Ermali, Lumi B dhe Ledri fitojnë “Top Fest 12”Hiti “Shko” i treshes fantastike, Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula, është shpallur kënga fituese e edicionit të sivjetmë të “Top Fest”.

Performanca e finalistëve e ndërthurur me spektaklin e dhuruar nga të ftuarit, emra të njohur të skenës shqiptare, kërcimi dhe surpriza të shumta, e bënë këtë mbrëmje madhështore.

Finalja u prezantua nga Ledion Liço dhe nga Dojna Mema dhe nisi ndryshe. Këtë herë, Ledioni mori mikrofonin në dorë jo vetëm për të prezantuar, por edhe për të kënduar, duke i dhënë mundësinë publikut në sallë dhe atij që e ndoqi përmes ekranit, ta shihnin atë në një performancë ndryshe në hapjen e finales.

Aslaidon me këngën “Vetëm do ia dal” ishte fitues i çmimit “Artist To Watch”, ndërsa çmimi “Kënga më e mirë Rock/Alternative” shkoi për Petrit Çarkaxhiun me këngën “Gegë & Toskë”.

Beatrix Ramosaj me këngën “Dhoma 609” ishte fituese e dy çmimeve, “Artistja më e mirë femër” dhe e çmimit të “’Top Albania Radio”.

Për t’u veçuar ishte edhe mbërritja me helikopter e reperit Noizy, i cili pasi performoi së bashku me Elgit Doda këngën “Vetëm ti je”, mori dy çmime “Most social artist”, si dhe “Best Hip Hop”.

Traditë e “Top Fest”, për vite me radhë, ka qenë dhe dhënia e një çmimi nga banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, nga banorët e ‘Big Brother Albania’. Ndryshe nga vitet e tjera, ky “Top Fest” i gjeti banorët brenda shtëpisë dhe nga aty, në një lidhje surprizë për ta, drejtpërsëdrejti ata u bënë pjesë e dhënies së çmimit “Kënga më e dëgjuar në My Music”. Ky çmim shkoi për Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula, të cilët ishin fitues edhe të çmimit “Best Male. Ndërkohë “Kënga më e mirë Pop” shkoi për Kastro Zizon.

Për të dhënë çmimin “Topestifundit” këtë herë në skenë u ngjit Lori Hoxha, producente e këtij festivali. Ky çmim shkoi për Eugent Bushpepan me këngën “Pranë finishit”. Ndërkohë, çmimin “Balada më e mirë” e mori Stenald Mehilli me “Flas me diellin”.

Grupi “Troja” me këngën “Demokraci” dhuroi një performancë” të veçantë, ndërsa meritoi çmimin “Best Video”.

Në këtë mbrëmje u zbulua dhe enigma për të shumëpërfolurën e këtyre katër muajve, “Top Festi fundit”. Në të vërtetë është vetëm fillimi i “Top Awards”. /TCH/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here