Ka qenë gjithmonë i veçantë. Ka spikatur mes të tjerëve duke krijuar individualitetin e tij artistik. Puna deri në orët e vona të natës e bën që të kërkojë ndjesë për vonesën, ndërsa ne presim të zhvillojmë intervistën.

Roli i tij është pedagog dhe regjisor i këtij formati që ka për synim zbulimin e talenteve të reja që, në fakt, nuk është i pari për Bojkenin. Tani është në valën e punës me “Akademinë e yjeve” që këtë vit ka filluar të zhvillohet në formatin e një reality show.

Te rinjtë, të cilët janë përzgjedhur nga autorët për talentin e tyre në këngë dhe në balet u duhet edhe të jetojnë në një shtëpi përgjatë spektaklit. Na shpjegon formulën dhe hapat që do të ndiqen këtë vit me një qetësi që në skenë transformohet në fuqi.

Jo rastësisht, Bojken Lako është ky që është. Ai vjen nga një familje me gjak artistësh, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e kinematografisë shqiptare. Sa i përmendim Bojkenit të atin, Bujar Lakon, biseda merr të tjera ngjyra.

Një nga filmat më të dashur për të është “Gjeneral Gramafoni”, ku Bujari ka rolin e Halit Beratit, klarinetist, që ai e luan sikur të ishte një mjeshtër në këtë instrument. Emocionet i ka rrëfyer në këtë intervistë. Ndoshta një ditë do t’i shohim at e bir në një film.

Bojken, spektakli “Akademia e Yjeve” këtë vit vjen në me një format ndryshe, ishte ideja juaj si regjisor?
Jo nuk ishte ideja ime për ta bërë në këtë format dhe nuk ishte ideja ime që të merrja pjesë. Si fillim pata një ofertë nga Zana Çela, të cilën e njoh prej vitesh që kur ka punuar në institucione të tjera dhe kemi bashkëpunuar që atëherë. Më propozoi që të punoja për regjinë dhe në një pjesë të mësimdhënies. Ndërsa për ta zhvilluar këtë program në formën e realit-ys ishte ideja e organizatorëve, pavarësisht se në këtë formë është edhe standardi normal jashtë. Që do të thotë se të rinjtë bashkëjetojnë gjatë kohës së spektaklit dhe leksionet dhe mësimet i marrin brenda një shtëpie të përbashkët. Ky ishte një format i caktuar, unë thjeshtë po e përshtas.

Ju vetë keni marrë pjesë në përzgjedhjen e të rinjve konkurrentë?
Kam marrë pjesë në përzgjedhjen e dytë të të rinjve.

Përveç aftësive profesionale, fakti që do të jetojnë në një shtëpi, u vë re ndonjë karakteristikë tjetër?
Jo. Ne jemi munduar që t’i përmbahemi parametrave profesionale. Dhe kemi përzgjedhur elementët që janë të mirë nga ana profesionale, për dhuntitë e tyre në balet dhe në këngë, ndonëse pjesa e reality-s është diçka e mirë që telespektatori sheh atë që në të vërtetë këta student kanë brenda. Gjithmonë parimi kryesor ka qenë dija profesionale, nuk është se është marrë për bazë vetëm karakteri, duke lënë mënjanë dhuntitë që kanë.

Qëndrimi në shtëpi ndikon për mirë në anën profesionale apo për keq?
Unë mendoj që bën mirë, sepse krijojnë më tepër afrimitet me njeri-tjetrin. Janë më tepër të fokusuar tek puna që bëjnë për spektaklin. Gjithsesi, mbase në këto momente që po bëjmë këtë intervistë është pak herët për të nxjerrë përfundime mbi ecurinë dhe efektin e bashkëjetesës, pasi ende nuk ka filluar shfaqja e parë. Kjo do të duket kur të hyjë ajo ndjesia e garës dhe ndjesia e të qenit konkurrent.

Nuk është hera e parë për ju që jeni pjesë e stafit të zbulimeve të talenteve të reja. Duke qenë në kontakt me rininë dhe pasionet e tyre, mendoni se kemi rini të talentuar?
Ne kemi shumë rinj të talentuar, po nuk besoj se kjo është rinia më e talentuar që merr pjesë në këto spektakle. Ka dhe shumë të rinj të tjerë që kanë shumë dhunti por, mbase, për arsye të ndryshme nuk marrin pjesë hapur për të qenë kaq të ekspozuar. Audicionet nuk janë gjithmonë ato që tregojnë realisht talentin e të rinjve ose të pjesës tjetër. Ka nga ata që nuk marrin pjesë në audicione, por kanë zgjedhur një rrugë tjetër për të krijuar apo kompozuar. Por, ka shumë të rinj të zot, nga që kam pasur fatin të merrem me të rinj dhe vë re se kemi rini të mirë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Fakti që deri më tani je fokusuar te këto lloj programesh, do të thotë se pëlqen të merresh me këtë gjë?
Po, patjetër. Kam bërë edhe “Top Fest” për gjashtë vjet. Nuk është rastësi, mbase edhe më ka bërë puna të jem afër të rinjve. Kam kënaqësi që merrem me ta dhe me zbulimin e talenteve.

Si ndiheni tani që pas gjashtë vjetësh, në vitin e shtatë të “Top Festit” ju nuk jeni aty?
Ato janë struktura të ngritura që funksionojnë edhe pa mua. Unë e konsideroj si pjesë shumë të mirë që kam punuar në “Top Media” për 11 vjet. Fakti që nuk jam më aty nuk do të thotë që unë kam ndonjë lloj mërie apo armiqësie, përkundrazi.

Bojken, dalim pak nga kjo pjesë dhe kthehemi shumë vite pas. Sa herë përmendim emrin Bujar Lako, i cili është babai juaj, mendja na shkon te filmi “Gjeneral Gramafoni”, si ndiheni ju kur e shihni këtë film?
Filmi është bërë në vitin 1978, kur unë kam qenë vetëm katër vjeç. Nuk mbaj mend, sepse kam qenë fare i vogël, por më kanë treguar prindërit reagimet që kam pasur unë si fëmijë kur e shihja atë film. E kam parë vazhdimisht, me thënë të drejtën, më pëlqen shumë. Edhe kur jam rritur, edhe kur kam bërë shkollën për regji e kam parë, por edhe për ta studiuar. Para tre muajve e mora në videotekë. Është shumë i mirë dhe nga ana regjisoriale. Është një nga filmat më të mirë shqiptarë. Plus që edhe nga ana e interpretimit të Bujarit. Më kanë treguar se gjatë pjesëmarrjes në një festival filmi, regjisorit të ndjerë, Viktor Gjikës, i kanë thënë që klarinetist që luan kaq mirë në film, nuk kam parë ndonjëherë. Jo i kishte thënë ai, ky është aktor. Kjo do të thotë shumë.

Po në të vërtetë, babai juaj, Bujari e ka pas mësuar klarinetën në atë kohë?
Bujari ka pasur afër, gjatë gjithë xhirimeve, mjeshtrin e madh Laver Bariu, i cili e ka ndihmuar shumë. Por, kjo varet edhe nga dhuntitë e tij të mira në anën e aktrimit që kanë bërë atë të interpretojë në atë formë, nuk është se ai është klarinetist. Unë nuk është se e kam pyetur shumë, po di që në atë periudhë ka punuar shumë që vegla të ishte njësh me të. Ai ka bërë të pamundurën që gjithçka të jetë e vërtetë dhe origjinale, kjo është një pjesë e mjeshtërisë, nuk është se Bujari i bie klarinetës.

Do të donit ju të bënit një film si “Gjeneral Gramafoni”?
Ai është një film shumë profesional. Kam pas gjithmonë ëndërr dhe kam dëshirë të merrem me film, por jeta nuk më ka sjell shumë. Fillova të punoj që në 1998 në media. Kam punuar dhe dokumentar apo video të miat. Ndërsa me filmin nuk jam marrë. Kam ëndërr të bëj një film, ku të jetë babai im, një bashkëpunim i të dyve. E mendoj gjithmonë, kur gjej pak kohë të lirë dhe i them tim ati, të realizojmë ndonjë skenar, por akoma nuk ka ardhur ajo koha.

Tani po merreni vetëm me “Star-in”?
Po, sepse me ketë pjesën e reality-s programi është i ngarkuar, i përhapur në disa drejtime, besoj deri në fund të qershorit që mbaron spektakli nuk kam mundësi të merrem me gjë tjetër.

Ju keni qenë nga ata të rinj që keni rënë në sy, si e sheh veten në raport me këtë rini që është sot?
Nuk e di sa mund të flas për rininë që është sot në Shqipëri, sepse mendoj që në të gjithë botën, ky brez i sotëm ka pak ndryshim nga brezi jonë. Struktura e shoqërisë në atë kohë ka qenë ndryshe, përudhja e rënies se murit të Berlinit. Të rinjtë kanë pasur shumë dëshira të çmendura. Jetojmë në një kohë tjetër që mund të jetë pak më e thatë. Të gjithë brezat ndihen më të lodhur nga jeta, ka probleme më të mëdha dhe nuk ka aq shumë ëndrra. Në qoftë se bëhet dallimi me brezin tim, mund vë minuse tek të rinjtë për shkak të atyre vetë, por për shkak të gjithë formës që ka shoqëria. Janë më të fjetur.

Ti e ke ndier veten ndryshe?
Po dhe e kam ndjerë. Tani mbase është dhe koha e internetit dhe njerëzit janë pak më ndryshe, por shoh që ka një lloj mungese dëshire për të realizuar ëndrra apo ideale.

Kur do të jetë momenti i radhës që do të lyesh flokët?
(Qesh) Unë nuk është se e mendoj shumë anën e jashtme. I bëj ndonjëherë kur dua të ndryshoj, ose kur bie në monotoni.

Për jetën private ke qenë vazhdimisht i rezervuar…
E kam bezdi, unë jam i idesë që them diçka kur bëj diçka.

Bashkëshortja juaj është artiste?
Jo është mjeke, stomatologe.

Atje i rregulloni dhembët?
Po, jam dhe pacient i vështirë, kam i çik teka, se më thënë të drejtën kam pas probleme me dhëmbët.

Çfarë lidhje ka një stomatologe me një artist?
Nuk ka lidhje. Ka shumë artist, mos të them që janë më të shumtët ata që e kanë bashkëshortin ose bashkëshorten jo në të njëjtin profesion. Një i ri mund të njihet në kushte dhe rrethana të ndryshme. Pëlqimi dhe bashkëjetesa ka të bëjë me pjesën shpirtërore, jo me pjesën e profesionit. Secili ka brenda ndjesitë e veta.

Ju ndjek ajo në punën dhe aktivitetet tuaja?
Po, më ndjek dhe më mbështet shumë.

E keni në plan një fëmijë?
Po, po, normal që është. Madje, së shpejti./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here