Erion Zeqiraj dhe Bertina Mehmeti janë çifti më i popullarizuar në spektaklin e fundit “Big Brother 3”. Çifti ishte këto ditë në Prishtinë, me ç’rast realizuam edhe një intervistë me ta.

Kur dhe si jeni njohur për herë të parë?

Erioni: Ndryshe nga mediet e shumta që shkruanin se ne jemi njohur shumë kohë më përpara, mund të iu them se për herë të parë jemi njohur në “Big Brother”. Më të hyrë Bertina në shtëpi, më ka pëlqyer ëmbëlsira e saj që ajo e rrezatonte.

Bertina: Ishte e çuditshme ngase ne para se të hymë në “Big Brother” kishim frekuentuar të njëjtat lokale, për më tepër Erioni edhe kishte qene person publik, por unë asnjëherë nuk e kam njohur dhe as takuar para spektaklit.

Bertina, në natën kur ke hyrë në “Big Brother”, Erioni ishte ai që votoi kundër hyrjes sate brenda. Si u bë që një person që ishte kundër jush të kthehet në dashuri?

Bertina: Shpeshherë edhe unë këtë e kujtoj. I them vetes si ka mundësi që një personi që i vura kusht që t’i hakmerrem, të më kthehet në dashuri. Por ja që dashuria ishte ajo që po i harronte gjitha dallimet, inatet dhe gjithçka tjetër.

Çfarë ju tërhoqi te njëri-tjetri?

Erioni: E thashë edhe më parë se gjëja e parë që më ka tërheq ka qenë ëmbëlsira e Bertinës dhe mendoja se këtë person ia vlen ta njohësh më shumë, pavarësisht se ishim në lojë.

Bertina: Nuk jam person që dashurohem në shikim të parë, por
instinkti ka qenë ai që më brente dhe thosha se më këtë person do të më lidh diçka. Që në ditët e para Erioni ka qenë i kujdesshëm për mua dhe më bënte të ndihem mirë.

Bertina, je larguar në mesin e lojës. Të erdhi keq që nuk e vazhdove më tutje lojën, aq më tepër që Erioni mbeti brenda?

Bertina: Natyrisht se po. Kam qenë shumë e përkrahur dhe e mbështetur nga publiku, por nuk e di cilat ishin arsyet e daljes sime nga shtëpia. Megjithatë duhet ta kuptojmë se loja është loja.

Po ti Erion si u ndjeve?

Ka qenë një nga momentet më të vështira të ditëve që kam kaluar në “Big Brother”. Asnjëherë nuk me ka ndodh që të qaja për një femër, por dalja e Bertinës më ka bërë që të mos mund t’u rezistoj lotëve të mi.

Çfarë keni fituar nga “Big Brother”?

Bertina: Kemi fituar simpatinë dhe respektin e publikut. Kjo është vlera më e madhe që mund të i jepet një personi.

Erioni: Kemi fituar simpatinë e publikut, por kemi humbur privatësinë. Do të isha shumë më i lumtur sikur lidhja jonë të mos jetë kaq shumë në qendër të vëmendjes së publikut dhe medieve.

Ndonjë ofertë pune ka ardhur në adresë tuajën?

Erioni: Kam një ofertë por përderisa nuk është e konkretizuar, ajo mbetet vetëm ofertë.

Bertina: Nga “Big Brother” nuk më është ofruar asgjë, ndërsa unë kam filluar të punoj në kompaninë e sigurimeve “Inter Albania”, ku jam shefe e marketingut. Është shkruar se jam punësuar në Ministrinë e Kulturës, por kjo ka qenë vetëm shkrime nga gazetat për përfitimet e tyre apo nga gazetarë të pa informuar.

Bashkëjetoni apo ende jo?

Erioni: Bashkëjetojmë herë ditën herë natën./zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here