Cilado qoftë situata në të cilën ai bën pjesë, humori është thjesht i pashmangshëm.

Edhe pse këtë herë bëhet fjalë për muzikën, Ermal Mamaqi nuk rri dot pa bërë humor, dhe kjo gjë shihet qartë në klipin e fundit, është parë në finalen e “Këngës Magjike” dhe do të dallohet edhe sot, përmes kësaj interviste, në të cilën nuk mungojnë batutat…

Këngëtari i dashur për publikun shqiptar, vjen në “Bluetooth” me një rrëfim mjaft interesant, ku shpjegon hallkat e krijimit të këngës dhe klipit “Ku ka si Tirona”, arsyen se pse zgjodhi të trajtojë këtë fabul dhe shumëçka tjetër. Ai flet sakaq edhe për planet e verës, kampionatin Evropian dhe këngën, së cilës, nën insistimin e Amit, do t’i përkushtohet më shumë këto kohë.

Ermal, sapo ke publikuar një videoklip të ri në bashkëpunim me Dr.Florin. Si lindi ideja për këtë këngë dhe për këtë bashkëpunim?

Ideja lindi si gjithmonë rastësisht. Po bënim gallatë në studio dhe doli kënga. Kur përfundoi, kuptuam që ishte popullore. Me një zë thamë: Ne nuk këndojmë popullore…Pastaj duke qeshur thamë përsëri: Le të plasë popullorja. Edlir Begolli dhe Dr.Flori realizuan muzikën dhe orkestrimin. Me regjinë e klipit u mora vetë, kurse klipin e realizoi “Chill Studio”.
Kënga dhe klipi kanë rezultuar të suksesshme për një pjesë të mirë të publikut. Cilat ishin pritshmëritë e tua për këtë këngë?
E dija që në fillim, që do ecte si këngë dhe si klip. Sigurisht, suksesi tregohet nga ftesat që po marrim në koncerte të ndryshme në të gjithë vendin. Këtë verë do jemi kudo.
Ndërkohë, një pjesë tjetër, përfshirë këtu edhe artistë, kolegë të tutë si Big Basta, kanë dalë kundra kësaj kënge, duke thënë se tall Tironën dhe traditat e saj; ç’mendim ke ti për këtë?
Duke qenë se skenarin dhe regjinë e klipit i kam krijuar unë, po përgjigjem, që të sqaroj një herë e mirë të gjithë ata që mund të keqkuptohen…Klipi është konceptuar që të kuptohet nga një shtresë e caktuar njerëzish. Është përdorur një humor me një nivel të lartë satirik, në të cilin mund të keqkuptohesh lehtësisht dhe ta marrësh të mirëqenë atë që sheh, ose më qartë është një humor që nuk e kuptojnë dot të gjithë. Në klip janë dy ngjarje që ndodhin paralelisht. Në njërën sillet fëmijëria e varfër dhe e bukur, që të gjithë e mbajmë mend, dhe në tjetrën sillet duke u parodizuar, një orkestër mediokre nga ato që jemi mësuar të shohim dhe qeshim nëpër kanale të ndryshme muzikore. U kërkoj ndjesë atyre që nuk kanë ngrënë asnjëherë bukë me vaj e kripë dhe që nuk e gjetën veten në këtë këngë dhe klip. Për ne rëndësi ka që klipi dhe kënga është pëlqyer nga të gjithë dhe në internet ‘like’ janë 1600, ndërsa ‘dislike’ 32 (qesh). Zoti ju bekoftë të gjithëve.
“Ku ka si Tirona”, duket si himn i një ekipi futbolli…Do të negociononi me aksionerët e Tironës?
Sigurisht, jam i gatshëm ta këndoj për ekipin e Tironës, kurdoherë.
Hera e parë që vjen me një këngë nën ritmet folk. Pse ky risk, apo doje një këngë që ta luaje në dasma?
Është një këngë që do luhet shumë nëpër dasma dhe normal që do ndihem i lumtur kur të jem vetë që ta vë në dasma, ku të jem unë Dj.
Sa të vështirë e patët për t’u diferencuar nga këngët e tjera me të njëjtën tematikë, për të sjellë diçka ndryshe, një risi të pëlqyeshme?
Nuk e patëm fare të vështirë. E bëmë duke mos marrë parasysh asgjë. E lamë veten të lirë dhe ja ku jemi.
Plane të tjera në këngë, ke bërë?
Do t’i rikthehem muzikës. Këtë mund të ta them me siguri. Kjo ka ardhur edhe si një shtytje e vazhdueshme e Amit. Asaj nuk i pëlqen që t’i këndoj vetëm asaj në shtëpi (qesh). Projekti më i afërt është një tjetër bashkëpunim me Dr. Florin. Do vazhdoj të eksperimentoj në rryma, të cilat nuk i kam prekur akoma.
Po sa i takon verës, ke ndarë diçka në axhendë për pushime?
Verën ia dedikoj “Ami Event”. Dasmat janë axhenda ime e vetme. Për këtë arsye jemi bërë mjeshtra skish.
Me kë bëre tifo në këtë kampionat?
Në Kampionatin Evropian jam me Brazilin (qesh).
Vure ndonjë bast?
Po, vura për Portugalinë. Herën e parë vura 20 dhe fitova 34 mijë lekë, ndërsa herën e dytë vura 35 dhe s’mora asnjë, fitoi Spanja./ Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here