Ajo ka një histori për të treguar. Historinë e dashurisë së saj me bashkëshortin, Arditin. Deri tani kemi dëgjuar shumë çifte që kanë rrëfyer në studion e emisionit që ajo drejton, historitë e tyre, por Mira Çausholli ka një rrëfim tepër interesant për veten e saj.

Detajet e dasmës së bërë mes krismave të armëve në vitin e mbrapshtë 1997, si erdhi nuse nga Korça në Tiranë, në një kohë ku rrugët ishin të mbushura me banda.

Një pajë që nuk e mori me vete, fustanin e nusërisë që e zëvendësoi me paliçeta, e shumë të tjera, gazetarja i rrëfen në këtë intervistë. Ne kemi kënaqësinë që për herë të parë Ermira po i tregon për ‘Mapo’-n këto detaje.

Mira, pas kaq kohësh që drejton Histori Dashurie, si ndihesh në çdo sezon të ri?

Së pari, dua t’ju falënderoj për intervistën, pasi është hera e parë që unë flas për gazetën ‘Mapo’, një gazetë kaq cilësore në tregun mediatik shqiptar dhe ju përgëzoj për punën tuaj.

Tani ndihem më e sigurt sesa në fillim, sepse në fillim mendon do pëlqehet apo jo emisioni, nëse do vijnë njerëzit. Duke qenë se është një emision që trajton pjesën private të njerëzve, ishte shumë e madhe frika në fillim nëse do të pranonin shqiptarët të rrëfenin dashurinë e tyre. Ndërkohë rezultoi e suksesshme. Jo vetëm që kjo frikë që u shua, por rezultoi i suksesshëm projekti për shkak të temës që trajtohet, siç është dashuria e dy njerëzve. E vetmja gjë që programit i jep sukses pavarësisht se aty çdo gjë kurohet më së miri, njerëzit trajtohen në mënyrën më profesioniste të mundshme.

Si u krijua “Histori Dashurie”?

Si një ide e imja, duke parë shumë programe në kanale të huaja sidomos italiane. Duke parë që njerëzit shikonin dhe ishin shumë të apasionuar pas filmave dhe telenovelave pse mos të bëjmë një gjë që t’i ngjajë telenovelës, por të jetë e vërtetë, mos të jenë aktorët ata që luajnë dashurinë, por të jenë vetë njerëzit që tregojnë historinë e tyre. Ky program do bëhej në Shqipëri dhe nuk mund të ishte krejtësisht si një program italian, sepse ndryshe ndodhin gjërat te ne ndryshe andej. Sa i përket dashurisë, ne kemi një gjë të bukur që është unike, them unë, që në Shqipëri ka shumë çifte të cilat kanë njohur vetëm njëri-tjetrin në jetë. Brezi i prindërve tanë e mbrapa është e sigurt që kanë njohur vetëm njëri-tjetrin, burri gruan e tij dhe gruaja burrin që ka në krah. E kam thënë shpesh që sikur vetëm për këto raste ky emision ia vlen të ekzistojë.

Të dëgjosh kaq histori dashurie, ju vetë çfarë ju ka impresionuar?

Në këtë moment që flasim jam unë njeriu që është ndikuar më shumë nga ato histori. Shpresoj që të jetë edhe për publikun kjo, sepse ai është qëllimi kryesor. Të vijë një emision me pozitivistet, ku njerëzit herë pas here mund të gjejnë edhe detaje të jetës së tyre. Kur komentet janë përherë pozitive, unë jam e ndikuar dhe jam ajo që besoj më shumë te një dashuri ideale. Nëse deri dje të flisje për një dashuri ideale të jepte thjesht kënaqësi në bisedë, sot mua më duket një realitet.

E beson?

Po e besoj. Besoj te dashuria ideale.

Top-historitë më të mira…

Çdo histori nga njëri emision te tjetri më lë një mbresë të caktuar, një shije të caktuar dhe më jep një mesazh të caktuar. Sipas të gjitha specifikave që përcjell, secila histori është shumë e bukur dhe shumë e madhe në veten e vet.

Mira, mesazhi i dashurisë është shumë i bukur, po si mendon, sot çiftet e reja dinë të dashurojnë vërtet?

Duke u nisur nga shembujt e programit tim, jo shembuj të tjerë, unë do të thosha që edhe të rinjtë shpesh na lënë me gojë hapur. Mënyra sesi ata e pranojnë dashurinë e tyre dhe me gjithë se kanë shumë pak vite ata shprehen të sigurt për një histori që do vazhdojë. Kam përshtypjen se janë shembuj të mirë për një pjesë të madhe të rinisë sonë. Herë pas here rinia bëhet edhe mosbesuese në atë që bën dhe sheh çdo ditë.

Mendon se ka ndryshuar koncepti për dashurinë?

Jo. Mund të ketë ndryshuar. Mund të jetë bërë më e lehtë për ta arritur, për ta pasur, por duhet të jetë, kam përshtypjen, për ta mbajtur. Është e lehtë për t’u arritur, por kjo nuk duhet ta bëjë të lehtë për t’u shkëputur një marrëdhënie.

Ermira, keni vendosur të tregoni në këtë sezon historinë tuaj të dashurisë…

Unë kam vendosur ta tregoj historinë time të dashurisë këtë sezon. Kjo jo sepse historia ime është ndryshe nga të tjerat, jo sepse është më e bukur se të tjerat, jo se ka më pak apo shumë elemente për të treguar se të tjerat… Qëllimi pse po e bëj është sepse publiku e ka kërkuar që ta tregoj edhe historinë time. Përveç kësaj këtë e bëj për të treguar njëherë e mirë që unë nuk kam përdorur asnjë nga historitë, asnjë nga njerëzit apo fëmijët e tyre që kanë dalë në programin tim. Asnjëherë nuk ka qenë qëllim për t’i përdorur dhe unë të fitoj sukses dhe para, duke përdorur pjesën e privatësisë së tyre.

Kush do të jetë moderatorja e historisë suaj?

Këtë nuk e kam menduar akoma, as detajet. Po këtë sezon besoj se unë do të rrëfej edhe historinë time.

Nuk do të ndani me ne disa detaje nga historia juaj?

Dashuria ime është relativisht e gjatë dhe jetëgjatë. Është kurorëzuar me dy vajzat e mia. Njëra që ka lindur bashkë me martesën time dhe tjetra pas disa vitesh. Ndërkohë sot, sërish në këtë vit që jemi, pres të bëhem nënë për herë të tretë. Është një kënaqësi shumë e madhe, një gëzim shumë i madh, që ka kurorëzuar gjithë ato vite të aventurave, të momenteve të bukura por edhe problemeve që ka pasur lidhja ime. Kjo ka kulmuar në vitin e dasmës sime, e cila është bërë më 23 mars të vitit 1997, ku nuk mbeti gazetë e huaj pa shkruar për dasmën time. Im shoq i fiksuar ndoshta dhe në moshë shumë të re për të bërë aventura, (por që ajo ishte një aventurë me shumë rrezik brenda), vjen në Korçë dhe më merr nuse me një ekskortë krushqish të armatosur. Pa lidhje fare, një fiksim i tim shoqi për ta bërë dasmën në ditën që ishte caktuar. Kur ne e caktuam ditën e dasmës nuk menduam se çfarë do të ndodhte atë vit.

Veç emocioneve të dasmës, më trego pak për frikën e të qenit pjesë e asaj anarkie që po ndodhte në Shqipëri… Ishe më tepër e lumtur apo e frikësuar?

Të them të drejtën lumturia venitej dhe zbehej në momentin që prisja të vinte im shoq nga Tirana në Korçë. Më veshën një fustan të bardhë dhe më rregulluan. Unë nuk u pashë asnjëherë në pasqyrë. Kush më njeh mirë nuk e beson këtë. Ideja që ai ishte nisur por do të mbërrinte apo jo, kjo më zbehte lumturinë e dasmës dhe lumturinë e një sakrifice që i dashuri im i zemrës po bënte për mua. Gjë që nuk u ndodh njerëzve sot, sepse martohen në ditë të bukura dhe nuk kanë mundësi t’i tregojnë sa shumë e duan njëri-tjetrin me një sakrificë sublime. Një sakrificë ku ishte jeta brenda. Në njëfarë mënyre ai po më thoshte mua që unë jam gati të vdes për ty, “le të vdes për ty”…

Pastaj si vazhdon…?

Në momentin që ai mbërriti në Korçë mirë e bukur rrugën që do bënim bashkë për në Tiranë nuk e mendoja gjatë, sepse ishim të dy.

Si ishte rruga, Mira, nga Korça në Tiranë?

Një rrugë e mbushur me banda, me maska. Me njerëz që të vrisnin dhe të hiqnin qafe për hiçgjë. Ti nuk kushtoje asgjë në atë moment.

Patët ndonjë incident?

Çuditërisht jo, dhe sipas të dhënave që patëm pastaj nga disa miq tanë të policisë së shteti, ishim e vetmja makinë që nuk ishim prekur dhe nuk ishim ngacmuar përveçse vjedhur kuptohet. Unë e hoqa fustanin e bardhë që të mos provokoja hajdutët rrugëve që të ndalonin makinën. Mamaja ime nga një pajë shumë e madhe që më kishte bërë më dha me vete një palë çarçafë, dy jastëkë dhe një jorgan për natën e parë të martesës. ‘Të paktën merr këto’,- më tha. Po jo, nuk i marrim i thosha, se do na i shikojnë në makinë dhe do na i vjedhin, ndërsa mamaja këmbënguli t’i merrja pasi më tha që “Nuk mund të të nis kështu”.

Po dasma si shkoi?

Dasma nuk u bë. Ishte planifikuar një dasmë me 400 të ftuar. Lokali i dasmës u dogj. Të afërmit e mi ikën të gjithë me familje në Greqi, sepse ruanin fëmijët.

Ju të dy ku përfunduat?

Ne përfunduam në Tiranë mirë e bukur. Unë me paliçeta po me flokët e bëra. Pastaj bëmë një dasmë me rreth 70 vetë. Ishte dasma e parë që bëhej në gjendjen e jashtëzakonshme që ishte në Tiranë. Dasma u bë te Taverna e Dajtit. Doli bukur edhe pse 70 veta, të cilët nuk u ulën asnjë sekondë, ia dolën të krijonin atmosferë.

Besoj, jashtë lokalit kishte roje?

Jo shumë. Disa nga shokët e Arditit që ishin atëherë studentë në Akademinë e Rendit. Tirana ishte e qetë në atë kohë.

Mira, si është lidhja mes një mjeku dhe një gazetareje?

Mjek është vetëm i familjes, sepse nuk e ushtron profesionin e tij. Është shumë i dhënë tani pas punës sime, pas realizimit të ëndrrës sime. Gjej rastin ta them publikisht që është ai që realizoi ëndrrën time për të bërë këtë program, për t’u shërbyer njerëzve me pjesët më të mira të shoqërisë. Në fund të fundit i kemi.

A ka qenë historia juaj një shtysë për këtë emision?

Është bukur kur njerëzit tregojnë historinë e tyre të vërtetë të jetës, sepse asgjë nuk të kuriozon më shumë. Të paktën sot në ekranet tona, ku nuk po marrim vesh çfarë po shohim nga mëngjesi në darkë, një moment pozitiviteti, qoftë ky dy orë në javë, është shumë i dobishëm për shoqërinë, për problemet që ajo po kalon sot.

Si e menaxhon kohën?

Shumë keq (qesh). Nuk jam fare korrekte dhe me të njohurit dhe miqtë e kam tashmë të ezauruar si problem, sepse më njohin. Me të rinjtë, ose me çiftet që lë takime edhe pas shumë përpjekjeve që bëj për të qenë e rregullt dhe korrekte, sërish një 5 apo 10-minutësh vonesë janë gjithmonë.

Të bësh një emision është një angazhim më vete, po ashtu si familja dhe fëmijët. Si e gjen veten mes ekranit, bashkëshortit dhe fëmijëve?

Ekrani, shtëpia, familja dhe gjërat që dua janë ato të cilat nuk më preokupojnë. Asnjëherë nuk interferon njëra te tjetra për të më marrë kohë apo për të më bezdisur. Unë bëj punën që dua dhe në këtë mënyrë nuk e ndjej si marrje kohe nga gjërat e tjera të miat. Fëmijët janë gjëja që dua më shumë se çdo gjë tjetër. E gjej kohën në mënyrën më të lehtë të mundshme. Te puna dhe familja jam gjithmonë korrekte.

Vajzat çfarë të thonë kur të shohin në ekran?

E madhja e shikon me indiferencë Mirën në ekran. Më thotë: “shumë mirë je, shumë mirë je, përse të të shikoj akoma? Je shumë mirë dhe kaq”. Këtë e thotë thjesht për kortezi, nuk i intereson shumë. Pastaj vajza tjetër është asistentja ime edhe pse është 7 vjeçe. Vjen me mua në ditët e provave, në ditët e regjistrimit, gjatë transmetimit. Është gjithë kohës në studio me mua. Arrin të më imitojë, të mbaj mend çdo gjë që thuhet në program nga çiftet, nga paneli, mban mend këngët që këndohen…

Pas dy vajzave të rritura, pritja e një fëmije tjetër çfarë emocioni të jep?

Sikur po pres fëmijën e parë. Njëlloj është. Vajzat më janë bërë të dyja si shoqe dhe ardhja e fëmijës së tretë, që nuk e dimë ende çfarë gjinie ka, është një lumturi e madhe për gjithë familjen.

Dëshironi djalë?

S’do ishte keq të ishte pak djalë. E madhja do një motër, ndërsa më e vogla do vëllaçko. Arditi nuk e ka problem, sepse është shumë i lidhur me vajzat.

Me sa pasion e jetoni jetën tuaj, duke qenë se po flasim kaq shumë për dashurinë?

Një nga komponentët që e mban një lidhje të gjatë dhe të shëndetshme është pasioni. N.q.se bashkëjeton apo je i martuar, ke fëmijë apo je i dashuruar, nëse nuk ke pasion brenda, gjërat e tua do të jenë afatshkurtra. Investimi për të pasur gjëra gjatë do të përmbyset shumë shpejt.

Jeni xheloze? Kush është më xheloz nga ju të dy?

Këtë pyetje s’ma ka bërë asnjë gazetar deri tani dhe më vjen shumë mirë që për herë të parë do them të vërtetën. Gratë xheloze shpesh mundohen ta fshehin xhelozinë e tyre, siç kam bërë dhe unë deri dje. Kam qenë shumë xheloze, shumë fare dhe krejt pa shkak. Të jesh xheloz me shkak është e justifikueshme. Kur nuk punonin bashkë, kam qenë njeriu më bezdisës dhe xheloz që mund të jesh për një partner. Kush njeh tim shoq, Arditin, do të thotë që jam e çmendur, por që kam qenë pa shkak. E pranoj, kam qenë.

Tani nuk jeni më?

Nuk jam aq shumë tani. E kam gjithë kohën përpara syve dhe ngaqë ka shumë vite që jep prova besnikërie absolute.

Gjeni kohë gjithmonë për njëri-tjetrin?

Ne punojmë bashkë dhe kjo na jep mundësinë e të qenit bashkë për shumë kohë. Sa i përket pjesës tjetër që është shtëpia, unë përpiqem të jem një grua e dobishme për bashkëshortin dhe fëmijët e mi. Më pëlqen të gatuaj, më pëlqen të vendos përparësen të bëj dreka, darka, t’i pyes çfarë duan, të bëj ndonjë surprizë me shijet e veçanta që kanë.

Duket sikur fëmijët bëhen barrë për pushimet e një çifti…

Absolutisht. Fëmijët, që nga momenti që ka lindur vajza e madhe i kam marrë gjithmonë me vete. Asnjëherë nuk kam preferuar të shkoj me pushime me bashkëshortin po pa fëmijët. Fëmijët i japin lumturi jo vetëm ditëve kur je në shtëpi, po lumturia më e madhe të jesh me ta për pushime. Nuk të pengojnë fëmijët të rrish me bashkëshortin në intimitet gjatë pushimeve, të bësh çfarë të duash ti, nëse e menaxhon mirë kohën. Arrij t’i bëj të gjitha gjatë pushimeve. Arrij t’i jap rëndësinë dhe kohën e duhur tim shoqi po edhe fëmijëve.

Ndiheni tërësisht e realizuar?

Këtë përgjigje do ta jap në shtator, kur të kem lindur fëmijën e tretë.

E lumtur?

Mjaftueshëm.

I frekuentoni qendrat estetike?

Jo. Nuk bëj palestër, nuk shkoj në asnjë vend të tillë. I bëj vetë të gjitha.

E keni frikë plakjen?

E kam, të them të drejtën. Po ngaqë dua shumë jetën, them që mjafton të jetoj gjatë dhe le të plakem, punë e madhe.

Çfarë ëndrrash ushqeni për vajzat tuaja?

E para, dua që të rriten mirë dhe shëndetshëm. E dyta, është shkollimi dhe nuk dua të ndikoj në zgjedhjet që do të bëjnë për jetën e tyre. Thjesht dua që të jenë të realizuara për jetën e tyre.

Jeni nënë e rreptë apo…?

Herë pas here jam e rreptë, po në shumicën e rasteve jam një nënë e ëmbël (qesh).

Jeni pro apo kundër operacioneve plastike?

Duke qenë se edhe im shoq është mjek, jam kundër operacioneve plastike. Ai është me idenë që njeriu i nënshtrohet një operacioni kur ka nevojë emergjente fiziologjike. Kjo besoj që më ka bërë dhe mua të jem larg përqafimit të operacioneve plastike.

E konsideron martesën tënde në ato kushte një çmenduri?

 

 

Ajo ka qenë një aventurë e çmendur, që fatmirësisht përfundoi pozitivisht.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here