Për Eneda Tarifën, ceremonitë serioze në jetë janë konvencion, ndërsa spektaklet plot humor si “Portokalli” janë arsyeja që një artist me shpirt melankolik të zbresë me këmbë në tokë. Për martesën dhe pritjen e një fëmije ajo thotë se nuk ka ndërmend të bëjë plane.

Festoi 30-vjetorin në një darkë krejtësisht private, ndërsa po jeton karrierë ndryshe në televizion. Planet për muzikë në verë dhe gjithçka mbi lidhjen 15-vjeçare të dashurisë me Erion Zaloshnjën i zbulon në këtë intervistë.

Sapo ke përfunduar sezonin e tretë të spektaklit “Portokalli”. Do të jesh sërish moderatorja e sezonit të ri?
Unë jam pjesë e “Portokalli”, dhe nuk mund të pyetet çdo sezon a do të jem sërish, pasi nuk tingëllon shumë këndshëm. Drejtuesit dhe regjisori Altin Basha janë shumë të lumtur dhe të kënaqur me suksesin e “Portokalli”-së së fundit, duke e konsideruar si sezonin më të suksesshëm, fakt që vërtetohej nga shitja e biletave që në fillim të javës. Unë tashmë ndihem në skenën time, jam akomoduar shumë mirë dhe kur të kem dhënë më të mirën time, dhe të mos kem ç’të jap më në atë show, natyrisht që do largohem.
Pas kësaj eksperience të re me aktorë humori, mund të ndodhë që të devijosh nga aktrimi? Është një ambicie e jotja?
Jo, nuk besoj. Jam e kënaqur me këtë drejtim që kam, pra me muzikën. Aktrimin po e provoj sa për të prezantuar, por s’kam synim për të provuar aktoren.
Ndërkaq duket se e ke lënë mënjanë muzikën, si do të rikthehesh?
Po e vërtetë, dhe e ndiej të nevojshëm rikthimin në muzikë. Bashkë me Elton Dedën do të punojmë në gusht dhe shtator, pas disa pushimeve që kemi planifikuar në plazhet e Jugut me një grup artistësh. Në muzikë do të rikthehem me dy këngë të reja, që do i bëjmë klip, të shkruara nga Elton Deda dhe Gent Myftaraj.
Do të ndikohet muzika jote, e karakterizuar nga nota melankolie, nga kjo frymë humori e punës në “Portokalli”?
Jo, pasi unë kam 15 vite karrierë në muzikë dhe s’mund të zhbëj apo të ndryshoj karakterin e muzikës që kam bërë deri tani, sepse i bie që të bëhet parodi pastaj. Është e vërtetë që “Portokalli” më ndihmon shumë për të më sjellë pak më në tokë, pasi prezantimi i një show humori ma ka zbehur atë natyrën melankolike që kanë atistët. Pra, në jetën e përditshme më ka ndihmuar të jem më e shpejtë në batuta.
Po jeton me Erion Zaloshnjën, një histori të gjallë dashurie që i ka kaluar 15 vjet. Keni kaluar vështirësi në lidhjen tuaj?
Kur një shoqja ime e gjimnazit që jeton jashtë më pyeti pas 15 vitesh nëse unë dhe Erioni vazhojmë ende, dhe mori përgjigjen “po”, ajo më tha: “Nëse do mësoja se historia jote me Erionin ka mbaruar, do vërtetoja që nuk kishte dashuri. Shoqet e mia të klasës, miqtë e mi e kanë si etalon lidhjen tonë, e lakmojnë në kuptimin e mirë të fjalës. Është fat të përjetosh një lidhje të tillë, pra të jesh kaq gjatë me një person. E vërteta është se ne jemi ndarë disa herë dhe kemi kaluar ato krizat e një lidhjeje, por përsëri i kemi tejkaluar. Me kalimin e viteve kemi kuptuar se ne nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin. Është një ndjenjë që e kemi mbajtur gjallë me shumë kujdes duke larguar tundimet që na rrethojmë, ndërkohë që nuk kemi pasur ndonjë kërcënim real. Lidhja jonë është vendim, edhe pse vazhdimin nuk mund ta parashikoj.
Është folur shumë për një ceremoni martese, është në planet tuaja?
Jo nuk e kemi planifikuar, pasi për ne të dy që bashkëjetojmë martesa është thjesht një konvencion. E rëndësishme është që ne do bëjmë një festë thjesht për qejfin tonë, por s’kemi vendosur se kur.
Jeta jote në televizion e bezdis Erionin, si reagon ai?
Jo, pasi unë kam qenë gjithmonë në televizion dhe ka dashur që unë të jem. Erionin e bezdis vetëm fakti që nuk ka dëshirë të bëhet objekt nëpërmjet meje, pasi ka një jetë të tijën dhe e ka zgjedhur kështu. Gjithsesi, në çdo rast ai më drejton mirë, më qëndron pranë për të gjitha problemet që kam në punë si një i rritur.
Tani që ke hyrë në kategorinë e vajzave prezantuese, si ndihesh mes tyre?
Unë nuk jam në konkurrencë të mirëfilltë me to, pasi jam e re në këtë terren televiziv dhe s’mund të pretendoj që kam eksperiencën e atyre apo dashurinë e publikut që kanë ato. Nuk ndiej asnjë problem mes kolegesh, jemi mirë, pasi secila ka programin e vet. Sa për vete, them se gjithmonë do të jem Eneda këngëtare, pasi mendoj që kam shumë për të dhënë e për të bërë muzikë ende. Ka kolege që i vlerësoj shumë si prezantuese dhe që janë: Albana Osmani, Arbana Osmani, Xhemi Shehu, Rudina Magjistari etj. Ndërsa mes prezantuesve meshkuj më pëlqejnë Bledi Strakosha, Adi Krasta, sigurisht dhe Salsandro Rrapi (qesh).

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here