Na ndajnë fare pak ditë nga një prej ngjarjeve më të rëndësishme në botën e muzikës shqiptare, siç është festivali në RTSH. Këtë vit emrat e prezantuesve janë bërë publikë shumë herët dhe provat për këtë event kanë nisur. Është Festivali i 51-të i muzikës së lehtë shqiptare që çon në ‘Eurovizion’ këngën fituese për të përfaqësuar Shqipërinë. Enkel Demi në këtë intervistë tregon se si e sheh veten ai në skenën e madhe dhe prestigjioze të këtij spektakli, me një histori gjysmëshekullore dhe të rejat që do të ketë në prezantim. Shpesh mënyra apo përzgjedhja e drejtuesve janë kritikuar nga media, por Enkelin nuk e tremb aspak kjo gjë. “Nuk shkohet me frikë në një event të tillë”, – thotë ai duke zbuluar disa nga detajet pikante që do të ketë në skenarin e prezantuesve.

Enkel, do të jesh prezantuesi i sivjetshëm i Festivalit në RTSH. Çfarë do të thotë për ty të jesh moderatori i një festivali me përmasa të tilla?

Do të thotë shumë. Është një festival që e kam menduar prej kohësh se duhet ta drejtoja. Madje edhe në motet e shkuara kam biseduar që të isha drejtues i këtij aktiviteti, por duke punuar në “Klan” vështirësohej ky fakt. Kemi të bëjmë për festën më të madhe të muzikës shqiptare, pa dyshim më tradicionalen dhe në pikëpamjen televizive tri mbrëmje gala. Unë kam vite që bëj televizion dhe nuk e fsheh se dëshiroja ta drejtoja. Them se është një kulm në karrierë. Tani puna është që të dalim mirë.

Keni emisionin tuaj në TVSH, “Makinë me dy timonë” dhe një impenjim tjetër tek “Vila Mercedes”. Ku e gjeni gjithë këtë ritëm dhe energji?

Duhet të jemi seriozë në punë, gjë që do të thotë edhe në regjimin që mban jashtë impenjimeve. Fle herët, nuk pi alkool, nuk tymos, nuk bëj abuzime të tjera dhe koha del. Megjithatë mos kujto se impenjimet e mia janë më të mëdha se të tuat. Lehtë të duket të nisesh në punë në mëngjes dhe ta mbyllesh natën vonë, kur mbyll faqen apo gazetën? Në këtë pikëpamje jam më i privilegjuar.

Nga këto, cili është formati që ju bën të ndiheni më i lirë dhe më vetvetja, të themi?

Radio. Aty jam unë dhe zbavitem, por edhe program në TVSH është shumë pas shijes sime, ndaj nuk bëj dot një ndarje me thikë. Pjesa e “Vilës Mercedes” hyn tek “hobby”, ndaj në këtë pikë vetëkuptohet sa mirë e kaloj.

Në “Makinë me dy timonë” dukeni një Enkel tërësisht ndryshe, pak rebel. Jeni kështu edhe në përditshmërinë tuaj?

Ai që dëgjon në radio është një Enkel i përditshmërisë. Nëse heqim një çast hallet e ditës, nevojat e shtëpisë, detyrimet ndaj të tretëve, edhe ju do të ishit si unë në radio. Ai Enkel më pëlqen, por kuptohet jo përherë mund të jem ashtu. Në njëfarë mënyre është një lloj fiksioni, por që të paktën e luaj unë.

Dini të bëni shumë mirë profesionistin, argëtuesin, ironizuesin, por keni edhe mjaft batuta thumbuese…Sa nga këto do të çoni në skenën e festivalit?

Edhe për Festivalin po punoj me Edi Ogën dhe Engjëll Ndocajn. Them se do sjellim shumë nga kjo natyrë. Do të ketë pak aksion në Festivalin tonë, autoironi, batuta. Po punojmë për këtë gjë.

Kostumi që do të vishni, cili do të jetë, i thumbuesit dhe ironisë së zgjuar, apo ai i një profesionisti serioz?

Janë tri net. Do të jenë të gjitha kostumet.

Sipas teje, të drejtosh këtë festival është prestigj apo përgjegjësi?

Përgjegjësia është e madhe. Janë 26 këngë në garë. Luhet për përfaqësuesen e muzikës sonë në “Eurosong”. Janë në skenë të paktën 70 muzikantë. Ka të ftuar të jashtëzakonshëm, pra është një “lojë e rëndë”. Prestigji është se të kanë besuar ty të drejtosh, moderosh.

Në krah do të keni Floriana Garon. Si ju duket kombinimi me të si partnere në skenë?

Jam shumë i kënaqur prej saj. Nuk kam parë njeri aq serioz në punë. Është pak skrupuloze dhe kërkon shumë. Kjo më pëlqen, por ka një inteligjencë në komunikim krejt të veçantë. Floriana ka për të qenë zbulimi i këtij festivali. Nuk është vajza e bukur, por vajza e bukur shumë e zonja. Ka vetëm një defekt, është shumë e gjatë, tmerrësisht e gjatë.

Mendoni se do të jeni një dyshe e suksesshme, nisur edhe nga eksperiencat e viteve të mëparshme?

Uroj që po. Kam shumë dëshirë t’ia dalim si çift. Më ngroh shumë fakti që do të drejtoj me Florianën.

Femrat më shumë në këtë festival janë zgjedhur si bukuroshe më tepër dhe jo me eksperiencë në prezantim. Mendon se do të duhet të jesh “pedagog” disi për Florianën?

Shumë dakord me këtë përcaktim nuk jam. Hygerta dhe Enkelejda, paraardhëset tona ishin të bukura dhe shumë të zonjat, Elsa Lila mendoj se ka bërë një nga drejtimet e arrira në dy edicione. Unë me Florianën po punoj përditë, por nuk po e mësoj, sepse është e panevojshme. Ju Florianën do ta zbuloni dhe natën finale do e kuptoni që është profesioniste e vërtetë.

Mendon se, nëse diçka shkon keq media do të të “kryqëzojë”? Do ia falje vetes një gabim të tillë?

Nuk e kam menduar. Nuk shkohet me frikë në një ngjarje të tillë televizive. Nëse dështoj, nuk do të fshihem, do të vazhdoj të bëj punët e mia të përditshme. Do të kaloj dhe do të mbledh mendjen mos t’i mërzis më drejtuesit e RTSH-së për të drejtuar Festivalin.

Roli i një prezantuesi vlerësohet shumë në Shqipëri, ju si e shihni veten? Ju ndodh të bëni shpesh autokritikë?

Unë kam kaq frikë nga punët e mia, sa nuk i shoh ritransmetimet. Jam përherë kritik dhe i pakënaqur me veten. Unë them se jam tek njerëzit që bëj televizion. Më ka rezultuar që nuk kam dalë keq deri tani, por them se ka të tjerë që në momente të caktuara, programe të caktuara, kanë qenë më mirë se unë.

Duke qenë pjesë e botës së medias, sa i njeh këngëtarët?

I njoh. E dëgjoj muzikën e tyre. Kam një opinion për ta dhe shumë shpesh shoqërohet me ata ose me ato.

Duke u kthyer pak në nostalgji, si të duken këngët e reja që bëhen sot?

Ka këngë të mira dhe këngë të këqija. Por sot ka më shumë mundësi. Fjala vjen, Arditi i kohës sime apo Ardian Hila, janë shumë më ndryshe sesa sot, por dëgjoj me të njëjtën kënaqësi Alban Skënderajn dhe grupin “Burn”, Bojkenin me “Grifshat” apo Besa Kokëdhimën, Aurelën, Dr. Florin, Redon Makashin, Pirro Çakon, Rosela Gjylbegun. Lista është e gjatë dhe do kem lënë jashtë me siguri miq apo preferencat e mia.

Je fans i ndonjë këngëtari shqiptar?

Jam fans i Aleksandër Gjokës.

Në Shqipëri ka mjaft problematika, por problemi ynë kryesor cili është sipas jush?

Edukata. Jemi të egër.

 

Floriana Garo: Pikat e mia të forta në prezantimin e Festivalit

Floriana Garo njihet nga të gjithë si bukuroshja e motit në ABC News, si imazh i firmës “Cortefiel” e si përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss World”. Këtë fundvit vajza simpatike vjen me një sipërmarrje gjigante, atë të prezantueses në një festival që sa i madh, aq edhe shpesh i kritikueshëm për përzgjedhjet që janë bërë për ta drejtuar në vite. Megjithatë, Floriana duket më gati se kurrë, një sfidë të cilën e ka marrë me përgjegjësi dhe shumë përkushtim. Në këtë intervistë ajo tregon për frikërat por edhe për armët e saj të forta të personalitetit, të cilat beson se do ta bëjnë të jetë në lartësinë që ky event kërkon. Në krah ka Enkel Demin, prezantuesin dhe gazetarin e njohur, i cili njëkohësisht është shprehur se ndihet me fat që do të ngjitet në skenë për tri net me vajzën bukuroshe.

Floriana, së bashku me Enkel Demin do të jeni prezantuesit e Festivalit në RTSH. Cili ishte reagimi juaj i parë kur jua bënë këtë propozim?

“Wow! Vërtet? Po, patjetër!!”. Pak a shumë këto fjalë shpreha kur ma propozuan. Nuk hezitova fare, sepse e kam patur ëndërr të prezantoj një spektakël të madh. Ky është rasti perfekt për ta realizuar këtë ëndërr.

Si erdhi oferta tek ty dhe sa gjatë e ke menduar këtë gjë?

Nuk e mendova fare. Thashë direkt po. Oferta më erdhi nga drejtuesit e “ABC News” të cilët e kishin diskutuar me drejtorin e RTSH-së.

Besoj tashmë kanë nisur provat e para. Si e shihni Enkelin si partner?

Po, kemi filluar të bëjmë disa prova tavolinë. Enkeli është një gazetar e prezantues shumë i zoti dhe njeri shumë i mirë. Jam e lumtur që po prezantoj në krah të tij dhe jam e bindur që gjithçka do të shkojë më së miri.

Shumë nga prezantueset e viteve të fundit janë kritikuar nga media dhe le të themi se nuk kanë dalë aq mirë.. Ti vetë e ke frikën e dështimit?

Përgjithësisht nuk e kam. Unë mendoj pozitivisht për ato që dua të arrij, në mënyrë që të jem më e qetë. Për fat kam rreth vetes njerëz, të cilët më mbështesin dhe më inkurajojnë.

Si ndikon marrja e një përgjegjësie të madhe tek ty?

Më bën të ndjehem e fuqishme dhe e plotësuar. Në të njëjtën kohë më bën të reflektoj dhe të jem e kujdesshme në hapat që hedh.

Çfarë beson se do të japësh ndryshe në këtë festival që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë?

Do të jap provën time të parë të madhe në një event të madh televiziv. Dua të jem sa më e lirshme, e natyrshme dhe sa më shumë në sinkron me Enkelin dhe spektaklin në tërësi.

A i ke parë prezantimet e tjera të festivalit në RTSH?

Po, kam parë disa. Jo të gjitha, sepse jetoja në SHBA.

Sipas teje, a ka një model të suksesshëm prezantimi?

Origjinaliteti është i rëndësishëm, por si model, festivali i Sanremos është shumë i mirë.

Pika jote më e fortë cila mendon se është?

Natyrshmëria, komunikimi në anglisht, të cilin do ta përdor gjatë festivalit, por edhe pamja e jashtme.

Keni emisionin tuaj të motit, keni marrë pjesë në “Miss World”, tani prezantuese… Deri ku shkojnë ambiciet tuaja në televizion?

Ambiciet e mia konsistojnë në të paturit një emision shumë të suksesshëm timin dhe në të prezantuarit e spektakleve të mëdha.

Njëkohësisht t’u besua edhe prezantimi i koncertit të madh në shesh me Rita Orën. A patë emocione kur këngëtarja e njohur u ngjit në skenë?

Ishte një privilegj dhe kënaqësi që prezantova koncertin e madh të Pavarësisë. Ishte hera ime e parë që prezantoja në prani të një audience aq të madhe. Kishte edhe disa probleme me zhurmat, motin me shi dhe unë nuk pata mundësi ta praktikoja prezantimin, sepse koha ishte e limituar, por ia dolëm mbanë dhe koncerti doli shumë mirë. Natyrisht pata emocione kur Rita Ora mbërriti në koncert. Bashkë me mijëra shqiptarë në shesh prisnim prej orësh një këngëtare me famë botërore që vinte posaçërisht për të ndarë me ne festën tonë kombëtare. Ajo dha vërtet një shfaqje të mahnitshme dhe unë u ndjeva e lumtur që pata mundësinë ta ndiqja nga afër performancën e saj.

Shkëmbyet ndonjë fjalë me Ritën?

Po. Ne komunikuam pak kur ajo u ngjit në skenë bashkë me Kryeministrin. Tha se do shkonte të bëhej gati në prapaskenë e se do të kishte një “laser show” të bukur para performancës! Ishte vërtet e emocionuar që ndodhej në Tiranë.

Pamë se gjatë gjithë kohës me ty ishte edhe i dashuri jot për të të shoqëruar… A ndodhet ai në çdo event ku duhet të jeni?

Po. Tedi ndodhet me mua sa herë është e mundur! Ai më mbështet gjithmonë!

Si ju bën të ndiheni prania e tij, më e fortë apo ju krijon më shumë emocione?

Prania e tij më bën të ndjehem më e fortë, më e sigurt dhe me më shumë vetëbesim. Tedi e ka ndjekur hap pas hapi karrierën time televizive, që kur unë e kam nisur para 2 vjetësh dhe e ka parë tek zhvillohet. Ai emocionohet po aq sa unë për çdo sukses që unë arrij dhe më nxit për të arritur më të mirën. Jam me shumë fat që e kam pranë.  JONIDA HITOVEIZI GAZETA MAPO

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here