Një gazetar politik shpesh shfaq interes për t’u pyetur në marrëdhëniet që ka me politikanët dhe çfarë di më shumë për ta ndërsa i takon përditë.

Endri Xhafo, gazetari i njohur i kronikave politike në “Top Channel”, mund të na e shuajë një kuriozitet të tillë.

Ka vendosur të largohet nga ky ekran, ndërsa pranon ofertën e një tjetër televizioni (AS), për program mëngjesi. Cila ishte arsyeja e largimit, marrëdhënia me Bamir Topin, dhe programi që ka menduar në konkurrencë me Aldon Lipen, Blendi Salën, Eno Popin apo Ledion Liçon, i zbulon në këtë intervistë për gazetën “Panorama”.
Pas një eksperience të gjatë, rreth një dekadë, si gazetar i çështjeve politike në disa media, dhe së fundi në “Top Channel”, vendos të largohesh nga TCH. Cila ishte arsyeja e marrjes së këtij vendimi?
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se njerëzit më identifikojnë më shumë me “Top Channel”. Dhe kjo është normale. Aq herë sa kam thënë nëpër standup-e apo lidhje direkte “për Top Channel, Endri Xhafo”… (qesh). Në fakt, nga këto dhjetë vjet eksperiencë, gjashtë të fundit i kam kaluar në “TCH”. Në mes të këtyre dhe katër të parëve, ka një “pauzë akademike” shtatëvjeçare – pra një qëndrim i stërzgjatur në Francë. Vitet e punës në Top Channel, pas kthimit nga Franca, ishin pra, në një farë mënyre, rigjetje dhe stabilizim i vetvetes. Ndaj i detyrohem shumë Top-it. Të rrallë janë në Shqipëri televizionet ku, ndër të tjera, ti shkon dhe i thua drejtorit të përgjithshëm “Unë dua të shkoj në Francë për zgjedhjet presidenciale” dhe ai të thotë “Ok, shko!”.
Si erdhi oferta nga televizioni “Albanian Screen”, dhe bëhet fjalë për një largim miqësor nga TCH?
Oferta nga “AS” më erdhi pikërisht në kohën kur, pa modesti, ende nuk ishte shuar jehona e reportazhit tim mbi ndryshimin e madh politik në Francë, rrotacionin mes presidentit Sarkozy dhe kandidatit Holande. E rëndësishme për mua në këtë lëvizje timen, ishte që vendimin për t’u larguar nga “Top Channel” nuk e mora pra në inat e sipër, as pas ndonjë pakënaqësie të momentit apo ndonjë sherri banal. Sigurisht, unë kisha kohë që kërkoja një hapësirë, ku të ndihesha më i gjallë dhe më produktiv, për veten dhe për televizionin. Konkretisht, nga momenti i ofertës deri në letrën e dorëheqjes, rrodhi gati një muaj. Më në fund edhe Top Channel pranoi të më ofronte një hapësirë, as më shumë e as më pak, por atë që unë vetë kisha kërkuar prej kaq vitesh, por që në momentin e ofertës së “AS” m’u duk pak. Kështu që ika.
Dihet që ke qenë një nga gazetarët e preferuar të Presidentit Bamir Topi, gjatë raportimit të lajmeve nga Presidenca. Sa lidhje ka zgjedhja e Presidentit të ri me këtë largim?
Këtu s’më kishte shkuar mendja, sinqerisht (qesh)! E kam vlerësuar shpesh veten, madje ndonjëherë duke “flirtuar” me vanitetin, por kurrë ama nuk kam menduar se personi im mund të lidhej me një ngjarje kaq të rëndësishme politike dhe institucionale për vendin, siç është zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Aq më tepër që, nga pikëpamja hierarkike, në “TCH” kam qenë veçse një gazetar “i thjeshtë”. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes dhe për të “qetësuar” këdo që, qoftë edhe hipotetikisht mund ta konsiderojë këtë mundësi, po them në mënyrë kategorike që largimi im nga “TCH” nuk ka lidhje fare me largimin e ardhshëm të Bamir Topit nga Presidenca.
E ç’mund të thuash më shumë për “marrëdhënien” me Bamir Topin?
Sa i takon “marrëdhënies” sime me Bamir Topin, nëse të tillë ka, ajo është një marrëdhënie së cilës, njësoj si marrëdhëniet me politikanët e tjerë, deontologjia e profesionit i imponon disa rregulla dhe limite. Pra, në punën e tij një gazetar duhet gjithmonë të ndajë prerazi raportin personal me raportin “gazetar-burim”, që është sa një marrëdhënie e ndërsjellë “përdorimi”, aq edhe besimi.
Në raste vendimesh të tilla, shkak bëhet edhe një pagë më e mirë. Ka qenë edhe kjo një arsye?
Shiko, unë thashë që oferta e Albanian Screen sillte për mua një përmbushje të asaj që po kërkoja prej disa kohësh, një gjë që të më bënte të vibroja sërish profesionalisht. Gjërat kanë cikle dhe, në fund të këtyre cikleve, çdokush, për të mos rënë në monotoni, ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e vet të madh. Në rastin tim mund t’ju pohoj se “po”, te AS do të paguhem më shumë sesa paguhesha në “TCH”, por nuk është kjo…
A mund të na thuash sa do të paguhesh?
Jo më shumë se kolegët në pozicione të ngjashme pune! Që të jemi të qartë në këtë pikë: AS nuk ka bërë aspak një ofertë nga ato që prishin tregun. AS vetëm ka besuar tek unë, duke menduar se unë dhe emisioni kemi potenciale për të qenë po aq të suksesshëm, sa edhe drejtuesit e emisionet më të suksesshme të këtij lloji. E që në fund të llogarisë përkthehet edhe me rentabilitet financiar. Por, ajo që vlen të theksohet në këtë histori, është se paratë nuk kanë pasur një rëndësi ekskluzive!
Nëse do të flasim për programin, si është konceptuar, çfarë formati do të kemi në mëngjes në AS dhe si do t’i konkurrojë programet aktuale në TV-të e tjera?
Aldon Lipen, Blendi Salën, Eno Popin apo Ledion Liçon i kam shokë dhe i vlerësoj. Por mendoj se në shijet e njerëzve ka vend edhe për një emision tjetër mëngjesi, po aq të mirë e të suksesshëm sa ata që bëjnë kolegët që përmenda më sipër. Unë e kam para syve të gjithin, por më duhet ta hedh në letër, për ta zbërthyer pastaj edhe nga pikëpamja tekniko-regjisoriale.
Do të kesh një partnere në program dhe kush mund të ishte?
Mund t’ju konfirmoj idenë tonë për të pasur një partnere. Dhe nuk nisemi nga ideja seksiste se “seksi shet”, por sepse besojmë, – unë vetë i pari, – që kam nevojë për një partnere që të shërbejë si kontrapunkt, që me harenë dhe ëmbëlsinë e vet të zbusë seriozitetin tim prej gazetari. Por, nuk mund t’ju konfirmoj nëse do të ndodhë vërtet kështu, sepse ende s’e kemi gjetur këtë person dhe nuk kemi fare ndër mend të bëjmë kompromis me cilësitë që përmenda më sipër. Pra, më mirë futem i vetëm në emision, sesa me një vajzë të bukur vërtet, por që do të reduktohej pastaj në një “vazo me lule”.
Ky është programi yt i parë si autor. Do të kesh më shumë të ftuar politikanë, intelektualë, artistë, sportistë apo njerëz të thjeshtë?
Unë jam nga ai brez që është edukuar me dëshirën e sinqertë për të merituar në radhë të parë emrin “gazetar”. Pastaj, të qenët kolumnist, opinionist, komentator, moderator, autor etj., nuk ka rëndësi për mua. Në emision do të udhëhiqem vetëm nga pyetja një milion dollarëshe “Çfarë duan njerëzit në mëngjes”? A e kam përgjigjen e kësaj? Këtë s’e di. Por, në funksion të kësaj pyetjeje, do të bëj çdo mbrëmje listën e të ftuarve për të nesërmen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here