Orë e orë të tëra pune e kanë shpërblyer. Eris Nezha është sot balerin i parë i teatrit të famshëm “Scala” të Milanos.

La Tiranën gjatë trazirave të vitit 1997 dhe u vendos në Milano për të realizuar ëndrrën e tij të madhe, të kërcente në një nga teatrot më të rëndësishme të botës. Erisi ia doli mbanë.

Më 3 maj debutoi me Roberto Bolle dhe Svetlana Zakharova, dy étoile të Skalës, në Marguerite & Armand – Koncert DSCH (dy balete, njëri klasik e tjetri modern që përmbledhin frymën e sezonit). Erisi do të ketë rolin e protagonistit në Koncertin DSCH bashkë me Zakharovën. Njëzet minuta spektakël i mirëfilltë.

Eris Nezha, shtatlartë, me fizik të bukur, ka nisur shkollën e baletit në Shqipëri. Ka kaluar me sukses seleksionimin për në trupën e Teatrit të Operës dhe të Baletit në Tiranë. Por në vitin 1997 la Tiranën për të ardhur në Milano, ikte nga breshëritë e plumbave që ndiheshin asokohe edhe në kryeqytetin shqiptar.

“Njerëzit vdisnin të vrarë nga plumbat qorr që shtiheshin në ajër nga civilë të armatosur”, kujton sot Erisi. Një krizë e thellë ekonomike kishte goditur vendin e tij duke e çuar në kaos të plotë. Ishte fillimi i një lufte civile dhe e një dallge të dytë emigrimi drejt Italisë. E mes njerëzve në arrati edhe Erisi, asokohe vetëm 15 vjeç, me një ëndërr të madhe, atë që të kërcente në një nga teatrot më të rëndësishme të botës. Vendos të vijë në Itali, pranë të atit (sot në Brescia bashkë me të shoqen) që kishte ardhur këtu më parë.

Erisi tregon se në fund të fundit, sakrificat më të mëdha i kanë bërë prindërit e tij, që i kanë paguar edhe shpenzimet e qiranë e apartamentit në Milano. “Nuk donin që të bëja poshtë e përpjetë – thotë ai – e të ngrihesha çdo ditë në 4 të mëngjesit”. Kush bën balet klasik ushtrohet shumë, të paktën dhjetë orë në ditë. Nis me ushtrimet në hekur dhe vazhdon me mësimin e hapave të baletit që duhen përsëritur dy, tre, njëqind herë, deri sa nuk i bën në mënyrë të përkryer. E megjithatë, testi i para në shkollën e baletit të teatrit “Scala” për Erisin ka qenë një zhgënjim. “Nuk isha në formë fizike të mirë – rrëfen – Nuk ushtrohesha prej muajsh. Për provimin e parë m’u desh të merrja borxh edhe kuantet.

Sot që jam balerin i parë – shpjegon ai – atë episod e kujtojmë akoma dhe na kap gazi”. Më 27 prill Erisi ka mbushur 30 vjeç. Që ky djalë me kaq talent po ngjit shkallët e karrierës nuk është vetëm një përshtypje. Në kurrikulumin e tij numëron pjesëmarrje prestigjioze: ka qenë një nga interpretuesit e Pink Floyd Ballet të Roland Petit në turneun në Stamboll, në sezonin 2010-2011 ka debutuar në rolin e princit Siegfried në “Liqenin e Mjellmave” të Rudolf Nureyev. Por hapi i madh i karrierës ka qenë gjatë turneut në teatrin “Bolshoi”, dhjetorin e shkuar. Me rolin e Skllavit në Excelsior fitoi edhe postin e balerinit të parë në teatrin “Scala”.

Edhe sot e kësaj dite, pas shumë vitesh në skenë Erisi rrëfen me çiltërsi: “Para se të ngjitem në skenë më dridhen këmbët”. “Scala” është shtëpia e tij e dytë. Këtu ka njohur edhe të fejuarën e tij, Petra Conti. Me të këtë vit ka interpretuar role të rëndësishme në “Giselle” dhe “Altra metà del cielo”. “Kur nuk vallëzojmë bashkë, tjetri rri dhe e shikon pas kuintave. Unë për të e ajo për mua. Dhe të betohem – buzëqesh Erisi – vuan më shumë ai që shikon”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here