14 dhjetor të vitit 1918, ndërkohë që ishte parashikuar në vihej në Romë. Vetë Puçini nuk mundi të ishte i pranishëm në shfaqjen e premierës në Nju-Jork për shkak të situatës së tensionuar ndërkombëtare.

Vetëm më 11 janar të vitit 1919 u bë e mundur që të vihej në skenën romane vepra e Motër Anxhelikës, që shënoi një sukses të madh po aq sa sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në skenën e Londrës, ku edhe kritika e ashpër e mirëpriti artisten shqiptare. Kaq i vlerësuar ishte ky zbulim i një artisteje shqiptare, saqë Opera Mbretërore vendosi që sezonin e saj ta hapte pikërisht me këtë soprano, duke vendosur një reklamë të shfaqjes së radhës të Ermonela Jahos me foto gjigante të saj për “La Traviata” e Verdit, që hapi sezonin e këtij viti në Londër./MAPO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here