– Ermal, si lindi bashkëpunimi juaj me Nora Istrefin?

Ermal Fejzullahu: Bashkëpunimi im me Nora Istrefin ka lindur krejt spontanisht. Kemi qenë duke udhëtuar në një mbrëmje për në Gjermani dhe i kam bërë ftesë për të bërë një duet, ajo e pranoi me shumë kënaqësi dhe ja tash kënga është realizuar.

– Sa jeni i kënaqur me duetin që keni realizuar me të?

Ermal Fejzullahu: Kam mbetur shumë i kënaqur me duetin që kemi bërë me Norën dhe, sa për kuriozitet, unë kam bërë disa duete, por është hera e parë që bëj një duet me një këngëtare femër. Kjo pak a shumë është një risi për mua dhe për publikun, i cili do ta vlerësojë këngën.

 

– Mund të na tregoni se me kë keni bashkëpunuar rreth kësaj kënge?

Ermal Fejzullahu: Tekstin e këngës e ka bërë Daors Latifi, kurse pjesën tjetër të këngës e kanë bërë Zapini dhe Fisi, kurse është incizuar në studion e Enis Preshevës.

-Na tregoni më shumë se çka bëhet fjalë në këngë?

Ermal Fejzullahu: Kënga është më rinore dhe nuk ka ndonjë temë të madhe të dashurisë. Pak a shumë, e ka të njëjtin stil sikurse disa këngë të mëhershme. Është këngë e cila më shumë anon nga zhanri arembi.

-Po ashtu, kësaj kënge i keni bërë edhe videoklip. Na flisni diçka më shumë rreth klipit dhe me kë e keni realizuar atë?

Ermal Fejzullahu: Po, edhe videoklipi i është realizuar këngës dhe shumë shpejt do të transmetohet nëpër të gjitha televizionet. Klipi është realizuar nga produksioni “Entermedia” dhe i tëri është xhiruar në studion “Entermedia”.

-Përveç këtij bashkëpunimi me Norën, jeni duke punuar në ndonjë këngë tjetër?

Ermal Fejzullahu: E kam realizuar një këngë tjetër, të titulluar “Nafaka jeme”, e cila shpresoj se do të gjejë përkrahjen e publikut. Kësaj kënge ia kam realizuar videoklipin me produksionin “Max prodaction”.

Albumi i ri, brenda vitit

– A mund të presim ndonjë album muzikor brenda këtij viti?

Ermal Fejzullahu: Jam duke punuar rreth një albumi, të cilin do ta bëj të tërin ‘live’, dhe do të dalë në treg brenda këtij viti, por ende nuk e kam caktuar datën kur, sepse jam duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim.

-A do të merrni pjesë në ndonjë festival sivjet?

Ermal Fejzullahu: Ende nuk kam vendosur asgjë, por mundësitë mbeten të hapura.

– Ku do të jeni të angazhuar gjatë kësaj vere?

Ermal Fejzullahu: Në të shumtën e kohës do të jem në Durrës, por edhe në Ulqin, ndërsa herë pas here edhe në mbrëmjet e ndryshme nëpër Kosovë.

– Ermal, mund të na thoni, a e ka merituar hyrjen në finale të “Eurosongut” Aurela Gaçe?

Ermal Fejzullahu: Aurela është një artiste e përkryer, në të gjitha aspektet që i duhen një këngëtari. Ajo në “Eurosong” është paraqitur shkëlqyeshëm dhe në fakt Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur me Aurelën. Assesi nuk kam mundur ta pranoj faktin që Aurela u eliminua në gjysmë finale, sepse disa këngë që shkuan në finale as që e meritonin, sepse ishin larg këngës së Aurelës.

Jeni në pritje të fëmijës së dytë, mund të na tregoni gjininë e fëmijës dhe kur pritet të bëheni baba për herë të dytë?

Ermal Fejzullahu: Po, është e vërtetë që jam në pritje për t’u bërë baba për herë të dytë. Mjekët na kanë thënë se fëmija është i gjinisë femërore dhe shpresoj që brenda 10 ditësh të bëhem baba sërish. Për emrin e vajzës ende nuk kemi vendosur, por e rëndësishme është që gjithçka të shkojë mirë.

– Çka mund të presim nga ju pas përfundimit të sezonit veror?

Ermal Fejzullahu: Menjëherë në shtator do të jem në disa koncerte në Evropë, në Belgjikë dhe shumë vende të ndryshme të Evropës, e pastaj do të mbaj koncerte edhe në SHBA./Kosova Sot/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here