Duket sikur fati po tregohet shumë bujar me primabalerinën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Enada Hoxha. Pas duartrokitjeve që mori në Itali me “Karmen” nesër do të vij për herë të parë për publikun shqiptar me rolin e “Karmen”.

Enda Hoxha është balerina e Parë e Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe aktualisht është balerina më e mirë e Shqipërisë. Në një intervistë për “Albania Weekend” ajo tregon detajet sesi erdhi bashkëpunimi me koreografin Fredi Franzzuti për këtë kryevepër e cila vjen për herë të parë si balet në skenën shqiptare.

Gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka marrë vlerësime maksimale nga kritikat mbarë europiane. Ajo ka shkëlqyer për shumë vite në skenën shqiptare, talenti i saj i jashtëzakonshëm, tashmë i ka kaluar muret e vendlindjes së saj, duke u bërë balerina më e famshme, edhe jashtë kufijve.

Kulmin e karrierës së saj artistike, Enada do ta arrinte në 2005, kur gjatë një aktiviteti shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, të zhvilluar në Kanë të Francës, mes qindra balerinave nga e gjithë bota, ajo do të fitonte çmimin e madh ndërkombëtar, “Ylli i Baletit”. Ky çmim u përforcua akoma më shumë, me date 4 shtator 2005, ku ajo do të ishte e ftuara e nderit tek “Nata Gala”, ku u dha edhe “Çmimi Ndërkombëtar i Komunikacionit dhe Turizmit në Mesdhe”.

Ky aktivitet i organizuar mbi një numër evenimentesh, spektaklesh dhe takimesh, u mbyll me Galanë e datës 4 shtator, ku Enada Hoxha kërceu me drejtorin e baletit të Puglias, Toni Candeloro, pjesën e baletit nga “Aubade”, të cilën e pati interpretuar edhe në Festivalin e Kanës. Në vitin 2002 Enada dhe Gerti janë dekoruar nga presidenti i Republikës, me titullin “Ambasadorë të Kombit”, ndërsa në 2005, ata janë shpallur nga revista kulturore “Kult”, si “Balerinët e vitit 2005”.

Në skenë është ngjitur për herë të parë në moshën 18-vjeçare me baletin “Zhyzel”. Që nga ajo kohë, ajo ka interpretuar shumë role, por ndër ta po përmendim, “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Arthyesi”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i Mjelmave”, “Bajdera”, “Halili dhe Hajria”, “Gjergj Elez Alia”, “Plagët e Gjergj Elez Alisë”, “Hamleti”, “ Lejdi Makbeth”, “Mulerush”, “Gladiator”, si dhe ka marrë pjesë në tango, festivale dhe spektakle të ndryshme, duke filluar nga “Kënga Magjike”, festivalet në Radio-Televizion, Festivali “Marie Kraja”, “Telebingo Kombëtare ”, “Miss Albania” e shumë evenimente të tjera. Veç baletit, ka pasion edhe koreografinë dhe çdo gjë tjetër, që ka lidhje me artin dhe baletin.

Keni marrë duartrokitjet e publikut italian për “Karmen”, ndërkohë që tani do ta sjellni para publikut shqiptar si ndjeheni?
Sigurisht ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme në Itali, ka qenë një vepër e arrirë pasi e ka pritur shumë mirë publiku dhe kritika, kanë folur shumë mirë dhe me shumë vlerësime për këtë realizim të vendosur në skenën italiane. Interpretimi në skenën italiane e them me bindje se ka qenë i arrirë pasi kam marrë vlerësimet maksimale. Prandaj ndjehem e motivuar për shfaqjen e së dielës që pres me padurim të marrë edhe duartrokitjet e publikut tim.

Si vjen ky balet në skenën shqiptare?
“Karmen” vjen në skenën shqiptare si për herë të parë. Nuk është vënë asnjëherë balet por vetëm opera. Ndërkohë që vjen me një skenografi shumë të bukur, me një koreografi shumë të veçantë dhe me kostume të mrekullueshme. Këto përbëjnë ato që quhen detaje kryesore të baletit, të tjerat pastaj i mbeten kritikës ose spektatorëve për të thënë se çfarë kanë parë të veçantë tek ky balet. Sigurisht që në opera është parë e kënduar ndërsa në këtë rast do të shikohet një “Karmen” duke kërcyer dhe duke interpretuar.

Si lindi bashkëpunimi me koreografin Fredi Franzuti?

Me koreografin Franzuti ka qenë një takim i rastësishëm. Në fakt në një takim jemi prezantuar si balerinë të parë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe pas dy javësh më vjen një telefonat nga Franzuti ku më thotë se unë po vë në skenën shqiptare për herë të parë “Karmen’ dhe për mua “Karmen” je ti. Ishte një surprizë mjaftë e bukur nga koreografi Franzuti që më besoi rolin e “Karmenit” në skenën shqiptare. Ky ishte dhe realizimi i një bashkëpunimi mes meje dhe Fredit.

Kohët e fundit është vënë re se Teatri i Operës ka realizuar bashkëpunime të shumta me skenograf, koreograf etj. Sipas jush çfarë vlere sjellin këto bashkëpunim për skenën shqiptare?
Fal drejtorit Zhani Ciko i cili prej vitesh ka realizuar bashkëpunime të shumta me teatrot e botës, qoftë për operën, qoftë për baletin. Shkëmbimi i eksperiencave është gjëja më e bukur që mund ti ndodhi një teatri, sepse ne ishim mësuar vetëm brenda për brenda vendit tonë me koreografët tanë. Ndërsa bashkëpunimet sjellin një eksperiencë të re, një frymë të re në kërcim dhe në opera. Këto bashkëpunime i sjellin baletet më të moderuara dhe më të kohës, ndërsa ne këtu kemi prekur vetëm klasiken. Kjo është e reja, kjo është fryma më e mirë që i duhet një teatri shtetëror.

Çfarë i shton personazhi i “Karmenit” galerisë tuaj?
Sigurisht është një kryevepër më tepër në CV time. “Karmen” për mua është një ndër baletet që kam më përzemër dhe do ta radhisë tek baletet e mija më të veçanta. Kjo është dhe e veçanta për këtë rol, një figurë e re, një karakter i ri në galerinë e personazheve të mija. “Karmen” është një figurë e re që Enada arrin të bëj në skenë përball me rolet e tjera që ka interpretuar.

Si i kujton Enada Hoxha fillimet në rrugën e baletit?
Fillimet e mija i kujtoj vërtetë me nostalgji, kanë qenë vërtetë të bukura por edhe shumë të vështira sepse asnjëherë përballja me një skenë aq magjike siç është skena e teatrit nuk është e thjeshtë. Por sigurisht ambicia, dashuria dhe pasioni për baletin më kanë bërë që unë ti arrij ti përballoj këto vështirësi me sukses. Dhe kur them vështirësi e kam fjalën për vështirësitë teknike dhe intepretative për të qenë gati për të përballuar baletet kaq të famshme botërore. E them me bindje që fal kësaj eksperience të gjatë artistike bën që unë sot të jem gati për çfarëdolloj vepre apo kryevepre që vihet në teatër brenda apo dhe jashtë vendit.

Si një profesioniste si e shikoni baletin para dhe pas viteve ’90. Pas viteve ’90 janë futur element të rinj, çfarë mendoni baleti në Shqipëri është në një nivel cilësor?
Të them të drejtën gjithmonë jemi përpjekur që niveli dhe cilësia në balet të jetë sa më i lartë, këtu nuk flitet vetëm Enadën, pasi ambicia ime është që niveli im intepretativ të jetë nga shfaqja në shfaqje vetëm në rritje dhe them se ja kam arritur gjithmonë. Unë dot të thoja që fal eksperiencave, fal punës shumë të mirë, fal bashkëpunimeve që janë realizuar dhe kanë sjell kryevepra botërore në skenën shqiptare ka bërë që edhe niveli artistik të vij gjithmonë dhe në rritje.

Çfarë do të thotë një familje balerinësh?
Një familje balerinësh do të thotë të bësh një sakrificë në mënyrë që të ndahet dhe të jetohet mirë edhe profesioni. Pasi profesioni të bën që shpesh herë ta harrosh që ke një familje që duhet të kujdesesh për të. Duke patur shumë harmoni midis çiftit dhe familjes çdo gjë bëhet më e përballueshme kështu që dhe karriera ecën mjaftë mirë dhe jeta familjare shumë mirë.

Një karrierë artistike me një galeri personazhesh të shumta. Kë personazh do të veçojë si më të veçantin apo që të ka falur më shumë emocion?
Për mua është shumë vështirë ti ndaj personazhet pasi duke qenë se janë punuar me shumë dashuri dhe përkushtim nuk ndahen. Por unë do të veçoja “Katedralen e Parisit”, baletin “Lola”, “Liqenin e Mjellmave”, “Bajderën”, janë shumë në fakt dhe së fundmi “Karmen”. Personazhi i “Karmenit” është një ndër ato që e kam më përzemër dhe mezi pres që ta sjell për publikun shqiptar.

Kush është skena e ëndrrave të Enadës?
Në fakt ëndrrat janë të shumta. Pothuajse të gjitha ëndrrat më janë realizuar, do të thoja që gjatë kësaj eksperience me të vërtete kam prekur skenat e teatrove të ndryshme të Italisë dhe shumë të tjera. Pse jo do më pëlqente skena në Paris apo në Skala të Milanos, por kjo nuk varet prej Enadës, janë shumë probleme që të pengojnë të hysh në këto teatro. Janë probleme ekstrakkomunitar, janë problem që ndodhin ndërmjet shteteve, nuk është shumë e thjeshtë për të hyrë në këto teatro vetëm nëse do të ketë mundësi Zhani Ciko për të bërë lidhje me këto teatro botëror, dhe vetëm atëherë do të jetë i mundur bashkëpunimi me të.

Çfarë mesazhi do ti jepni të rinjve balerinë?
Punë dhe vetëm punë. Për tu bërë balerinë duhet të kesh shumë pasion, shumë dashuri kjo është dhe sekreti për të qenë i suksesshëm.

Përveç baletit ka ndonjë pasion të dytë për Enada Hoxhën?
Mund të kem dëshira por nuk mund ti cilësoi si pasione. Pasioni i vetëm dhe i fundit për mua është baleti. Por s’mund të lë pas djalin tim i cili për mua është pasioni dhe frymëzimi im. Me të mbaruar këto aktivitete që janë të planifikuara me djalin do të jem e pandashme. Një pasion tjetër i imi në thojza është koreografia, pse jo të jem një personalitet në Teatrin e Operës dhe Baletit, një figurë por këtë e mendoj pas shumë vitesh dhe pse jo të kem një kompani timen baleti me të cilën të udhëtoj jashtë.

Cili bashkëpunim ka qenë më i arriri me skenat europiane?

Të gjitha bashkëpunimet i cilësoi si të arrira. Pasi çdo gjë që e marr përsipër e çoj drejt suksesit prandaj e kam dhe të vështirë për të veçuar. Por vlen të theksoj se një mbresë që vjen vetëm një herë në jetë është çmimi i madh që mora në Kanë si “Ylli i baletit”, është një eksperiencë që të vjen vetëm një herë në jetë. Atje u paraqite me “Aubade” e krijuar në vitin 1946 mbi muzikën e Francis Poulenc, prej koreografit Serge Lifar, i cili njihet si themeluesi i Teatrit të Operës dhe Baletit të Parisit.

Sipas teje kush janë problemet që pengojnë vënien e veprave botërore në skenë?
Sigurisht ka të bëjë me atë që quhet buxhet. Është një buxhet shumë i vogël që vihet në dispozicionin e këtyre kryeveprave botërore për ti risjell në skenën e Teatrit të Operës. Dhe këtë buxhet drejtori Zhani Ciko mundohet ta ndaj edhe për operën edhe për teatrin, dhe për çdo lloj aktiviteti tjetër në teatër. Unë do të thoja që Ministria e Kulturës është ajo që i mundëson këto shkëmbim eksperiencash që realizohen në teatër. Duhet të bëjnë akoma më shumë për ta pasqyruar këtë skenë me vepra të ndryshme ashtu si kombëtare edhe botërore.

Kush janë projektet që do të shfaqin Enada Hoxhën në vazhdimësi?
Enada mezi pret të shfaq me sukses “Karmen”, “Dancing Ëith The Stars” që mbaron me gjashtë maj dhe më pas mendoj që të marr një pushim të vogël. Kam edhe disa oferta shfaqjesh jashtë shtetit dhe me të mbaruar këto do ti dedikohem familjes pasi nga shtatori dhe tutje projekte janë të shumta dhe nuk mund të flas.

Enda merr çmimin “Les Etoile de ballet 2000” në Francë

Atë e kanë quajtur vazhdimisht një yll, por kur këtë ta thonë në Francë dhe jo thjesht si një cilësim, por si një çmim, nuk është pak. Mbrëmjen e 23 korrikut 2000, solistja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Enada Hoxha, ka çelur festivalin “Les etoiles de Ballet 2000”, në Kanë të Francës. Por jo vetëm kaq, ajo është kthyer që andej me një çmim. E cilësuar si “perla e baletit shqiptar”, Hoxha ka kërcyer në Kanë, në krahë të balerinit italian Toni Candeloro, një pjesë nga vepra “Aubade” e krijuar në vitin 1946 mbi muzikën e Francis Poulenc, prej koreografit Serge Lifar, i cili njihet si themeluesi i Teatrit të Operës dhe Baletit të Parisit. Po atë natë, kanë kërcyer të tjerë balerinë nga teatrot nacionalë të Londrës, Danimarkës, Francës, San Petersburgut, Kubës, etj., të cilët gjithashtu morën çmimin “Yjet e baletit 2000”. Të nesërmen shtypi francez ka nxjerrë në faqe të parë fotografinë e balerinës shqiptare dhe e kanë konsideruar atë si e ardhmja e baletit europian.

Rolet
“Don Kishoti”, “Hirushja”, “Arthyesi”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i Mjelmave”, “Bajdera”, “Halili dhe Hajria”, “Gjergj Elez Alia”, “Plagët e Gjergj Elez Alisë”, “Hamleti”, “ Lejdi Makbeth”, “Mulerush”, “Gladiator” ./gazeta albania/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here