Është 15 vjeç, këtë vit ulet për herë të parë në bankat e gjimnazit, por ama prej vitesh është një emër i dëgjuar në median shqiptare, si një prej këngëtareve që premton më shumë për të ardhmen.

Deri tani ka provuar jo pak suksese, ka një vokal të mrekullueshëm dhe për më tepër pamja e saj të bën ta duash pa u menduar 2 herë.

Eni Koçi, bukuroshja e skenës shqiptare do të vijë sot në një intervistë të sinqertë, e pa doreza, ashtu siç vetëm ajo di të përgjigjet…Vera që shkoi, angazhimet, shkolla që nis, projektet dhe synimet për të ardhmen, këngët e reja dhe marrëdhëniet me kolegët.

Si kaloi kjo verë për ty?
Vera kaloi mjaft mirë, por sigurisht me shumë lodhje dhe punë. Vera është tepër e lodhshme, por dhe e bukur për çdo këngëtare.

Ka qenë një stinë e ngjeshur me koncerte, sa selektive je ti në to? Për çfarë interesohesh përpara se të shkosh në një koncert?
Ka qenë jashtë mase e ngjeshur me koncerte. Për mua rëndësi ka të jetë një ambient i bukur dhe më gëzon shumë fakti, që njerëzit më kërkojnë pranë tyre. Kjo është kryesorja, t’ia kalosh mirë.

Po pushime ke bërë këtë vit?
Kam bërë shumë pak, kam shfrytëzuar më së shumti paraditet gjatë fundjavave.

Ndërkohë shtatori vjen zakonisht me projekte të reja për këngëtarët, për më tepër ato që gjatë verës nuk kanë sjellë një hit të ri, si ty… Cilat janë projektet e tua?
Projektet e mia nuk kanë fund. Sapo kam realizuar tri këngë solo dhe një bashkëpunim me një reper të huaj, është mjaft i talentuar madje këtë muaj ka lidhur dhe një kontratë me producentët e Cascada, është shumë i mirë. Shumë shpejt do të vijë vazhdimi i “So hot”, një tjetër bashkëpunim me Noizy-n, vazhdimi i këngës dhe klipit të parë. Kënga ka përfunduar, jemi në punë e sipër për klipin. Të tjerat, surprizë…

Do të kemi një pjesëmarrje tënden në “Kënga Magjike”?
Po, do të jem pjesë e këtij edicioni.

Me ardhjen e shtatorit, nis edhe shkolla. Më saktë nesër (sot) do jesh në shkollë. Hidhesh ne vit të parë në gjimnaz apo jo? Si ndihesh dhe çfarë synimesh i ke vënë vetes?
Në klasë të dhjetë për ta saktësuar. Do bëhem shkencëtare këtë vit, e vendosa… (qesh)

Kur të mbarosh gjimnazin çfarë shkolle dëshiron të ndjekësh?
Ende kam kohë për të vendosur, por më pëlqen politika dhe gazetaria, gjithsesi do ja lë kohës.

Ç’marrëdhënie ke me shokët e shoqet e klasës, fakti që je VIP të bën që ndonjëherë të ndihesh superiore?
Në fakt deri më tani në klasë jam me shokë dhe shoqe me të cilët jam rritur, pra që në fillore kam me ta, ndaj dhe s’kanë si të më shohin si Eni Koçi, por si Eni.

Eni si botuese e gazetës “Trafik VIP” në të cilën ndonjëherë edhe keq komentohen kolegët e tu, të ka ndodhur ndonjëherë të kesh konflikte me to?
(Mendohet) Unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë kolegët dhe s’pëlqej t’i shkatërroj këto marrëdhënie, por të qenit person i famshëm do të thotë të kesh kujdes dhe për detajin më të vogël, pasi nëse të shpëton diçka paparacët dhe gazetat bëjnë të vetën. Këtë funksion ka gazetaria rozë. Ka pasur dhe konflikte të vogla, por që unë nuk i jap shumë rëndësi.

Po gjatë periudhës që drejtoje emisionin “Helm” ke pasur konflikte?
As nuk diskutohet që ka pasur, por s’kemi ç’bëjmë… Në ato momente që unë prezantoja atë emision, isha prezantuese dhe komentuese e një lajmi dhe jo një mikeshë e një personazhi publik. Jashtë asaj studioje gjërat ndryshojnë.

Pse hoqe dorë nga ai emision?
Hoqa dorë për shkak të impenjimeve të shumta, nuk kisha mundësi që fundjavave të isha e pranishme për të bërë emisionin. Koncertet u shtuan dhe axhenda u bë më e ngjeshur.

Kë nga kolegët vlerëson më shumë dhe kë nuk e duron fare?
I respektoj të gjithë. Kam miq shumë të mirë dhe jo vetëm kolegë si: Ronela Hajati, Noizy, Linda Halimi, Big Basta. Ndërsa ndonjë koleg që nuk duroj dot, nuk kam.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here